Kardinalët Cupich, McElroy dhe Tobin: roli moral i SHBA-së në botë është nën shqyrtim
R.SH. - Vatikan
Roli moral i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përpjekjen për përballimin me të keqen në botë dhe me sigurimin e paqes së drejtë reduktohet në kategori partiake, që inkurajojnë polarizimin dhe politikat shkatërrimtare. Ky është thelbi i mesazhit të Kardinajve Blase Joseph Cupich, Kryepeshkëv i Çikagos; Robert McElroy, Kryeipeshkëv i Uashingtonit dhe Joseph William Tobin, Kryeipeshkëv i Newark, në një deklaratë të përbashkët në të cilën përshkruhet vizioni moral i politikës së jashtme të SHBA-së.
Rreziqet e polarizimit dhe të politikave shkatrrimtare
Teksti mbështetet në faktin se, në vitin e ri, "Shtetet e Bashkuara hynë në debatin më të thellë dhe më të nxehtë rreth bazës morale të veprimeve të Amerikës në mbarë botën, që nga fundi i Luftës së Ftohtë". Citon, për shembull, "ngjarjet në Venezuelë, Ukrainë dhe Groenlandë", në të cilat "bëjnë pyetje tejet të rëndësishme rreth përdorimit të forcës ushtarake dhe kuptimit të paqes". Në këtë drejtim, tre kardinalët e SHBA-së theksojnë se "balanca ndërmjet interesit kombëtar dhe së mirës së përbashkët po përcaktohet në terma shumë të polarizuara". Për më tepër, "roli moral i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ballafaqimin me të keqen në botë, e në mbështetjen e së drejtës për jetë e të dinjitetit njerëzor dhe të lirisë fetare është nën shqyrtim", vazhdojnë ata, "dhe ndërtimi i paqes së drejtë e të qëndrueshme, themelore për mirëqenien e njerëzimit, reduktohet në kategori partiake, që inkurajojnë polarizimin dhe politikat shkatërrimtare".
Busulla e ofruar nga Papa Leoni XIV
Në tekst, tre kardinalët e vlerësojnë veprimin ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara në dritën e parimeve të shprehura nga Papa Leoni XIV në fjalimin e 9 janarit të kaluar, drejtuar Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë. Veçanërisht citojnë fragmentin në të cilin Papa Leoni XIV pohon se "dobësia e multilateralizmit është shkak për shqetësim të veçantë në nivel ndërkombëtar" dhe se "diplomacia që promovon dialogun dhe kërkon konsensus ndërmjet të gjitha palëve, po zëvendësohet nga një diplomaci e bazuar tek forca, nga individë ose grupe aleatësh" ngaqë "lufta është rikthyer në plan të parë". "Zelli për luftën po rritet dhe po përhapet" e "paqja kërkohet me armë, si kusht për të pohuar sundimin e dikujt".
Kardinalët e SHBA-së Cupich, McElroy dhe Tobin i konsiderojnë këto fjalë "themel vërtet moral për marrëdhëniet ndërkombëtare" dhe "busull etike të qëndrueshme për përcaktimin e rrugës së politikës së jashtme amerikane në vitet e ardhshme". Në përputhje me fjalët e Papës Prevost, tre kardinalët e SHBA-së theksojnë më pas "nevojën për ndihmë ndërkombëtare që të mbrohen elementët më kryesorë të dinjitetit njerëzor, nën sulm për shkak të lëvizjes së kombeve të pasura e për t’i zvogëluar ose për t’i zhdukur kontributet e tyre në programet e ndihmës humanitare jashtë vendit". E dëshirojnë këtë, sepse, përsërisin, "si barinj dhe qytetarë, e përqafojmë këtë vizion për krijimin e një politike të jashtme vërtet morale për kombin tonë".
Të heqësh dorë nga lufta, si mjet për interesat kombëtare
Prej këndej, edhe thirrja e fundit e tre kardinalëve të SHBA-së: "Duam të ndërtojmë një paqe vërtet të drejtë dhe të qëndrueshme, paqen që e shpalli Krishti në Ungjill. Heqim dorë nga lufta, si mjet për interesat kombëtare dritëshkurtra dhe shpallim se veprimi ushtarak duhet të shikohet vetëm si mjeti i fundit në situata të vështira, jo si mjet normal i politikës kombëtare. Kërkojmë një politikë të jashtme që respekton dhe mbron të drejtën për jetën njerëzore, lirinë fetare dhe lartimin e dinjitetit njerëzor në mbarë botën, veçanërisht përmes ndihmës ekonomike.
Deri më sot, përfundojnë, "debati i kombit tonë mbi themelin moral të politikës amerikane është i stërmunduar nga polarizimi, partishmëria dhe interesat e ngushta ekonomike e sociale". Përkundrazi, "Papa Leoni na siguroi prizmin përmes të cilit mund ta ngremë në një nivel shumë më të lartë". Në muajt e ardhshëm do të predikojmë, do të mësojmë dhe do të përpiqemi që ky nivel i lartë të bëhet i mundshëm".
Tre kardinalët nënshkrues të deklaratës
Deklarata u nënshkrua nga Kardinali Cupich, kreu i Kryedioqezës së Çikagos, një nga më të mëdhatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me afërsisht dy milionë katolikë dhe një rrjet të gjerë famullish, shkollash dhe shërbimesh sociale; Kardinali McElroy, kreu i Kryedioqezës së Uashingtonit, e cila u shërben mbi 600,000 besimtarëve në kryeqytetin federal dhe Maryland dhe Kardinali Tobin, Kryeipeshkëv i Newark, përgjegjës i një bashkësie prej afërsisht 1.3 milionë katolikësh në New Jersey-n verior, me famulli, shkolla dhe institucione të shumta arsimore në shërbim të edukimit dhe të shërbimit social.