Bethlehem, fillon restaurimi i Shpellës së Lindjes së Krishtit: shenjë shprese e uniteti
R.SH. / Vatikan
Nëse ka një vend, që e sfidon gjerësinë dhe gjatësinë gjeografike e që "ndryshon” nga gjithçka tjetër, ky vend është Shpella e Lindjes. Sepse atje, lindi Jezusi Fëmijë, që ndryshoi historinë dhe kohën. Është një Para Krishtit e një Pas Krishtit. E vendosur në pjesën më të thellë të Bazilikës, në Bethlehem, Shpella përgatitet për restaurimin e saj të parë pas 600 vjetësh. Patriarkana Ortodokse Greke e Jerusalemit dhe Kujdestaria e Tokës Shenjte e dhanë së bashku njoftimin, duke shprehur gëzimin e tyre për nismën, në të cilën do të bashkëpunojnë edhe Patriarkati Ortodoks Apostolik Armen e Presidenca e Shtetit të Palestinës. Vetë udhëheqësi palestinez Mahmoud Abbas, duke vizituar Romën më 5 dhe 6 nëntor, gjatë takimit me Papën Leoni XIV, e më pas përurimit të ekspozitës "Betlehemi i Rilindur", organizuar në kompleksin San Salvatore në Lauro, kujtoi rifillimin e punimeve në vendlindjen e Princit të Paqes, duke e quajtur "shenjë shprese dhe rilindjeje të madhe për mbarë Tokën Shenjte". Kështu, në përkim me dekretin presidencial mbi restaurimin e vendit të lëshuar në vitin 2024 dhe status quo-në historike të qeverisë, që rregullon vendet e shenjta, ai vend i shenjtnueshëm, i nderuar nga i gjithë Krishterimi si selia e Mishërimit, më në fund do të ketë gjithçka që i nevojitet.
Leoni XIV pret Abbass-in: fundi i konfliktit në Gaza dhe zgjidhja me dy shtete
Projekti i besohet një kompanie italiane. Restaurimi do të kryhet përsëri nga kompania italiane me seli në Prato, e cila vetëm dy vjet më parë "e shpëtoi" Bazilikën e Lindjes me një projekt të madh dhe të kujdesshëm rehabilitimi. Zgjedhja u bazua nga nevoja për të siguruar vazhdimësinë e metodës, mjeshtërisë dhe ndjeshmërisë artistike, për një vend me vlerë të shenjtë, të pakrahasueshme. Përgatitjet paraprake, siç thuhet në faqen e internetit të Kujdestarisë, përfunduan. E puna është gati të fillojë. "Restaurimi - shpjegon Giammarco Piacenti, drejtues i kompanisë me seli në Prato, do të fillojë në fund të janarit dhe do të përfshijë të gjitha sipërfaqet e shpellës: shkëmbin e zhveshur, dyshemetë prej mermeri, kolonat, dekorimet, yllin e argjendtë që shënon vendin e saktë ku lindi Jezusi, mozaikun dhe altarin. Në atë vend do të punojnë gjashtë deri në tetë persona, përfshirë vendasit. "Ka shumë punëtorë - shton ai - ne i përgatitem që nga viti 2013, kur filluam të punojmë në Tokën Shenjte". Përveç punës në Shpellë, projekti përfshin edhe masa konsolidimi teknik në seksionet ngjitur, duke reflektuar si unitetin arkitektonik të shenjtërores, ashtu edhe frymën e bashkëpunimit, që e ruan atë për mbarë njerëzimin. Restaurimi, është i pamohueshëm. Do të ofrojë mbështetje për shumë familje punëtorësh, që do të përfshihen në këtë projekt të rëndësishëm e, si pasojë, për ekonominë e Betlehemit, të gjunjëzuar nga konflikti ndërmjet Izraelit dhe Hamasit dhe nga ndalimi i shtegtimeve. Tani, në fillim të "Fazës 2" të planit të paqes të Donald Trump, shtegtimet do të rifillojnë. Dalë-ngadalë, por do të fillojnë!
Në emër të unitetit
Një shenjë e rilindjes, pra, por edhe ngjarje tejet ekumenike, me bashkëpunimin ndërmjet ortodoksëve grekë dhe françeskanëve, kujdestarë të Shpellës: "Ky projekt, vazhdon deklarata, mishëron një angazhim të bashkuar të krishterë për të ruajtur trashëgiminë shpirtërore, historike dhe kulturore të Shpellës së Shenjtë për brezat e ardhshëm e për të mbrojtur dinjitetin e një vendi, ku mesazhi i krishterë ka marrë formë të dukshme dhe ku, gjatë shekujve, besimtarët e çdo kombi janë mbledhur në shtegti". E kështu misteri i Mishërimit hyri në histori dhe rrëfimi i krishterë mori fillimet e tij tokësore. Rivendosja e këtij vendi të shenjtë do të thotë ruajtje e vazhdimësisë së fesë, të kujtesës dhe përkushtimit në tokën e Lindjes së Zotit.
Përmes kësaj përpjekjeje kolektive, Kishat e Jerusalemit mbrojnë trashëgiminë ungjillore, që iu besua dhe sigurojnë që besimtarët e të gjitha traditave ta vazhdojnë nderimin e vendit të lindjes së Krishtit.
Nga Betlehemi, drita e Lindjes vazhdon ta ndriçojë botën, duke dëshmuar praninë e përhershme të krishterë në Tokën Shenjte dhe shpresën që rrezaton nga Shpella Shenjte, ku lindi Shëlbuesi!