2026.01.22 Pellegrinaggio

Holy Land Coordination: në Gaza katastrofë humanitare

Përfundoi shtegtimi vjetor në Tokën e Shenjtë i ipeshkvijve evropianë dhe veriori-amerikanë për të shprehur afërsi, solidaritet, mbështetje shpirtërore dhe baritore për komunitetet e krishtera që jetojnë në vendet e shenjta. "Përpjekjet për paqe të triumfojnë mbi dhunën dhe të pushojnë aktet e terrorizmit dhe të luftës".

R.SH. -Vatikan

"Ishte një shtegtim në një tokë ku popullsitë vuajnë trauma të jashtëzakonshme”: nis me këtë konstatim të hidhur komunikata përfundimtare për shtyp e hartuar nga ipeshkvijtë evropianë dhe verioro-amerikanë, që bëjnë pjesë në Koordinimin për Tokën e Shenjtë (HLC), në fund të shtegtimit të tyre vjetor të solidaritetit, gjatë të cilit ipeshkvijtë, mes takimeve të ndryshme, u takuan edhe beduinët Mihtawish që jetojnë në Khan al-Ahmar (në lindje të Jeruzalemit) dhe në fshatin e krishterë të Taybeh, në Bregun Perëndimor, i cili ndodhet nën sulmin e kolonëve izraelitë.

Mes dhunës dhe frikësimeve

Ipeshkvijtë dëgjuan rrëfime, dëshmi dhe përvoja jetësore të atyre që janë të detyruar të jetojnë në margjina, me lirinë e lëvizjes fort të kufizuar. “Kemi dëgjuar – vijon komunikata – histori sulmesh nga ana e kolonëve izraelitë dhe dhunën e frikësimet e tyre të vazhdueshme, vjedhje të bagëtive dhe shkatërrime të pronave, që i detyrojnë shumë njerëz të mos flenë natën nga frika e dhunës së mëtejshme. Kur i pyetëm se kush e shihte betejën dhe thirrjen e tyre për të jetuar në paqe me fqinjët, ata u përgjigjën: 'askush nuk na sheh'". E njëjta situatë paraqitet edhe për komunitetin e krishterë të Palestinës, i cili ka "rrëfyer vuajtjet: sulme të pafundme nga kolonët ekstremistë, shkulje të ullinjve, konfiskim tokash dhe akte frikësuese që e bëjnë jetën të padurueshme, duke i shtyrë shumë njerëz drejt emigrimit masiv".

"Në dymbëdhjetë muajt që kanë kaluar nga vizita jonë e fundit - nënvizojnë prelatët - Toka e Premtuar është tkurrur dhe vënë në pikëpyetje. Gaza mbetet një krizë humanitare katastrofike. Popullsia e Bregut Perëndimor që takuam është e demoralizuar dhe e trembur. Zërat e guximshëm izraelitë që ngrihen në mbrojtje të të drejtave njerëzore dhe civile janë gjithnjë e më të kërcënuar; mbështetja e zërave të margjinalizuar është një solidaritet me kosto të lartë. Kemi frikë se së shpejti edhe ata do të heshtën".

Të garantohen të drejtat e të gjithëve

Duke riafirmuar “të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe atë të izraelitëve për të jetuar në paqe dhe siguri”, ipeshkvijtë e Koordinimit për Tokën e Shenjtë (Holy Land Coordination) kërkojnë “në të njëjtën mënyrë që këto të drejta të garantohen për të gjithë ata që janë të rrënjosur në këtë tokë”. Prej këtu lind urimi që “përpjekjet për paqe të triumfojnë mbi dhunën dhe që të pushojnë aktet e terrorizmit dhe të luftës".

Ipeshkvijtë evropianë dhe amerikanë u bëjnë thirrje qeverive të vendeve prej nga vijnë prelatët "të ushtrojnë presion mbi Izraelin, me qëllim që të respektojë rendin ndërkombëtar të bazuar mbi rregulla dhe të rinisë negociata kuptimplota drejt një zgjidhjeje me dy shtete, për dobinë dhe sigurinë e të gjithëve”. Shtegtimi i ipeshkvijve evropianë dhe veriori-amerikanë në Tokën e Shenjtë ishte gjithashtu edhe një rast për të takuar “guximin e zërave hebrenj dhe palestinezë të cilët, me gjithë vështirësitë e jashtëzakonshme dhe traumat personale, vazhdojnë të promovojnë drejtësinë, dialogun dhe pajtimin".

T'i japim zë atij që nuk ka zë

"Si të krishterë, është thirrja dhe detyra jonë t'i japim zë atij që nuk ka zë dhe të dëshmojmë dinjitetin e tyre, në mënyrë që bota të njohë vuajtjen e tyre dhe të ndihet e nxitur të promovojë drejtësinë dhe dhembshurinë". Për më tepër, prelatët thonë se janë thellësisht të prekur "nga feja dhe qëndrueshmëria e të krishterëve vendas, në Tokën e Shenjtë, si dhe nga njerëz të feve të tjera që angazhohen për të mbajtur gjallë shpresën e komuniteteve të tyre. Kur një nënë apo një baba kërkojnë fundin e dhunës, bota duhet të dëgjojë dhe të veprojë”. Së fundi, Holy Land Coordination i kërkon komunitetit ndërkombëtar dhe të gjithë burrave e grave me vullnet të mirë që “të qëndrojnë pranë popujve të Tokës së Shenjtë. Pranojeni kërkesën e tyre për dinjitet. Ndihmoni në promovimin e një dialogu autentik mes komuniteteve. Mirëpritni ftesën e kardinalit Pierbattista Pizzaballa, Patriarkut Latin të Jeruzalemit, për të ardhur në shtegtim si shenjë e dashurisë, mbështetjes dhe solidaritetit tonë” me Tokën e Shenjtë.

22 janar 2026, 16:18