Pagëzimi Jezusit në lumin Jordan Pagëzimi Jezusit në lumin Jordan

Pagëzimi i Jezusit - Sekreti i vërtetë i ekzistencës

«Unë gëzohem për ty, ti je fort i shtrenjtë për mua!» Pagëzimi i Jezusit, të cilin po e kujtojmë dhe kremtojmë, është shprehje e logjikës së përvujtërisë e të solidaritetit: është gjesti i Atij, që dëshiron të bëhet në gjithçka, një nga ne dhe që prandaj, vihet në radhë me mëkatarët. Jezus, që është pa kurrfarë mëkati, e lë veten të trajtohet si mëkatar, për të mbartur mbi vete fajin e mbarë njerëzimit.

R.SH. / Vatikan

Pagëzimi i Jezusit është një ngjarje e veçantë, të cilën, liturgjia na paraqet pas festës së Epifanisë. Në Pagëzimin e Tij, në lumin Jordan, Jezusi e përuron jetën publike, e nis misionin e shpëtimit për mbarë njerëzimin.

Nga Ungjilli sipas Mateut (Mt 3,13-17)

Atëherë erdhi Jezusi prej Galilesë në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij. Gjoni donte t’i kundërshtonte e i thoshte: «Mua më duhet të pagëzohem prej teje, e ti  po vjen tek unë?» por Jezusi i përgjigji: «Lëre tani! Sepse kështu na ka hije të kryejmë çdo gjë që përkon me vullnetin e Hyjit.» Atëherë e lejoi.

Fill pas pagëzimit, Jezusi doli nga uji. Dhe, ja! Iu hapën qiejt dhe e pa Shpirtin e Hyjit duke zbritur porsi pëllumb e duke ardhur mbi të. Dhe, ja, një zë që vinte nga qielli, tha: «Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër».

Gjatë Krishtlindjes kremtuam të shfaqurit ose, epifaninë e Shëlbuesit Jezus të varfërve. Ditën e Dëftimit të Zotit kremtuam të shfaqurit e Krishtit Zot atyre që nuk janë hebrenj. Sot, me pagëzimin e Jezusit, kremtojmë të shfaqurit e tij mbarë Izraelit, duke mbyllur kështu edhe periudhën e epifanive të Mishërimit të Hyjit.

Një heshtje e gjatë mbizotëron që nga fëmijëria e Jezusit deri në këtë çast. Ku e kaloi Jezusi rininë e tij? Ku mësoi të lexonte Shkrimet e Shenjta? Ku e arriti moshën e pjekurisë, rreth tridhjetë vjeç (krh Luka 3,23)? Ungjijtë nuk na japin përgjigje. Mund të themi vetëm se, në vitet menjëherë para pagëzimit të tij, Jezusi ishte dishepull i Gjon Pagëzuesit në shkretëtirën e Judesë, siç dëshmon vetë Gjoni në predikimin e tij mesianik: «Ai që vjen pas meje (gr. opíso mou), ai që më ndjek është më i fuqishëm se unë» (Mt 3,11; Mk 1,7).

Është në këtë vazhdë që Jezusi i kërkon Gjonit, rabinit të tij, të pagëzohet në ujërat e Jordanit, duke e vënë veten në një radhë me mëkatarët që rrëfejnë dëshirën e tyre për konvertim, për një kthim te Hyji. Kjo është skena, dalja e parë publike e Jezusit të rritur. Jezusi është Mesia, i Vajuari i Zotit, ai është Shpëtimtari i Izraelit, ai është Biri i Hyjit që erdhi në botë. Por për herë të parë Ai shfaqet gjithë përvuajtëri, nuk i shpalos tiparet e tij hyjnore. Po, në këtë zhytje të Jezusit në ujë, i cili nuk ka nevojë për pagëzimin për faljen e mëkateve, meqenëse nuk ka mëkat (krh. 2 Korintasve 5,21; Heb. 4,5), ai futet midis mëkatarëve, siç ndodh edhe në vdekjen e tij në kryq midis dy keqbërësve (krh. Mt 27,38; Mk 15,27). Kjo është arsyeja pse themi se Jezusi është «Mesia i kundërt me atë që pritej», sepse ai i bie ndesh çdo imagjinate të njerëzve, çdo logjike që mendonte se ardhja e Hyjit do të karakterizohej nga shkëlqimi, lavdia dhe fuqia.

Megjithatë, Gjoni, i cili vetëm nëpërmjet zbulesës dhe besimit e njeh identitetin e vërtetë të Jezusit, nuk dëshiron ta zhytë Jezusin në ujërat e lumit Jordan. Në fakt, Ungjilli sipas Mateut, na përcjell fjalët e tij: «Unë kam nevojë të pagëzohem prej teje, e megjithatë ti vjen tek unë dhe kërkon të pagëzohesh?» Por pastaj ai i bindet në heshtje fjalëve të Jezusit, i cili i kujton atij bindjen që të dy duhet të tregojnë ndaj misionit që kanë: të dy duhet të «kryejnë çdo gjë që përkon me vullnetin e Hyjit», domethënë të plotësojnë pikëpërpikë vullnetin e Hyjit. Gjoni, profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër dhe profeti i parë i Besëlidhjes së Re, ia lë çdo vendim Jezusit, ia lë gjithçka Jezusit. Ai e di se duhet vetëm të përgatisë gjithçka në mënyrë që vullneti i Hyjit, që tani u shpreh me autoritet nga Jezusi, të përmbushet.

Pastaj Gjoni e zhyt Jezusin në Jordan dhe, kur del nga uji – mbasi ka kaluar këtë çast pashkësh të vdekjes, të mbytjes në ujë, të heqjes dorë nga mëkatet dhe të ringjalljes në një jetë të re, profeci e Pashkëve të Tij, dhe pasi e ka identifikuar veten me njerëzimin mëkatnor – pikërisht, në këtë çast zbret mbi të fjala përfundimtare e Hyjit. Qiejt hapen, domethënë, bota qiellore komunikon me botën tokësore, Hyji me tokën. Shpirti Shenjt zbret si një pëllumb, butë-butë, mbi të, dhe dëgjohet një zë që thotë: «Ky është Biri im i dashur të cilin e kam për zemër».

Kjo teofani është kuptimplote. Ashtu sikurse Shpirti i Hyjit flatëronte mbi ujërat e para, në zanafillë të krijimit (Shih: Zan 1,2), kështu Shpirti zbret mbi ujërat e Jordanit, duke përuruar krijesën e re tek Adami i ri, Jezu Krishtin. Dhe fjala e Hyjit na zbulon se Jezusi është vetë Biri i Zotit, Bir i vetëm dhe më i dashuri, një Bir për të cilin Zoti, duke parë mënyrën e sjelljes së tij dhe veprimet që kryen, siç është pagëzimi, dëshmon: «Unë gëzohem për ty, ti je fort i shtrenjtë për mua, unë jam i kënaqur me ty, për mënyrën se si jeton dhe vepron, në përputhje të plotë me vullnetin tim».

Këto fjalë të Zotit në fillim të çdo ungjilli sinoptik (Mk 1,11; Lk 3,22) i drejtohen edhe secilit prej nesh. Po, Zoti më thotë se unë jam biri i tij, se unë jam më i dashuri për të. Secili prej nesh duhet të shpresojë që Zoti të na thotë: «Unë jam i kënaqur me ty, unë gëzohem për ty!» Por ndoshta, duke e ditur rebelimin tonë kundër Zotit, mëkatet tona, ngurrojmë të besojmë se kjo gjë është e mundur. Ne ngurrojmë, megjithatë duhet të jemi të bindur: këto janë fjalët që Zoti do të donte të na thoshte dhe që ai do të na i thotë nëse shpresojmë tek ai, jo tek vetja jonë, por te mëshira e tij, jo te shfajsimet tona.

11 janar 2026, 09:41