Gjermania, Rruga Sinodale në fazën e saj të fundit midis vlerësimeve dhe perspektivave Gjermania, Rruga Sinodale në fazën e saj të fundit midis vlerësimeve dhe perspektivave

Procesi i sinodit gjerman në hapat e fundit: Vlerësime dhe perspektiva

Po mbahet në Shtutgart seanca e gjashtë dhe e fundit e asamblesë sinodale, pjesë e procesit të reformës në Kishën Gjermane të filluar në vitin 2019. Punimet mbyllen nesër, dhe dy ditët në vijim do të përqendrohen te zbatimi i rezolutave të miratuara tashmë; te marrëdhëniet me Kurien Romake; te çështja për një "Komitet Sinodal" që ka ngjallur diskutime dhe, në fund, te plaga e abuzimit.

R.Sh. Vatikan

Përfundimet nuk qenë të njëzëshme në lidhje me çështjen e abuzimit, posaçërisht, përsa i përket parandalimit dhe pritjes së viktimave. Pati gjithashtu reflektime mbi forcimin e dialogut midis ipeshkvijve dhe laikëve dhe mbi mënyrën e zbatimit të rezolutave ekzistuese, mbi rolin e grave dhe menaxhimin e diversitetit në dioqezat e ndryshme. Pati një vlerësim mjaft pozitiv të marrëdhënieve me Kurien Romake, ku, nga njëra anë, kryetari i Konferencës së Ipeshkvijve Gjermanë, që shpejt do ta lërë detyrën, Georg Bätzing, flet për biseda "plot respekt, me besim dhe të orientuara drejt qëllimit të përbashkët", biseda këto të zhvilluara gjatë pesë takimeve në Vatikan viteve të fundit. Por, nga ana tjetër, përfaqësuesit laikë flasin për pengesa në komunikim. Në Shtutgart vijon punimet seanca e fundit e Asamblesë Sinodale, e gjashta dhe e fundit e Rrugës Sinodale mbi të ardhmen e Kishës Katolike në Gjermani, në të cilën marrin pjesë 177 laikë dhe të shuguruar, përfshirë anëtarë të Sinodit (rreth 230 gjithsej), konsulentë, vëzhgues dhe të ftuar.

Kjo është pjesa e fundit e një "faze", por – siç deklaroi sekretarja e Përgjithshme e DBK-së, Beate Gilles, në një konferencë për shtyp këtë pasdite, në ditën e dytë të punës – kjo nuk shënon fundin e procesit të reformës që Kisha Gjermane (jo si një e tërë) nisi në vitin 2019 me Komitetin Qendror të Katolikëve Gjermanë (Zentralkomitee der deutschen Katholiken - ZDK), të udhëhequr nga kryetarja Irme Stetter-Karp.

Shqetësimet e ngritura

Ky projekt, ndërsa është në zhvillim e sipër, ka ngritur shqetësime jo vetëm nga ana e Selisë së Shenjtë, por edhe brenda vetë episkopatit gjerman dhe disa delegatëve. Në këtë drejtim, ia vlen të kujtojmë letrën e katër grave, teologe dhe filozofe, drejtuar Papa Françeskut në vitin 2023. Ato njoftuan vendimin e tyre për të braktisur Sinodin sepse ishin të shqetësuara nga disa zhvillime. Ndër to ishte kryesisht ideja e krijimit të një Komiteti Sinodal "që synonte përgatitjen e futjes së një këshilli të përbashkët drejtues dhe vendimmarrës" të ipeshkvijve dhe laikëve për të diskutuar çështje të tilla si shugurimi i grave, morali seksual dhe jeta meshtarake. Një organ i tillë, pati shkruar Papa Françesku, në këtë formë të propozuar mund të rrezikonte vetë "strukturën sakramentale të Kishës Katolike".

Në shkurt të vitit 2024, Selia e Shenjtë madje ndërhyri me një letër duke i kërkuar Konferencës Ipeshkvnore gjermane të shlyente votimin për statutet e këshillit, të planifikuar për në Augsburg në atë kohë, dhe ta shtynte atë deri pas diskutimeve të planifikuara në Romë midis përfaqësuesve të Vatikanit dhe Konferencës së Ipeshkvijve Gjermanë. Kjo letër u nënshkrua jo vetëm nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kard. Pietro Parolin, por edhe nga kardinali Victor Manuel Fernández, Prefekt i Dikasterit për Doktrinën e Besimit, dhe nga Prefekti i atëhershëm i Dikasterit për Ipeshkvijtë, kardinali Robert Francis Prevost, tani Leoni XIV. Si Papë, Ati i Shenjtë Prevost shprehu qartë pikëpamjet e tij mbi Rrugën Sinodale Gjermane, gjatë kthimit në avion nga Libani. Papa nuk i fshehu dyshimet e tij nëse Rruga Sinodale pasqyron vërtet "shpresat" e të gjithë katolikëve në Gjermani ose "mënyrën e tyre të përjetimit të Kishës". Në të njëjtën kohë, ai deklaroi se nëse "sinodaliteti jetohet në një mënyrë në një vend dhe jetohet ndryshe në një tjetër, kjo nuk do të thotë se duhet të ketë një këputje ose thyerje". Sigurisht, shtoi Papa Leoni, "dialogu dhe dëgjimi i të tjerëve brenda vetë Gjermanisë është i nevojshëm, në mënyrë që asnjë zë të mos përjashtohet".

"Komiteti Sinodal" dhe marrëdhëniet me Romën

Tema e "Komitetit Sinodal" doli në pah edhe gjatë punës së fundit në Shtutgart, me ipeshkvin Franz-Josef Overbeck të Essenit –  një nga pjesëmarrësit në Sinodin e dyfishtë mbi sinodalitetin në Vatikan – i cili shprehu "besimin" e tij se statutet mund të miratohen së shpejti në Romë. Overbeck njoftoi gjithashtu se do të vijë në Romë së shpejti për diskutime përfundimtare me Kurien. Imzot Bätzing përmendi gjithashtu marrëdhëniet me Kurien Romake në fjalën e tij të hapjes, duke përmendur përpjekjet për të zhvilluar procesin e dialogut në mënyrë konstruktive. Kryetari i episkopatit tha se kishte folur edhe me kardinalin Parolin rreth nevojës për respekt të ndërsjellë midis «Rrugës Sinodale» dhe Romës.

Në të njëjtën linjë, Gilles, sekretari i përgjithshëm i DBK-së, theksoi në një konferencë për shtyp se qasja gjermane dhe rruga e sinodit e promovuar nga Papa Françesku nuk janë aspak kontradiktore.

31 janar 2026, 09:47