Në foto: çelja e vitit jubilar kushtuar Shën Françeskut në Asizi, Itali. Në foto: çelja e vitit jubilar kushtuar Shën Françeskut në Asizi, Itali.

2026 do të jetë vit i gjatë kremtimesh për 800-vjetorin e vdekjes së Shën Françeskut.

Nisi zyrtarisht tetëqindvjetori i kalimit në amëshim të Shën Françeskut.

Tetëqindvjetori i vdekjes së Shën Françeskut filloi zyrtarisht. Kremtime të mëdha po zhvillohen në Umbria, Itali dhe kudo nëpër botë. Nga Kishëza në Asizi ku shenjti dha frymën e fundit, filloi një kohë hiresh të posaçme për Kishën dhe botën. Shumë ngjarje janë planifikuar për këtë vit, dhe ky kalendari i pasur nisi të shtunën, më 10 janar 2026, në «Porziuncola» në Asizi. «Hapja e kremtimeve për tetëqindvjetorin në këtë vend shumë domethënës shënon fillimin e një kohe hiri kishtar i cili fton të gjithë Kishën të kthehet te gurrat e dëshmisë françeskane, aty ku jeta e Françeskut u plotësua krejtësisht në përputhje të plotë me Krishtin e varfër dhe të kryqëzuar, dhe ku Shën Françesku - siç theksoi Fra Massimo Travascio OFM, Rojtar i Porziuncola-s, në përshëndetjen e tij hapëse - i la Kishës një trashëgimi paqeje, pajtimi dhe kënge.»

Thelbi i ritit që u kremtua të shtunën e kaluar në Asizi, ishte rrugëtimi i gjashtë familjeve të mëdha françeskane, të cilat gjetën në këtë kremtim «një zë dhe një hap të përbashkët».

Ati françeskan Massimo Fusarelli, Ministër i Përgjithshëm i Fretërve të Vegjël, fra Carlos Alberto Trovarelli, Ministër i Përgjithshëm i Fretërve françeskanë kuvendorë, fra Roberto Genuin, Ministër i Përgjithshëm i Fretërve kapuçinë, Tibor Kauser, Ministër i Përgjithshëm i Urdhrit Françeskan Laik, fra Amando Trujillo Cano, Ministër i Përgjithshëm i Rregullit të Tretë, dhe Motra Daisy Kalamaparamban, kryetare e Konferencës Ndërkombëtare Françeskane të Vëllezërve dhe Motrave të Rregullit të Tretë, ecën së bashku nëpër dy anët e Bazilikës, duke përuruar simbolikisht shtegtimin e të gjithë botës françeskane.

Në fund të kremtimit, u lexua letra që Papë Leoni XIV i drejtoi Familjes Françeskane dhe të gjithë Kishës për kremtimin e 800-vjetorit të kalimit në amëshim të Shën Françeskut, «një shenjë e pjesëmarrjes së Atit të Shenjtë në këtë ngjarje me rëndësi botërore dhe e afërsisë së tij shpirtërore me udhëtimin që hapet nga Asizi për të gjithë bashkësinë kishtare».

Me këtë rast, në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve në Asizi, u ekspozua ikona në dru më e vjetër që paraqet Shën Françeskun e Asizit. Kjo vepër, e të ashtuquajturit «Mjeshtër i Shën Françeskut», e mesit të shekullit XIII, e përshkruan shenjtin me plagët e Krishtit që shihen fare qartë, shprehje kjo e njëhsimit të tij me Krishtin.

U njoftua gjithashtu edhe një lajm me rëndësi të madhe: Dekreti i Pendestarisë Apostolike, e cila shpalli se «tetëqindvjetori i vdekjes së Shën Françeskut të Asizit, është vit jubilar i veçantë dhe jepet Ndjesa e Plotë.»

Le t’i shohim më imtësisht këto ngjarje. «Nga 10 janari 2026 deri më 10 janar 2027, shpallet një Vit i veçantë kushtuar Shën Françeskut», gjatë të cilit besimtarët do të kenë mundësi të nxjerrin Ndjesën e Plotë «sipas kushteve të zakonshme (rrëfim, kungim dhe lutje simbas ndjeteve të Atit të Shenjtë), duke vizituar kisha françeskane dhe shtegtim e duke u bashkuar shpirtërisht në udhëtimin e Familjes Françeskane në këtë kohë hiresh të posaçme.

Shumë nisma do ta shoqërojnë këtë vit të veçantë françeskan.

«Françesku ka sytë tuaj» – Kështu quhet një varg dymbëdhjetë takimesh, një për çdo muaj, organizuar nga Provinca Serafike e Etërve të Vegjël të Umbrias dhe Sardenjës për të gjetur te Shën Françesku busullën që na drejton në këto kohë kaq të ndërlikuara. Eshtrat e Shën Françeskut do ekspozohen nga 22 shkurti deri më 22 mars 2026, në Bazilikën e Asizit. Rezervimi është falas në faqen zyrtare të internetit të Kapitullit të Rrogozave të Rinisë Evropiane, prej datës 3 deri më 6 gusht 2026. Nëntëditshi i Shën Françeskut, kremtohet me nisma të ndryshme. E Diela e të Varfërve do të kremtohet në nëntor 2026 dhe do të ketë si temë «Françesku dhe të vobektët».

15 janar 2026, 10:16