E diela e dytë e kohës së zakonshme “A” : Jezusi, qengji i butë
R.SH. / Vatikan
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit (Gjn 1, 29-34)
Në atë kohë, Gjoni e pa Jezusin duke ardhur kah ai e tha: «Ja, Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës! Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Pas meje vjen një njeri, i cili është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje!’ Nuk e kam njohur as vetë, por arsyeja pse erdha e jam duke pagëzuar me ujë është që ky t’i zbulohet Izraelit.» Gjoni dëshmoi edhe: «E pashë Shpirtin Shenjt tek zbriti prej qiellit porsi pëllumb dhe zuri vend mbi të.»
«Unë nuk e njihja atë, porse Ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, Ai edhe më tha: ‘Në atë që të shohësh se zbret Shpirti Shenjt dhe zë vend në të, ai është që pagëzon me Shpirtin Shenjt.’ Unë e pashë dhe dëshmoj: Ky është Biri i Hyjit” – vijon Ungjilli i Shën Gjonit.
Pas kohës të të shfaqurit të Jezusit, lindur nga Shpirti i Shenjtë dhe Maria, vjen koha e zakonshme në kalendarin liturgjik të Kishës. Kjo është koha e udhëtimit drejt Mbretërisë si diçka e përditshme. Në të ashtuquajturat «kohë të forta», ne jemi shtegtarë, por me pushime, që dallohen nga angazhimi për të kuptuar dhe për të marrë pjesë në misteret e Jezusit që kremtojmë. Në kohën e zakonshme të liturgjisë, çdo të diel festojmë Pashkën e Zotit, një ngjarje që na e fuqizon besimin, shpresën dhe dashurinë në rrugën drejt Mbretërisë së Hyjit.
Ja, pra, Ungjilli i sotëm, lajmi i mirë që na zbulon praninë e Birit të Hyjit midis njerëzve, rreth vitit 27 pas Krishtit. Në ungjillin e katërt, Ungjillin e Gjonit, pas prologut (krh. Gjn 1:1-18), na paraqitet Jezusi dhe punët e tij përgjatë një jave (krh. Gjn 1,19-2:12), në të cilën, secila ditë na flet për një ngjarje që përgatit një tjetër dhe që shkon drejt përmbushjes së misionit, një kohë feste sepse Jezusi dhe dishepujt e tij janë një bashkësi, si një dhëndër me nusen e tij. Në Kanë kjo lidhje shfaqet sepse dishepujt besojnë te Jezusi, dhe ajo mrekulli e shndërrimit të ujit në verë, në një dasëm, e shpreh këtë lidhje qartë dhe në mënyrë prekëse (krh. Gjn 2:1-12).
Pjesa e sotme e ungjillit, na çon në ditën e dytë të kësaj jave. Gjon Pagëzuesi, si një dëshmitar i vërtetë, lajmëron se ka dikë që e ndjek atë si dishepull, por Gjoni nuk mund t'i zgjidhë as sandalet këtij, ngaqë është i padenjë për të. Gjoni pati mohuar tri herë se ishte Mesia, profeti Elia, profeti i madh eskatologjik, i barabartë me Moisiun, dhe zbuloi se Mesia ishte tani i pranishëm, duke e ndjekur atë, midis dishepujve të tij (krh. Gjn 1,19-28). Por Gjoni shkon një hap më tej. Ai e tregon qartë këtë gjë, në mënyrë që dishepujt e tij të kuptojnë se kë duhet të ndjekin tash e mbrapa. Këtu qëndron e gjithë madhështia shpirtërore e Gjon Pagëzuesit. Ai pranon që dishepujt të largohen prej tij, në mënyrë që ata të ndjekin dikë tjetër! Jo vetëm përvujtëri, por edhe vetëmohim, humbje dhe zvogëlim. Vetë Gjon Pagëzuesi thotë më vonë: «Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem» (Gjn 3:30).
Me dishepujt pranë tij, Pagëzuesi e sheh Jezusin duke ardhur drejt këtij. Ndërkaq u drejtohet dishepujve me këto fjalë: «Ja, Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës! Ky është ai, për të cilin thashë: “Mbas meje vjen një njeri, i cili është më i madh se unë, sepse ishte para meje!”. Nuk e kam njohur as vetë, por arsyeja pse erdha e jam kah pagëzoj me ujë është që ky t’i zbulohet Izraelit». (Gjn 1, 30-31). Shën Gjon Pagëzuesi dëshmon gjithashtu se kishte pasur një vegim. Kishte parë Shpirtin e Shenjtë që zbriste si një pëllumb mbi Jezusin dhe qëndronte mbi të, dhe Pagëzuesit vetë iu zbulua se Jezusi pagëzon në Shpirtin e Shenjtë dhe është Biri i Hyjit. Kështu, që në fillim të ungjillit, gjejmë një rrëfim të plotë të identitetit të Jezusit: ai është Biri i Hyjit.
Në Ungjillin e katërt, është Gjon Pagëzuesi ai që sheh qiejt e hapur dhe pëllumbin që zbret, por nuk përmendet ajo çka sheh Jezusi. Prapseprap, ajo që është shumë domethënëse është se, sidoqoftë, jepet dëshmi nga vetë Hyji: Jezusi është i Zgjedhuri, Shërbëtori i Hyjit, Qengji i Pashkëve që na çliron me vdekjen e tij, tek e cila ai ka derdhur të gjithë mëkatin e njerëzimit, pjesë e të cilit ishte si bir i Adamit. Prandaj Jezusi duhet të shpallet si Biri i Hyjit (Krhs. Gjn 1:35, 49; 11:27).
Megjithatë, Gjoni Pagëzuesi sheh vetëm një njeri, një nga dishepujt e tij, identitetin e vërtetë të të cilit, si i Dërguari i Hyjit, Biri i Hyjit, ai nuk e njeh. Ky njeri është një qengj, dhe mbi të fluturon si pëllumb «ruahu», që do të thotë Shpirti i Hyjit. Flitet pra, për qengjin dhe pëllumbin, dy kafshë të buta dhe paqësore, simbole të butësisë. Këta të dy janë në qendër të kësaj zbulese: Jezusi është si një qengj i butë, i therur dhe i ofruar Zotit për mëkatin e botës. Ai është qengji i pafajshëm që çohet në thertore (krhs. Jer 1,19; Is 53:7). Në të njëjtën kohë, ai është edhe i Zgjedhuri, Shërbëtori i Hyjit (në aramaisht, «talgjà» do të thotë si qengj ashtu edhe shërbëtor) që përshkruan Isaia (krhs. Is. 53,4-6, 12), i cili merr përsipër mëkatin e botës për ta hequr atë nga shpatullat tona dhe për ta çuar vetë tek Ati, duke kërkuar mëshirë dhe falje.
Lutja që këndojmë në çdo kremtim eukaristik Qengjit të Hyjit buron nga kjo faqe e Shkrimit të Shenjtë: ti që je Biri i Hyjit dhe për ne je Qengji i Pashkëve, e që mban dhe shlyen mëkatin e botës, ki mëshirë për ne dhe epna neve paqen!