Në foto: imz. Gintaras Grušas, arqipeshkëv i Vilniusit, Lituani. Në foto: imz. Gintaras Grušas, arqipeshkëv i Vilniusit, Lituani.

Arqipeshkvi Grušas: Le të lutemi për paqe gjatë Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve

Në valën e kërcënimeve të vazhdueshme kundër paqes në të gjithë botën, arqipeshkvi Gintaras Grušas, kryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, i ftoi të krishterët të luten për paqe gjatë Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, e cila mbahet çdo vit nga 18 deri më 25 janar.

R.Sh. Vatikan

Arqipeshkvi i Vilniusit, Gintaras Grušas, kryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE), bëri ftesë për lutje për paqe në rruzullin tonë të shkatërruar nga lufta, pas nënshkrimit të «Charta Oecumenica», që u përditësua në Romë më 5 nëntor 2025.

Arqipeshkvi Grušas bëri thirrje për pranimin e këtij dokumenti bashkëpunimi për paqen në Evropë, «Charta Oecumenica», duke ftuar përzemërsisht nëpërmjet një letre kryetarët e konferencave ipeshkvnore katolike të Evropës të përqendrohen te lutjet me këtë ndjet të posaçëm. Në letrën e vet, prelati i lartë thekson se «ky bashkim midis të pagëzuarve në Krishtin është një vegël e fuqishme paqeje në të gjithë botën».

Në dokumentin drejtuar të gjithë kryetarëve të konferencave ipeshkvnore të Evropës, arqipeshkvi Grusas theksoi: «Urata mbetet “shpirti i të gjithë lëvizjes ekumenike” (UR, 8), dhe gjen shprehje veçanërisht të fuqishme gjatë tetëditëshit të lutjes për bashkimin e të Krishterëve».

Prelati i lartë i Lituanisë imzot Grušas vijon më tej në letër duke thënë se Kishat «janë të lutura të përtërijnë thirrjen e fortë të përbashkët për t'u lutur për paqe, veçanërisht mes kërcënimeve të vazhdueshme që i kanosen asaj, rezultat i konflikteve të armatosura të vazhdueshme dhe tensioneve gjeopolitike në shumë vise të botës». Aq më tepër tani, pak muaj para përvjetorit të 25-të të nënshkrimit të «Charta Oecumenica» fillestare, miratuar në Strasburg më 22 prill 2001.

Arqipeshkvi Grušas u lut «që ky bashkim të arrihet jo vetëm midis të krishterëve, por edhe midis të gjitha palëve në konflikt që paqja të rindërtohet». «Kjo lutje e përbashkët dhe pranimi i “Charta Oecumenica” të përmirësuar, nënvizon arqipeshkvi i Vilniusit, Gintaras Grušas , “i është besuar ndërmjetësimit të Zojës së Bekuar Mari, Nënës së Evropës, dhe Shenjtërve Pajtorë të Evropës”».

«Karta Ekumenike» e rishikuar përbën një ngjarje të rëndësishme në udhëtimin ekumenik të Kishave në Evropë. Tani që kanë kaluar njëzet e pesë vjet nga miratimi i saj, kjo mbetet një dokument themelor referimi për nxitjen e bashkëpunimit, dialogut dhe dëshmisë së përbashkët midis Kishave të Krishtera në të gjithë kontinentin. Me rishikimin e Kartës Ekumenike u mor një grup pune i autorizuar nga Komisioni i Përbashkët i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) dhe Konferenca e Kishave Evropiane (CEC).

Tani, të gjitha Kishave të Krishtera u është bërë thirrje të angazhohen dhe ta bëjnë të vetën Kartën Ekumenike të përditësuar. Po ashtu, të gjitha këto Kisha duhet të bëjnë rishtas përpjekje të reja për dialogun ekumenik, lutjen e përbashkët dhe edukimin, duke dhënë dëshmi të përbashkët, secila sipas bashkësisë së vet.

16 janar 2026, 09:10