Ju jeni kripa e tokës. Ju jeni drita e botës!
R.Sh. Vatikan
Lexim prej Ungjillit të Shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: «Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveç të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.
Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell ».
Për disa të diela rresht, leximi i ungjillit është shkëputur nga "Predikimi në mal" (krhs Mt 5:1-7:29), ku Mateu ungjilltar përdor disa fjalë të Jezusit, fjalë që mund të interpretohen në mënyra të ndryshme.
Shprehjet e para të këtij fjalimi janë «Lumturitë» (krhs Mt 5,1-12), fjalë programatike që japin zemër dhe ngushëllojnë dishepujt dhe këdo që i përjeton këto Lumturi, dhe në këtë mënyrë tregon se Hyji mbretëron mbi ta, se mbretëria e Hyjit ka ardhur ndër ta. Mund të jenë gjithashtu domethënëse për ata që nuk janë dishepuj të Jezusit, për të gjithë njerëzimin. Për të shprehur këtë koncept, Jezusi përdor dy metafora që ende i tërheqin të krishterët sot. I shtyn ata ta shqyrtojnë veten përmes pyetjeve të ndryshme që burojnë nga pyetja thelbësore: si të krishterë, çfarë jemi ne ndër njerëzit e tjerë?
Imazhi i parë është ai i kripës: "Ju jeni kripa e tokës". Pse kripë? Kripa jep aromë, shije; kripa ruan ushqimin dhe nuk e lë të prishet. Kjo është arsyeja pse Jezusi u thotë dishepujve të tij: "Ju mund të jeni shija e jetës, cilësia e jetës dhe fryti i historisë. Nëse jeni dishepujt e mi të vërtetë, duhet të jeni të tillë!" Këto fjalë më bëjnë të skuqem, sepse kjo detyrë është e madhe mund të kryhet vetëm nëpërmjet hirit dhe të kushton mjaft. Megjithatë, të jesh kripë është pjesë e thirrjes së krishterë. Do të thotë të përçosh jetë, të japësh fryt, të jesh një forcë në histori që mbron botën.
Detyra është e madhe po aq sa është i kufizuar të shfaqurit e saj. Kripa, në fakt, është gjë e pakët dhe, kur i shtohet ushqimit, tretet. Ajo kalon tek shija dhe vepron si ruajtëse kundër çdo force shkatërruese. Sigurisht – thotë Jezusi – "nëse kripa nuk ngjelmë më, nëse humbet shijen e saj, është e padobishme dhe mund të hidhet e të shkelet me këmbë nga kushdo". Kur vetia e saj të jetë prishur, ajo nuk bëhet më kripë. Prandaj të krishterët këshillohen me urti se duhet ta ruajnë kripën e tyre, fenë dhe besimin e tyre në Zotin dhe në njerëzit. Atëherë, besimtarët do ta përmbushin thirrjen e tyre. Nëse sillen si të tjerët, nëse pranojnë shprehjen: "të gjithë bëjnë kështu", atëherë bëhen të parëndësishëm. Nuk është pesha apo sasia e kripës që ka rëndësi, por aftësia e saj për të shtuar shije dhe ngjelmje.
Metafora e dytë, në të njëjtën formë si e para, thotë: "Ju jeni drita e botës". Nëse kripa tretet në brumë për të kryer funksionin e saj, drita shfaqet para së gjithash si bartëse e jetës së plotë dhe e shpëtimit. Për këtë arsye, psalmisti thotë se drita e tij ishte Zoti: "Zoti është drita ime dhe shpëtimi im" (Ps 27:1), dhe kjo dritë e Zotit duhej të shkëlqente mbi Jeruzalem, duke e ndriçuar atë derisa të bëhej një dritë dhe të tërhiqte të gjithë popujt (krhs Is 60:1-4).
Jezusi e sheh bashkësinë e tij të vërtetë dhe besnike, si dritën – ose më saktë, si një pasqyrim të dritës së tij, sepse ai është "drita e botës" (Gjn 8:12). Por e mendon atë edhe si një qytet që shihet mirë në mal, jo të strukur në luginë. Kjo dritë, gurra e vetme e së cilës është Jezu Krishti, duhet të shkëlqejë ndër dishepujt e tij dhe njerëzit duhet ta vënë re, ta shqyrtojnë dhe të gëzohen prej saj. Nuk ka asnjë mburrje triumfaliste, asnjë imponim, sepse ne duhet të jemi gjithmonë vigjilentë për të luftuar kundër tundimit që të "zbatojmë drejtësinë para njerëzve që të na shohin" (Mt 6:1).
Nga ana tjetër, nuk ka përpjekje për t’u fshehur, për t’u strukur. Nëse të krishterët e jetojnë Ungjillin, nëse kryejnë veprime në përputhje me Ungjillin dhe e bëjnë këtë sipas mënyrës së Jezusit, duke bërë jo vetëm vepra të mira, por edhe të bukura, atëherë njerëzit do të pyesin veten dhe do ta kuptojnë peshën e Zotit në jetën e të krishterëve, domethënë, ata do t'i japin lavdi Atit që është në qiell. Nëse Krishti është dielli, të krishterët – thotë Shën Pali – mund të jenë "yje që shkëlqejnë në botë" (Fil 2:15).
Por këto dy metafora kërkojnë urti të madhe besimtarësh, që t’i kesh parasysh gjithmonë. Ndonjëherë kisha është një realitet i vogël i pranishëm si pakicë midis jo të krishterëve, pothuajse duke u zhdukur, pothuajse larg syve, megjithatë është aty dhe gjallë. Ka vetëm pak hi mbi prush... Ndonjëherë kisha, qoftë bashkësi e madhe apo e vogël, është e aftë t’i flasë botës dhe të shpallë Krishtin. Është një qytet në faqe të malit, një burim drite që u jep burrave dhe grave urtinë (kripën) dhe kuptimin (dritën) që gjeti në Ungjillin e Zotit Jezu Krisht.