Logoja e Ditës Botërore të të Sëmurëve 2026 Logoja e Ditës Botërore të të Sëmurëve 2026

Chiclayo, programi për Ditën Botërore të të Sëmurëve 2026

Dioqeza peruane e Chiclayos do të presë ngjarjet kishtare të Ditës XXXIV Botërore të të Sëmurëve nga 9 deri më 11 shkurt 2026, me temë: "Mëshira e Samaritanit: Të duash duke duruar dhimbjen e tjetrit", udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i Papës, Kardinali Michael Czerny. Programi përfshin vizita në tre spitale, në Universitetin Katolik, në seminarin mbi kujdesin paliativ në Amerikën Latine dhe në Meshën, më 11 shkurt, në Shenjtëroren e Nuestra Seňora de la Paz.

R.SH. / Vatikan

Dita e 34-të Botërore e të Sëmurëve 2026, titulluar "Mëshira e Samaritanit: Të duash duke duruar dhimbjen e tjetrit", është përplot me ngjarje. Do të kremtohet solemnisht në Dioqezën e Chiclayo, Peru, nga 9 deri më 11 shkurt 2026. Me këtë rast, Papa Leoni XIV emëroi të dërguarin e tij të posaçëm, Kardinalin Michael Czerny, Prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor.  Do të marrin pjesë Nunci Apostolik në Peru, Kryeipeshkvi Imzot Paolo Rocco Gualtieri, ipeshkvij dhe delegatë të ministrisë së shëndetësisë nga 22 Konferencat Ipeshkvnore të Amerikës Latine dhe të Karaibeve, një delegacion nga Dikasteri i Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor dhe përfaqësues të 46 juridiksioneve kishtare të Perusë.

Pas vizitës në tre spitale, takimi në Universitetin Katolik

Më 9 shkurt, delegacioni i Vatikanit, i udhëhequr nga Kardinali Czerny, do të vizitojë tre spitale: shërbimin e mjekësisë së brendshme në Spitalin Las Mercedes; Njësinë e kujdesit paliativ dhe emergjent në Spitalin Almanzor Asenjo dhe Njësinë e mjekësisë së brendshme dhe emergjente në Spitalin Belén. Më pas, Kardinali Czerny do të marrë pjesë në një takim në Universitetin Katolik Santo Toribio (USAT) së bashku me ipeshkvijtë dhe delegatët e ministrisë së shëndetësisë nga Konferencat Episkopale të Amerikës Latine dhe Karaibeve.

Seminar mbi mjekimet paliative e përshpirtërinë

Më 10 shkurt do të mbahet një seminar akademik-teologjik-pastoral me titull "Dhemshuria e samaritanit, përparimet në mjekimet paliative në Amerikën Latine dhe përshpirtëria e kujdesi ndaj pacientit". Në simpoziumin e studimit dhe të reflektimit, që do të mbahet në teatrin e Colegio Santo Toribio de Mogrovejo, do të flasin Dr. Luis Solari de la Fuente, Dr. Luz María Loo Palomino de Li dhe Fra. Alejandro Álvarez Gallegos, teolog baritor i Amerikës Latine, ndërmjet tjerëve.

Mesha, më 11 shkurt

Më 11 shkurt, në Shenjtëroren e Zojës së Paqes, në orën 9:00 (ora lokale), do të kremtohet Mesha e kryesuar nga Kardinali Michael Czerny, i shoqëruar nga Nunci Apostolik në Peru, Kryeipeshkvi Paolo Rocco Gualtieri, Ipeshkëv i Çiklajos, Kryeipeshkvi Edinson Farfán, Sekretar i Përgjithshëm i CELAM, Kryeipeshkvi Lizardo Estrada, dhe ipeshkvijtë e delegatët e Konferencës Ipeshkvnore të Perusë dhe vendeve të ftuara. Në Meshën Shenjte do të marrin pjesë, së bashku me njerëz të sëmurë, të cilët do të jenë në gjendje të marrin Sakramentin e Vajimit të të Sëmurëve, edhe Përfaqësues të institucioneve të kujdesit shëndetësor e të kongregacioneve fetare

Ipeshkvi i Çiklajos: gjeste konkrete afërsie

Ipeshkvi i Çiklajos, Imzot Edinson Farfán Córdova, deklaroi se "dashuria kërkon gjeste konkrete afërsie, të cilat marrin përsipër vuajtjet e të tjerëve, veçanërisht atë të njerëzve që jetojnë me sëmundje e shpesh në një kontekst të brishtë për shkak të varfërisë, izolimit dhe vetmisë". Ai i ftoi të gjithë të bashkoheshin në lutje në këtë ngjarje kishtare.

07 shkurt 2026, 07:51