Instituti ekumenik i Bossey-t te Papa për të dëshmuar unitetin
R. SH. – Vatikan
«Në qendrën tonë të formimit teologjik, ne e jetojmë ekumenizmin çdo ditë dhe, në kontekstin e sfidave aktuale globale, jemi një laborator i gjallë i ekumenizmit, kundër fragmentimit që shënjon botën». Në mes të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, don Lawrence Iwuamadi, dekan i Institutit ekumenik të Bossey-t, përshkruan kështu përditshmërinë e jetuar nga studentët e tij, të cilët këtë paradite morën pjesë në audiencën e përgjithshme të Leonit XIV. 28 të regjistruarit në kursin e Graduate School vijnë nga mbi njëzet vende të ndryshme dhe u përkasin traditave të ndryshme kishtare.
«Qëllimi ynë është të formojmë liderë të ardhshëm të aftë për të përballuar me urtësi kompleksitetin e shoqërive gjithnjë e më të ndara, duke mishëruar unitetin për të cilin u lut Krishti», shton don Iwuamad me origjinë nga arkidioqeza e Owerri-t, në Nigeri – i pari katolik që mban postin e dekanit në Institutin ekumenik të Bossey – duke nënvizuar se si «java e lutjes ekumenike — e cila këtë vit ka si temë “Vetëm një është trupi, vetëm një është Shpirti, ashtu siç është vetëm një shpresa në të cilën Hyji ju ka thirrur” (krh Ef 4, 4) — mundëson tejkalimin e disa paragjykimeve që herë pas here lindin vetëm prej distancës fizike nga Kisha e Romës».
Nga kështjella zvicerane pranë Gjenevës, seli e Institutit ekumenik Bossey që në këtë vit 2026 mbush 80 vjeç, të rinjtë — qofshin klerikë apo laikë — «kanë ardhur për vizitën tashmë tradicionale, qëllimi i së cilës është njohja nga afër e realiteteve të ndryshme të Kishës Katolike: Dikasteret e Kuries Romake, universitetet papnore, Dikasterit për Nxitjen e Unitetit të të Krishterëve, i cili i shoqëron në takimin me Papën.
Don Lawrence Iwuamadi shton gjithashtu se më 25 janar, në solemnitetin e Kthimit në fe të Shën Palit Apostull, të rinjtë «do të marrin pjesë në Bazilikën e Shën Palit, jashtë Mureve, në Romë, si në lutjen e Mbrëmësores së dytë në përfundim të tetëditëshit të lutjes ekumenike me Papën, ashtu edhe në Meshën e të Dielës VII kushtuar Fjalës së Zotit». Me të njëjtat motive ekumenike, në audiencën e përgjithshme të 21 janarit janë të pranishëm edhe një delegacion teologësh katolikë, protestantë dhe evangjelistë nga Holanda, si dhe një grup pjesëmarrësish në “4 Corners Festival në Belfast”, takim vjetor i njohur ndërkombëtarisht që promovon paqen dhe pajtimin në kontekstin e shoqërisë pas konfliktit në Irlandën e Veriut, veçanërisht në kryeqytet.
Muzika e violinistëve të rinj brazilianë, urë lidhëse mes kulturave
Muzikantët e rinj të grupit “The Brazilians Tropical violins”, me prejardhje nga Rio de Janeiro, performuan përpara se Papa të hynte në Sallën Nervi për audiencën e përgjithshme. Nën drejtimin e Suray Soren — violiniste e Orkestrës Simfonike të Teatrit Bashkiak të Rios dhe krijuese e këtij grupi të lindur dhjetë vjet më parë — ata janë në një turne në Evropë për të përhapur muzikën popullore braziliane, duke luajtur jo vetëm në violinë, por edhe me një sërë instrumentesh të kulturës indigjene. Ansambli dhuroi një performancë që u duartrokit gjatë nga të pranishmit. «Synojmë të dëshmojmë se sa shumë arti, në këtë rast muzika, mund të shërbejë si urë lidhëse mes kulturave», shpjegon Soren.
Arti dhe shpirtërorja për të kapërcyer barrierat
Në vazhdën e lidhjes midis kulturës dhe shpirtërores, e aftë për të kapërcyer barrierat, përfshihet edhe pjesëmarrja në audiencë e përgjithshme e sopranos domenikane me dëmtim të shikimit, Janette Márquez. «Arti ka qenë mrekullia që Zoti më ka dhënë në jetë», rrëfen ajo duke mbajtur në duar një pikturë të Virgjërës Mari të Altagracia-s Shtegtare, së cilës ditët e fundit në Romë i kushtoi një koncert të promovuar nga ambasada e Republikës Domenikane pranë Selisë së Shenjtë.