FILES-GREENLAND-DENMARK-US-DIPLOMACY-EUROPE

Groenlandë, famullitari: nuk jemi një copë tokë, por një komunitet njerëzish

Atë Tomaž Majcen shpreh shqetësimin e realitetit të vogël katolik pas dëshirës për aneksim nga ana e SHBA-së. Edhe Kisha ungjillore luterane mobilizohet çdo të diel në lutje: "Është çështje e të drejtave të njeriut, dinjitetit dhe respektimit të ligjeve e traktateve ndërkombëtare", thotë peshkopja Paneeraq Siegstad Munk.

R.SH. - Vatikn

Lutje për Mbretërinë e Danimarkës dhe për qeverinë autonome të Groenlandës. Këto janë lutjet që çdo të diel lartësohen nga Kishat ungjillore luterane të vendosura pikërisht në territorin autonom danez, i cili ka hyrë në shënjestrën ekspansioniste të administratës Trump. Iniciativa e kërkuar nga Paneeraq Siegstad Munk, peshkope për Groenlandën e Kishës ungjillore luterane, përfshihet në një kontekst gjeopolitik që cilësohet si i paprecedentë: “Është thelbësore të ruajmë qetësinë në një situatë si kjo. Lutjet shërojnë dhe japin një kuptim”, tha Munk në një komunikatë të lëshuar nga Këshilli Botëror i Kishave (WCC).

Të drejtat e njeriut dhe dinjiteti

“Njerëzit – shtoi Munk – janë qartësisht të shqetësuar. Është një çështje e të drejtave të njeriut, dinjitetit dhe respektimit të ligjeve e traktateve ndërkombëtare. Ne jemi një popull i vogël, por nuk jemi të padukshëm. E ardhmja jonë nuk është diçka që mund të vendoset mbi kokat tona. Kemi një gjuhë, një kulturë, paraardhës, fëmijë dhe një të ardhme të lidhur me këtë vend. Ne jemi njerëz, jo pronë. Groenlanda nuk është një tokë për t'u blerë. Është shtëpia jonë dhe nuk është në shitje”, shtoi peshkopja.

Shumica kundër

Sipas sondazheve më të fundit, shumica e banorëve të Groenlandës deklarohen kundër aneksimit të kërcënuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në Groenlandë, feja mbizotëruese është protestantizmi ungjillor luteran: 95% e popullsisë është anëtare e Kishës Kombëtare Daneze, e njohur si Kisha Ungjillore-Luterane në Danimarkë, dhe gati 90% e 57,000 banorëve janë të etnisë Inuit groenlandez. Peshkopja Munk, në linjë me traditën e popullit të saj që prej shekujsh angazhohet për të mbrojtur kulturën lokale dhe marrëdhënien intensive me natyrën, ripohoi vullnetin e saj për të vazhduar këtë betejë si “udhëheqëse e Kishës, ashtu edhe si qytetare private”.

Katolikët e alarmuar

Disa ditë më parë, shqetësim ishte shprehur edhe nga famullitari katolik i Nuuk-ut, kryeqytetit. Atë Tomaž Majcen qe shprehur i alarmuar jo aq për çështjen gjeopolitike, sesa për atë njerëzore: “Më shqetëson fakti që shtëpia jonë mund të konsiderohet si një copë tokë, në vend të një komuniteti njerëzish me familje, tradita dhe fe. Edhe toni i shumë prej këtyre deklaratave ka qenë i ashpër dhe madje shqetësues, sidomos kur përmendet kontrolli ose pronësia mbi ishullin tonë. Si prift, besoj se paqja dhe dialogu janë më të rëndësishëm se konfliktet për të rrëmbyer tokë apo burime". Groenlanda, përfundoi Atë Tomaž Majcen, është një vend “i mrekullueshëm dhe paqësor, dhe shpresoj që të mbetet i tillë. Shpresa ime është që udhëheqësit të përqendrohen te bashkëpunimi paqësor, në vend që të nxisin tensione”.

 

13 janar 2026, 16:28