Ipeshkvi ndjerë imziot Simon Kulli, Katedrala Vau Dejës Ipeshkvi ndjerë imziot Simon Kulli, Katedrala Vau Dejës

Nesër në Katedralen e Vau Dejës Mesha dritës e funerali imzot Simon Kullit

Të marten me datë 2 dhjetor 2025, në orën 10. 00 do të kremtohet Mesha e Salikimit dhe pas Meshës trupi i tij do të prehet në kriptën e Katedrales “Shën Tereza e Kalkutës”.

R.SH. / Vatikan

Nesër më 2 dhjetor 2025, në orën 10. 00 paradite në Kishën Katedrale të Vau-Dejës  do të kremtohet Mesha dritës dhe mbahet riti i Salikimit të imzot Simon Kullit, ipeshkvit të Sapës. Pas Meshës trupi i të ndjerit imzot Simon Kulli do të prehet në kriptën e Katedrales “Shën Tereza e Kalkutës”, në Vau-Dejës, ku vazhdojnë lutjet e besimtarëve dhe homazhet e hierarkisë së Kishës në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi që po  qëndron afër kësaj Kishe dioqeze dhe familjarëve të ipeshkvit të ndjerë, duke bashkëndarë dhimbjen por edhe shpresën në ringjallje. Po nga Vau Dejës të ndjekim njoftimin e Violeta Marashit:

Violeta Marashi

MBAHEN NDERIME DHE HOMAZHE PËR IMZOT SIMON KULLIN, IPESHKËV I SAPËS

KUSH JETON E BESON NË Mpr UA, NUK DO TË VDESË KURRË (Gjn 11,26)

Janë këto fjalët e Prefacionit të Meshës për të vdekur, që na japin ngushëllim në këto ditë pikëllimi, dhe si besimtarë të Krishtit Zot na bëjnë më të fortë për të përballuar humbjen e bariut të dashur me fe dhe besim. Që prej datës 29 nëntor 2025, Ipeshkvia e Sapës po përjeton momente dhimbjeje dhe pikëllimi për ndarjen nga jeta tokësore të bariut të saj Imzot Simon Kulli, si shkak i arrestit kardiak në moshën 52 vjeç.

Nga momenti i marrjes së lajmit të hidhur, e gjithë hierarkia e Kishës në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi iu bashkua klerit dioqezan të Sapës dhe po qëndron afër kësaj dioqeze dhe familjarëve të ipeshkvit të ndjerë, duke bashkëndarë dhimbjen.

Trupi i Imzot Simon Kullit është vendosur në Katedralen Shën Tereza e Kalkutës, ku i shërbeu për 8 vjet si Ipeshkëv i Sapës, në Vau Dejës. Nën klimën e lutjes së përshpirtshme dhe në nderim të tij qindra besimtarë nga mbarë dioqeza dhe gjithë Shqipëria gjatë këtyre tre ditëve po nderojnë me respekt të madh dhe shprehin dashurinë për bariun që Zoti e thirri pranë vetes. Mes tyre janë edhe autoritete të larta civile dhe shtetërore.

Si nga ana e besimtarëve ashtu edhe e meshtarëve dhe rregulltareve këto momente janë shoqëruar me lutje dhe uratë për shpirtin e tij. Lutjet kryesore kanë qenë lavde e mëngjesit, Mbrëmësoret dhe kremtimi i Meshëve të Shenjta. E pas këtyre tre ditëve të nderimit, ditën e marte do t’i jepet lamtumira e fundit Imzot Simonit, përmes Meshës së Salikimit në orën 10.00 në Vau Dejës.

Largimi i parakohshëm nga kjo jetë e bariut, Imzot Simon, Kishës Katolike në Shqipëri, Konferencës Ipeshkvore dhe kryesisht Dioqeza e Sapës që e lindi dhe e rriti do t’i mungojë së tepërmi ky bari i devotshëm, që duke ndjekur shembullin dhe veprën e Nënë Terezës, la gjurmët e veta në gjithë misionin e tij në Shqipëri.

nga Vau-Dejës Violeta Marashi

01 dhjetor 2025, 13:41