Java e Lutjes për Unitetin e Krishterëve 2026 Java e Lutjes për Unitetin e Krishterëve 2026

Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve 2026

“S’ka veçse një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm ‑ sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. (Ef 4,4).

R.SH. / Vatikan

Siç çdo vit, nga 18 deri më 25 janar, të krishterët e të gjitha besimeve fetare do të mblidhen së bashku që të luten për njëri-tjetrin. Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve sivjet ka si temë unitetin e Korpit të Krishtit, frymëzohet nga teksti paolin i Efesianëve 4,4 dhe na krijon mundësinë të rizbulojmë bukurinë e dialogut ekumenik, rrënjosur në fjalët e thëna nga Zoti Jezus në Darkën e Mbrame: "Unë nuk lutem vetëm për këta dishepujt e mi, por edhe për ata që do të besojnë në mua, pasi të kenë dëgjuar fjalën e tyre. Bëj që të jenë të gjithë një; ashtu si Ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty, që edhe ata të jenë në ne, e bota të besojë se ti më dërgove" (Gjn 17,20-21).

Prandaj, të gjithë jemi të thirrur të rizbulojmë unitetin tonë me njëri-tjetrin dhe me Zotin Atë, ashtu siç janë një Jezusi dhe Ati, në mënyrë që ky bashkim të bëhet dëshmi profetike për një botë të shkatërruar nga lufta dhe mosmarrëveshjet, e që ka nevojë të madhe për paqe. Si të krishterë, kemi përgjegjësinë të dialogojmë edhe me ata të kulturave dhe traditave të ndryshme fetare, duke kultivuar marrëdhënie miqësie dhe respekti të ndërsjellë, në mënyrë që, ditë pas dite, të arrijmë një unitet që nuk është sinonim i uniformitetit, por i dallimeve të mirëpritura dhe të harmonizuara nga Shpirti Shenjt.

Sivjet lutjet dhe reflektimet që do të përdoren në Javën e lutjes për Unitetin e të Krishterëve, u përgatitën nga besimtarët e Kishës apostolike armene, në bashkëpunim me vëllezërit dhe motrat e tyre të Kishave katolike dhe ungjillore armene. Materiali u përgatit, u redaktua dhe u diskutua në selinë historike shpirtërore dhe administrative të Kishës Apostolike Armene, Seli e Shenjtë e Etchmiadzin-it në Armeni, gjatë ditëve frymëzuese të bekimit të Muronit (vajit shenjt) e rishenjtërimit të Katedrales Nënë, ndërmjet 28 dhe 29 shtatorit 2024, pas një përtëritjeje të gjerë dhjetëvjeçare. Ky përkujtim i krijoi popullit armen dhe anëtarëve të Grupit Ekumenik vendas mundësinë unike për të reflektuar e për të kremtuar fenë tonë të përbashkët të krishterë, që jeton e gjallë dhe e frytshme në Kishat tona.

Më shumë se ideal i thjeshtë, uniteti është mandat hyjnor, qendror për identitetin tonë të krishterë. Përfaqëson thelbin e thirrjes së Kishës, thirrje për të reflektuar unitetin plot harmoni të jetës sonë në Krishtin, pavarësisht larmisë sonë. Ky unitet hyjnor është në zemër të misionit tonë dhe mbështetet nga dashuria e thellë e Jezu Krishtit, i cili na vuri përpara një qëllim të përbashkët. Siç thotë Pali Apostulli në Letrën e tij drejtuar Efesianëve: "S’ka veçse një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm ‑ sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj” (Ef 4,4). Ky varg biblik, i zgjedhur për këtë vit, kap thellësinë teologjike të unitetit të krishterë.

16 janar 2026, 09:06