Kard. Pizzaballa në Gaza për të kremtuar Krishtlindjen me komunitetin e vogël katolik

Patriarku latin i Jerusalemit Pizzaballa viziton famullinë e Familjes Shenjte në Gaza, i shoqëruar nga imzot Shomali. Gjatë këtyre ditëve, informon patriarkati, ai do të informohet për situatën dhe nevojat humanitare të komunitetit katolik të vogël. Prania e tij “shpreh gatishmërinë për të shoqëruar besimtarët e tij në shpresë, solidaritet dhe lutje”.

R.SH. / Vatikan

Kisha nuk i ka braktisur kurrë besimtarët e famullisë kishtare të Familjes Shenjte, duke mbetur gjithmonë pranë tyre, pranë komunitetit të vogël katolik të Gazës, që, edhe për këtë Krishtlindje, ashtu siç ndodhi në vitin 2024, do të kenë ngushëllimin dhe solidaritetin, për herë të katërt që nga 7 tetori 2023, të kardinalit Pierbattista Pizzaballa.

Në vizitë në famullin e Familjes Shenjte

Patriarku latin i Jerusalemit mbërriti sot në Gaza për kremtimet e Krishtlindjes, ashtu siç ndodhi edhe në 2024. Një takim vjetor, i anuluar në vitin 2023 për shkak të bombardimeve izraelite. Kështu, kardinali Pizzaballa, siç njofton një deklaratë për shtyp nga patriarkati, i shoqëruar nga vikari patriarkal latin, imzot William Shomali, dhe një delegacion i vogël, është në një vizitë baritore në Famullinë e Familjes Shenjte në Gaza.

Iniciativa për komunitetin

Gjatë këtyre ditëve, Pizzaballa, thuhet në njoftim, “do të shqyrtojë situatën aktuale të famullisë, përfshirë ndërhyrjet humanitare, përpjekjet për ndihmë dhe rehabilitim që po kryhen, si dhe perspektivat për periudhën që vjen. Patriarku latin i Jerusalemit do të takohet me klerin dhe besimtarët lokalë për të marrë informacione mbi nevojat e komunitetit dhe iniciativat në vazhdim për ta mbështetur atë”. E të dielën, ai do të drejtojë Meshën e Krishtlindjes gjithnjë në Kishën famullitare të Familjes Shenjte në Gaza.

Lidhja mes famullisë së Gazës dhe patriarkatit

Kjo vizitë, shpjegon ende Patriarkati, “shënon fillimin e kremtimeve të Krishtlindjes në një komunitet që ka përjetuar dhe vazhdon të përjetojë momente të errëta dhe të vështira. Ajo riafirmon lidhjen e qëndrueshme të famullisë së Familjes Shenjte në Gaza me dioqezën më të gjerë të patriarkatit latin të Jerusalemit dhe shpreh angazhimin e Patriarkatit për të shoqëruar besimtarët e këtij komuniteti në shpresë, solidaritet dhe lutje”.

19 dhjetor 2025, 17:43