Kard. Pizzaballa: askush të mos injorojë dëshirën e popujve për jetë dhe drejtësi
R.SH. - Vatikan
Ekziston gjithmonë një vijë e kuqe që autoritetet politike nuk arrijnë ta kalojnë, dhe ajo është vija e vendosur nga dëshira e popullsive "për të jetuar një jetë dinjitoze". Kardinali Pierbattista Pizzaballa, patriarku latin i Jeruzalemit, lexon atë që po ndodh në Iran – manifestimet e qytetarëve të shtypura ashpër – si një shpërthim të nevojës së atyre që kërkojnë paqe, drejtësi dhe dinjitet, në Iran si kudo tjetër, si në Tokën e Shenjtë.
Urimi i kardinalit Pizzaballa është që "të gjenden zgjidhje paqësore, që situata të mos degjenerojë. Sigurisht, megjithatë, askush nuk mund ta injorojë dëshirën për jetë, për drejtësi, e cila është pjesë përbërëse e ndërgjegjes së çdo personi". Kardinali Pizzaballa ndodhet gjatë këtyre orëve në Jordani, në Detin e Vdekur, për një takim dialogu dhe përditësimi që mbledh rreth gjashtëdhjetë meshtarë të Patriarkatit Latin të Jeruzalemit. Në këtë takim, përveç patriarkut, janë të pranishëm edhe tre ipeshkvij: vikari për Jordaninë, Imzot Iyad Twal; ai për Jeruzalemin dhe Palestinën, Imzot William Shomali (i cili është edhe vikar i përgjithshëm); dhe ai për Izraelin, Imzot Rafic Nahra.
Pasojat e konfliktit
“Një dioqezë e ndërlikuar ajo e Patriarkatit Latin të Jeruzalemit – e përshkruan kardinali Pizzaballa – që mbulon katër kombe të ndryshme, të gjitha të prekura nga konflikti në vijim, i cili megjithatë ndikon në mënyra të ndryshme nga njëra zonë te tjetra”. Mbarë Lindja e Mesme është goditur rëndë nga lufta, si nga pikëpamja emocionale, ashtu edhe nga ajo rreptësisht praktike. Dhe nëse pasojat, duke parë Jordaninë, janë shfaqur kryesisht nga pikëpamja e “paralizës në jetën tregtare, duke ndikuar në aktivitetet ekonomike dhe në lëvizjet, në Gazë shkatërrimi është total dhe në Bregun Perëndimor situata po përkeqësohet vazhdimisht”. Po ashtu edhe në Izrael, në Galile, po shfaqet një shkëputje gjithnjë e më e madhe mes shumicës hebraike dhe pakicës arabe, me problemin e kriminalitetit; më shumë se çdo gjë bëhet fjalë për një problem relacional, më pak ekonomik”. Pa llogaritur kufijtë e mbyllur dhe mungesën e lejeve që pengojnë lëvizjet e palestinezëve, duke ndikuar “jashtëzakonisht shumë në jetën e komunitetit”.
Shkatërrimi i Gazës
Në këta tre muaj, që kur ka nisur armëpushimi, etapa e parë e procesit të paqtimit të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, situata humanitare në Gazë nuk ka ndryshuar shumë. “Nuk ka më luftë të hapur frontale – nënvizon patriarku Pizzaballa – por ka ende bombardime të shënjestruara”. Ka më shumë ushqim se më parë, por mungojnë ilaçet. Njerëzit po vdesin nga i ftohti, por po vdesin edhe nga mungesa e asistencës mjekësore, sepse nuk ka antibiotikë, nuk ka mjekime bazë. Me pak fjalë, për popullsinë perspektivat mbeten shumë, shumë të pasigurta”. Së shpejti pritet shpallja e “board of peace” (bordit të paqes), një organizëm ndërkombëtar i udhëhequr nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili do të mbikëqyrë qeverinë e teknokratëve që pritet të marrë drejtimin e Gazës: “Do të jetë shumë e vështirë të kuptohet se çfarë do të mund të bëjë ky bord i paqes, si do të funksionojë dhe si do të ndryshojnë gjërat”. Gjithçka është ende shumë e pasigurt, ka shumë për të bërë; ajo që mbetet e qartë është se situata mbetet një shkatërrim total”.
Shtegtarët të kthehen në Tokën e Shenjtë
Apeli u drejtohet shtegtarëve, që të kthehen në mbarë Tokën e Shenjtë, përfshirë Jordaninë, pjesën e dioqezës "më të qetë, më aktive dhe më të gjallë", ku katolikët përfaqësojnë pjesën më të madhe të Patriarkanës Latine të Jeruzalemit dhe ku besimtarët, sidomos të rinjtë, shfaqin "një ndjenjë përkatësie jo vetëm ndaj Jordanisë, por edhe ndaj komunitetit të krishterë, shumë të bukur, shumë të fortë dhe me shumë vullnetarizëm, gjë që në Lindjen e Mesme nuk është aq e përhapur".
Kardinali Pizzaballa përfundon duke kërkuar organizimin e shtegtimeve, "pasi janë absolutisht të sigurta", në Tokën e Shenjtë e cila "është një Ungjill i pestë – thotë patriarku – një lloj sakramenti i tetë, sepse të lejon të përjetosh përvojën e takimit me Jezusin, fizikisht, duke e prekur me dorë. Kushdo mund të jetë krejtësisht i krishterë pa shkuar në Tokën e Shenjtë, por nëse shkon, feja e krishterë bëhet më e fortë dhe më konkrete". Prandaj, inkurajimi për të gjithë besimtarët është që të jetojnë në Tokën e Shenjtë "këtë përvojë të mrekullueshme të takimit me Jezu Krishtin dhe me natyrën e Tij njerëzore".
Koncistori i jashtëzakonshëm
Sa i përket koncistorit, në të cilin Patriarku sapo mori pjesë, kard. Pizzaballa tregon rëndësinë e tij si "i pari pas një kohe të gjatë", që u zhvillua në një atmosferë shumë pozitive me qëllim nisjen e një dialogu, njohjen e ndërsjellë dhe përcaktimin më të mirë të "disa metodologjive të punës së bashku".