Toka e Shenjtë Toka e Shenjtë

Në Tokën e Shenjtë, historia nuk mund të fshihet, as e ardhmja nuk mund të fshihet

Në një tokë të bekuar, rrjedha e ngjarjeve, kryesisht të këqia, nëse interpretohet me fé të gjallë, mund të çojë edhe te shpresa e "paarmatosur". Dhimbja e shkaktuar nga konflikti dhe dhuna, e ardhmja që të rinjtë dhe fëmijët nuk shohin, vuajtja e një njerëzimi të plagosur, kërkojnë të vërtetën e paqes, jo dorëzimin ndaj padrejtësisë dhe dëshpërimit. Kështu shprehet Atë Ibrahim Faltas, françeskan, drejtor i shkollave të Kujdestarisë në Tokën e Shenjtë.

R.Sh. Vatikan

Është e vështirë dhe e pamundur të fshihet e kaluara. Ajo është pjesë jona, është historia që hyn në jetën tonë dhe ndërton të tashmen për të përmirësuar të ardhmen.

Ky mendim më ka shoqëruar gjithmonë – thotë në një reflektim të mprehtë Atë Ibrahim Faltas, drejtor i shkollave të Kujdestarisë në Tokën e Shenjtë – dhe ka qenë kryesor në tridhjetë e shtatë vitet e mia të jetës në Tokën e Shenjtë. Ngjarjet, ndonjëherë pozitive dhe shumë shpesh negative, që kanë ndodhur në këtë tokë të bekuar, po qe se interpretohen me sytë e besimit në Zotin, mund të çojnë në ndërtimin e një shprese të paarmatosur që nuk zhgënjen. Citimi i mësimeve të dy Papëve na ndihmon dhe na jep zemër të kërkojmë rrugën e shpresës kur ajo mungon përballë realitetit të një jete mjaft të veçantë dhe të ndërlikuar.

Fatkeqësisht, historia këto dhjetëvjeçarët e fundit – veçanërisht në Lindjen e Mesme – nuk na ka dëshmuar zhvillime pozitive pas mbarimit të luftrave. Në të vërtetë, e ardhmja nuk u jep shpresë zemrave rinore.

Si meshtar, si famullitar, si edukator dhe si mik, kam qenë pranë shumë njerëzve të kësaj Toke në situata të dhimbshme të jetës së secilit. Kam ndarë me ta çaste tragjike dhe tronditëse, që janë bërë gjithashtu pjesë e jetës sime dhe e udhëtimit tim personal, shpirtëror dhe njerëzor.

Është e pamundur të mësohesh me dhimbjen e vdekjes së një fëmije ose të një të riu; është e pamundur të gjesh ngushëllim kur mendon se vdekjet e të rinjve do të kishin mundur të shmangeshin. I kam para syve, në zemrën dhe mendjen time, fëmijët e vrarë gjoja "rastësisht" nga plumbat qorr. Kujtoj fëmijët e shpëtuar që mjekoheshin në kohë dhe shumë të tjerë që vdiqën sepse, së bashku me kohën, mungonin mjetet financiare për t'u kujdesur për ta. Dhimbje që nuk mund të harrohen sepse janë të panatyrshme për rrjedhën e jetës dhe shtohen në vuajtjet e tjera të zakonshme për ata që jetojnë në Tokën e Shenjtë.

"Sot është më keq se dje, dhe nesër nuk do të jetë më mirë se sot". Kjo është një fjalë që e dëgjoj gjithnjë e më shpesh nga të rriturit që i ka lëshuar zemra e që kanë përballuar vuajtje dhe vështirësi për një kohë shumë të gjatë. Unë i kuptoj mirë këto mendime, po nuk mund të lejojmë të na tundojë mungesa e besimit dhe e dëshpërimit. Këto janë fjalë të justifikueshme në vendin ku lindin dhe janë të pakuptueshme vetëm nëse dikush nuk e kupton thellësisht atë gjendje dhe nuk merr pjesë në vuajtjet e një popullate të plagosur dhe të dëshpëruar. Është veçanërisht pikëlluese kur këto fjalë thuhen nga fëmijët dhe të rinjtë, sepse të rinjtë projektohen drejt së ardhmes, kuptohet, drejt mundësisë për të parë një perspektivë të ndryshme nga ajo që ua errëson jetën çdo ditë.

Dyert, që ata do të donin, dhe, duhet të hapen që të rriten, për të vendosur si t'i përdorin talentet e tyre, për të luajtur së bashku në rrugë, të lirë dhe në mjedise të sigurta, po mbyllen për fëmijët dhe të rinjtë e kësaj toke. Shpresa përforcon nevojën për të jetuar në paqe, dhe është një shpresë që nuk zhgënjen nëse kemi të bëjmë me të rritur që kanë ndjenjën e përgjegjësisë, që janë gjithmonë të pranishëm, që japin shembull dhe janë të gatshëm për ndihmë.

Një përgjegjësi e tillë nuk është regjistruar në librat e historisë sonë të fundit, sepse ata që qeverisnin dje dhe ata që qeverisin sot nuk kanë kërkuar dhe nuk synojnë paqe të qëndrueshme, por përqendrohen në interesa të menjëhershme dhe të ardhshme, si personale ashtu edhe ekonomike. Ajo që po kërkohet nuk është bashkimi midis popujve, por fuqia që përçan me armët e dhunës dhe urrejtjes.

Le t'i përqafojmë ata që vuajnë, le të grumbullojmë forcat tona të përbashkëta që të vijojmë të kërkojmë të vërtetën e paqes pa u ndalur, që të mos mësohemi me padrejtësinë dhe të mos i dorëzohemi dëshpërimit.

E nesërmja duhet të jetë më e mirë se sot, sepse historia nuk mund ta fshijë të ardhmen.

29 janar 2026, 19:12