Spitali Caritas Baby në Betlehem dhe takimi me komunitetin e krishterë në Bazilikën e Lindjes Spitali Caritas Baby në Betlehem dhe takimi me komunitetin e krishterë në Bazilikën e Lindjes

Në Betlehem, kthimi i shtegtarëve është drita e shpresës

Komuniteti i krishterë në Betlehem lulëzon nga turizmi fetar, i cili po përpiqet të rimëkëmbet pas pandemisë dhe luftës në Gaza. Vështirësia e udhëtimit për në Izrael dhe brenda vetë Bregut Perëndimor ka thelluar papunësinë. Pranimet në spitalin pediatrik kanë rënë ndjeshëm. Drejtori i komunikimit: "Lufta i ka prekur të gjithë."

R.SH. / Vatikan

"Betlehemi nuk jemi vetëm ne. Edhe ju jeni pjesë e tij". Këtë u tha shtegtarëve të ardhur në Tokën Shenjte nga Vepra Romake e  Shtegtimeve, një nga shitësit historikë të suvenireve të bashkësisë së krishterë të qytetit ku lindi Jezusi, duke i mirëpritur ata, së bashku me besimtarë të tjerë, si dhe françeskanët e Kujdestarisë së Tokës në kuvendin ngjitur me Bazilikën e Lindjes së Krishtit. Dyqani i tij ofron punësim për 25 familje që prodhojnë artikuj artizanalë. Në një vend ku turizmi fetar është burimi kryesor i të ardhurave, rënia e mbërritjeve për shkak të pandemisë, e më pas të luftës në Gaza, kërcënon të minojë vetë mbijetesën e bashkësisë të krishterë të Betlehemit, me rreth 25% të një popullsie prej afërsisht 30.000 banorësh.

Shenjat e para të shpresës

"Kjo vizitë nga ORP na inkurajon" - thotë Atë françeskan Raffaele Tayem, famullitar i Betlehemit. "Po jetojmë me ndihmë nga jashtë, nga Patriarkana e Jerusalemit dhe Kujdestaria, por nuk e dimë se sa do të zgjasë", shpjegon ai. Festa e madhe e Krishtlindjes, që këtë vit u kremtua pas një pezullimi dyvjeçar, ishte shenja e parë e shpresës. Shpresojmë se shtegtimet do të nisin si zakonisht dy muajt e ardhshëm. "Por nuk mjafton të shikosh vetëm Bazilikën; duhet të njihesh edhe me njerëzit e me qytetin", kërkojnë qytetarët e Betlehemit.

Pasojat e luftës mbi shpërnguljet

Betlehemi, ashtu si qytete të tjera në Territoret Palestineze të Bregut Perëndimor, rrezikon të shndërrohet gjithnjë e më shumë në burg. Që nga 7 tetori, u shumëfishuan pikat izraelite të kontrollit, duke izoluar gjithnjë e më shumë herë një qytet e herë një tjetër. Për të shkuar nga Betlehemi - në Ramallah më parë duheshin rreth dyzet minuta. Tani duhen më shumë se dy orë, duke i çkurajuar njerëzit të largohen nga shtëpitë e tyre. Vështirësia e hyrjes në Jerusalem për arsye pune, për shkak të kufizimeve ose orareve shumë të rrepta të hyrjes dhe daljes, ka pasur efekte shkatërruese në punësim. "Jemi të rrethuar nga të katër anët. Të mbyllur këtu. Disa kanë marrë leje, por jo të gjithë e kanë pasur këtë privilegj", thotë Nicole, punonjëse 25-vjeçare e Ministrisë Palestineze të Turizmit, e cila paguhet plotësisht.

Spitali Caritas Baby ka 10.000 pacientë më pak

Vështirësia e lëvizjes ka pasur pasoja edhe në kujdesin shëndetësor. Spitali Caritas Baby në Bethlehem është i vetmi krejtësisht pediatrik në Bregun Perëndimor, e edhe i vetmi që ofron kujdes për familjet e të sëmurëve. Pas 7 tetorit, 10.000 pacientë humbën jetën vetëm në vitin e parë. Pacientë që nuk mundën të shkonin në spital ose që vdiqën vetëm sepse nuk mund të arriheshin nga të afërmit. "Të gjithë u prekën nga lufta", thekson Shireeen Khamis, përgjegjsja e komunikimit të spitalit. Ajo që ndodhi në Gaza, po ndodh më ngadalë e më në heshtje në Bregun Perëndimor, me sulme të përditshme në veri, pohon, duke shpjeguar se kjo është koha më e keqe që nga viti 1967, vit i luftës së gjashtë ditëve. "Disa ditë më parë, një dron fluturoi mbi Bethlehem për dy orë dhe na u desh të ndihmonim disa fëmijë për shkak të tronditjes”, thekson ajo. "Nuk guxojmë të mendojmë për pasojat që mund të kenë fëmijët e Gazës pas dy vite bombardimesh".

12 janar 2026, 16:50