Në foto: mozaik me Shën Injacin. Në foto: mozaik me Shën Injacin.

Shtigjeve të Shën Injacit: shtegtimet tani mund të organizohen në internet

Të shtunën, më 17 janar, një aktivitet në internet do të ndihmojë besimtarët të planifikojnë vizita në pika kryesore të Romës ku pat kaluar Shën Injaci, themeluesi i urdhërit të etërve jezuitë.

R.Sh. Vatikan

Gjatë një beteje, këmbët e një ushtari spanjoll u copëtuan nga gjylja e një topi francez. Pas tri operacionesh dhe disa javësh agonie, ai mësoi ta kërkonte shërimin e tij te jeta frymëzuese e Jezusit dhe e shenjtërve. Pak nga pak, ushtari u bë shtegtar. Ndonëse duke çaluar, ngaqë nuk ishte shëruar plotësisht, hapat do ta çonin në gjurmët e Jezusit dhe të atyre që vdiqën për të. Vendet ku ata jetuan do t'i tregonin këtij invalidi lufte si t'u përngjante këtyre shembujve. Një gomar e barti në kurriz ushtarin nëpër Spanjë, nga Loyola në Montserrat, ku i dorëzoi armët te këmbët e Virgjërës Mari. Aty çveshi rrobat e veta, u vesh me një thes dhe u nis në këmbë për një shtegtim 15-vjeçar nëpër Evropën Perëndimore dhe në Tokën e Shenjtë.

Kudo lypte dhe mbronte të varfrit, ndihmonte shpirtrat përmes ushtrimeve shpirtërore, por kishte nevojë për miratimin e Papës Palit III për shoqërinë e tij të meshtarëve rregulltarë. Kur mbërriti në La Storta, një zonë kusarësh, që ishte ndalesa e tij e fundit afër Romës, në nëntor 1537, ky qytet e frikësoi me pushtetin, rivalitetin dhe korrupsionin e tij. Prandaj iu lut Zojës së Bekuar që ta afronte me të birin. Atëherë, iu duk se dëgjoi Hyjin duke i thënë të Birit: «Dua që ta marrësh këtë njeri si shërbestarin tënd», e pastaj Krishtin që i tha: «Dua që të na shërbesh». Në zemrën e tij, ushtari i dikurshëm ndjeu prekjen e Zotit, i cili e siguroi: «Do të të qëndroj përkrah në Romë». Ky ushtar çalaman ishte Shën Injaci i Lojolës.

Në Qytetin e Amshuar, Romë, mori fund edhe shtegtimi i tij i gjatë. Vendi i mbërritjes për të ishte Roma, qyteti me dendësinë më të lartë të martirëve të krishterë, vendi ku ai jetoi më gjatë dhe nga i cili nuk do të largohej më kurrë.

«Itineraret e Shën Injacit» synojnë të eksplorojnë gjurmët e lëna nga ky shenjt gjatë 19 viteve të tij në Romë, duke u përshkuar nga një frymë meditimi, lutjeje dhe zhytjeje të thellë në heshtje. Bëhet fjalë për një shtegtim njëditor që na fton të zbulojmë vendet dhe shtigjet e tjera më të rëndësishme ku pati kaluar themeluesi i etërve jezuitë. Ky shtegtim dhe të tjerë që shkojnë deri në tre ditë ecje, me 37 ndalesa, me 20 pllaka bronzi QR në formën e tullave të lashta romake nëpërmjet të cilave bashkohet e lashta me të tashme, me tekste dixhitale të lexueshme nga telefonat modernë, e bëjnë këtë shtegtim mjaft të pëlqyeshëm. Kjo është vetëm një nga shumë mënyrat për të zbuluar Romën e Shën Injacit. Në këtë shtegtim përfshihet faqja e internetit, udhëzuesi i librit elektronik, harta ndërvepruese dhe podkastet. Nuk mungon gjithashtu as përmbajtja multimediale që mund të shkarkohet.

Të gjitha sa thamë do të paraqiten në aktivitetin online me titullin «Si të organizoni një shtegtim kushtuar Shën Injacit në Romë», të shtunën, më 17 janar 2026, nga ora 15:00 deri në 17:00.

Në ndalesat më të rëndësishme bën pjesë edhe lutja dhe disa sugjerime për meditim. Udhërrëfyesit e Romës, ndonjëherë pyesin  veten: «si mund t'i sjellim në jetë këto vende, kaq të pasura për historinë, kulturën, artin dhe jetën shpirtërore? Si mund të bëhen këto hapësira, mbushur me kushtin e varfërisë, dlirësisë dhe bindjes, të flasin në një botë që ende shumë shpesh i njëson etërit jezuitë me kamjen e mbetur pas vdekjes së arkitekturës baroke të kishave dhe kolegjeve të Romës?

«Ne duhet të ringjallim», thotë Atë Arturo Sosa Abascal, eprori i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, «banesat e përvuajtura të Injacit, sheshet dhe Kishat ku predikoi, burgjet dhe spitalet që vizitoi dhe veprat bamirëse që themeloi».

Në gjendjen e sotme ekonomike, shoqërore dhe kulturore, përvoja jonë na tregon se bëhet gjithnjë e më ngutshme të transmetojmë dhe të ndajmë urtësinë e frytshme të përulësisë në kërkimin e Zotit në të gjitha gjërat, dhe kjo gjë përbën themelin e shtegtimit të Shën Injacit. Vetëm në këtë mënyrë itinerari do të jetë në gjendje të shërbejë dhe të ftojë gjithkënd, që ta themi me fjalët e Atë Arturo Sosa-s, «ne, lexuesit dhe shtegtarët, të shijojmë përshpirtërinë e lidhur me këto vende dhe, duke ecur nëpër gjurmët e Injacit, të dëshirojmë të bëhemi vetë shtegtarë të shpresës».

16 janar 2026, 09:07