Flasin Familjet Katolike Evropiane: Rrezikojmë të humbim përfaqësimin tonë në BE
R.Sh. Vatikan
«Kur ia paraqet familjen institucioneve evropiane si një bërthamë të pazëvendësueshme, ato bëjnë gjithçka për të na përjashtuar.» Vincenzo Bassi është i zhgënjyer dhe i tronditur thellësisht. Si kryetar i FAFCE, Federatës së Shoqatave të Familjeve Katolike në Evropë, e cila përfaqëson 32 organizata nga 22 vende në Bruksel dhe Strasburg, ai është i alarmuar nga refuzimi i Komisionit Evropian për financimin e gjashtë projekteve që synojnë, për shembull, mbrojtjen e të miturve në botën dixhitale, luftimin e vetmisë së fëmijëve dhe përforcimin e veprimtarive të vetë federatës.
Shkaqet e vërteta
Pesë nga këto projekte, u tha Bassi mediave të Vatikanit, «u refuzuan me vlerësime shumë të përgjithshme, meqë kjo kompetencë varet krejtësisht prej Komisionit Evropian». Por, sipas presidentit të FAFCE-së, janë arsyet e dhëna për refuzimin e projektit të gjashtë të cilat zbulojnë motivimet e vërteta që qëndrojnë pas refuzimit për t'i miratuar të gjitha këto nisma. «Ata na bënë të ditur se qasja e FAFCE-së është në kundërshtim me parimet e barazisë të Bashkimit Evropian. Tani, qasja jonë nuk është gjë tjetër veçse t'i paraqesim shoqërisë evropiane familjen si shembull i një zgjidhjeje jo vetëm për problemet sociale, por edhe ekonomike. Prandaj, sipas tyre, përvoja familjare është në kundërshtim me parimet e barazisë sepse nuk respekton barazinë gjinore.»
Pozicion diskriminues
Një pozicion që Bassi e përcakton pa mëdyshje si diskriminues dhe që penalizon të vetmen shoqatë katolike familjare që vepron në nivel evropian. «Është njëlloj sikur përvoja jonë të mos kishte dinjitet, sikur të ishte në kundërshtim me parimet e Bashkimit Evropian. Ne nuk mund ta pranojmë këtë kurrsesi.» Por ka edhe më shumë. Ajo çka BE nuk mund ta pranojë, denoncon kryetari i FAFCE, është se «ne nuk heqim dorë nga fakti se burri dhe gruaja plotësojnë njëri-tjetrin, nuk heqim dorë nga roli amëtar dhe atëror i nënës dhe i babait, dhe e konsiderojmë familjen si njësi ekonomike dhe sociale në të cilën bashkëpunimi i nevojshëm midis burrave dhe grave është thelbësor. Rolet e ndryshme të etërve dhe nënave nuk janë në kundërshtim me barazinë gjinore. Dallimet që ne i quajmë vlerë, për BE-në janë shkelje të parimit të barazisë.»
Çështje ligjore
FAFCE është gjithashtu e prirur të rrisë ndërgjegjësimin se si praktika evropiane, me kalimin e kohës, ka filluar ta konceptojë individin si konsumator ose punëtor të thjeshtë. «Në këtë mënyrë,» pohon Bassi, «detyra e prindit nuk konsiderohet një cilësi e personit, por e punëtorit ose e konsumatorit, i cili kundrohet në përmasën individuale të tij, ose të saj.» Dhe kjo, shton ai, si avokat dhe ekspert në të drejtën ndërkombëtare dhe evropiane, përbën një problem të madh ligjor. «Sa herë që një shtet anëtar i BE-së guxon të ndjekë një politikë familjare që nuk është thjesht një politikë mirëqenieje, veprimi i tij konsiderohet në kundërshtim me të drejtën evropiane, por ky nuk është rasti i vetëm. Evropa ka një ide abstrakte të familjes, gjë që i përgjigjet saktësisht idesë për individin si punëtor/konsumator».
Rreziqe kërcënuese
Pas refuzimit të projekteve të saj dhe mungesës së fondeve për aktivitetet e saj, FAFCE vendosi të informojë publikun dhe bashkësinë e vet, duke paralajmëruar për rreziqet e këtij diskriminimi. «Bashkimi Evropian», theksoi Bassi, «ka vendosur të mbështesë hapur subjektet që nuk e paraqesin familjen si mjet dhe burim për të mirën e përbashkët. Dhe nëse shikojmë kuadrin financiar shumëvjeçar më të fundit evropian, kuptojmë se ky fakt është krejt i dukshëm». Kështu, FAFCE rrezikon të mos ecë përpara, dhe, «të mos merresh me familjen në nivel evropian do të thotë të hedhësh në kosh të gjitha nismat e zbatuara nga shoqatat vendore. Në nivel evropian luhen sfidat e vërteta, ato më të rëndësishmet».