Shugurimi Diakonal i Kristjan Jozef Ivezaj

Në Vigjiljen e Krishtit Mbret, 22. 11. 2025, Dioqeza e Sapës dhe Bashkësia “Tempulli i Zotit” gëzuan në Shugurimin Diakonal të Kristjan Jozef Ivezaj, përmes duarve të Shkëlqesisë së Tij, Imzot Simon Kulli, Ipeshkëv i Sapës.

R.SH. / Vatikan

SHUGURIMI DIAKONAL I KRISTJAN JOZEF IVEZAJ

Në Vigjiljen e Krishtit Mbret, 22. 11. 2025, Dioqeza e Sapës dhe Bashkësia “Tempulli i Zotit” kremtuan Shugurimin Diakonal të Kristjan Jozef Ivezaj, përmes duarve të Shkëlqesisë së Tij, Imzot Simon Kulli, Ipeshkëv i Sapës.

“Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju dhe ju caktova të shkoni e të jepni fryt, e fryti juaj të qëndrojë”! Gjn. 15,16. Është kjo pjesë e ungjillit të Gjonit që vetë Kristjani e ka zgjedhur në këtë kujtim të përjetshëm të tij, duke iu përgjigjur me një 'Po' zërit të Zotit për t’iu kushtuar Atij në rrugën e Meshtarisë.

Të bashkuar në Katedralen Shën Tereza e Kalkutës, në Vau Dejës, të shumtë ishin besimtarët që u bashkuan në këtë eukaristi së bashku me meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, bashkësia e Tempullit të Zotit dhe familjarët e Kristjanit, të cilët gëzuan në këtë kremtim të shenjtë, duke thënë së bashku me psalmistin: “Sot është dita që na e dhuroi Zoti”.

Kristjani seminaristi na ka bashku sot në këtë kremtim, të cilit i kemi parapri me kushtet e përjetshme, dhe sot do t’i kushtohet Zotit me fjalët “Ja ku jam o Zot!” Me këto fjalë e nisi homelinë e rastit Imzot Simon Kulli, ndërsa vazhdoi më tej duke thënë se ai do t’i kushtohet Zotit në shërbim nëpërmjet Urdhërit të Diakonatit. Me liri të plotë vendose të ndjekësh këtë rrugë tha ai duke iu shërbyer motrave dhe vëllezërve që do ti takosh gjatë misionit tënd si shërbëtor i Zotit. Kjo është arsyeja të themi bashkë me ty: “ Eja të shkojmë në shtëpinë e Zotit”, duke i kënduar lavde Hyjit. Jezusi thërret në situata të ndryshme konkrete, ndërsa ti ke lënë Amerikën dhe ke ardhur në bashkësinë Tempulli I Zotit për të ndjekur Krishtin. Faleminderit nga zemra për këtë dëshmi të gjallë, dhe Zoti të udhëheqtë me bekime e tij drejt meshtarisë – përfundoi Imzot Simoni.

Menjëherë pas predikimit, vazhdoi riti i pranimit të Urdhërit Diakonal, duke bërë që vëlla Kristjani ta ushtrojë shërbesën e diakonatit me përvujtëri dhe dashuri në ndihmë të Urdhërit Meshtarak, në shërbim të popullit të krishterë. Gjatë lutjeve të Litanive të Shenjtërve të gjithë i kërkuan Hyjit, Atit të gjithëpushtetshëm të zbrazë me mëshirë hirin e bekimit të Tij, mbi këtë të zgjedhur.

Përmes dhuratës së Shugurimit Diakonal, Kristjani ka nisur tashmë rrugëtimin e fesë si diakon dhe përmes shenjave të shërbesës dhe do ta kurorëzojnë këtë shërbim me Urdhërin e Meshtarisë.

nga Violeta Marashi

25 nëntor 2025, 12:57