Kisha Theatinerkirche në Mynih  (AFP ose licencuesit) Kisha Theatinerkirche në Mynih (AFP ose licencuesit)

Gjermania, Kisha Katolike përmbyll fazën e parë të Rrugës Sinodale

Të shtunën e kaluar, më 31 janar, në Shtutgart, u përmbyll Asambleja e gjashtë dhe e fundit sinodale e Kishës katolike gjermane. Hapi i radhës do të jetë krijimi i një Konference sinodale: episkopati do të votojë së shpejti statutet, të miratuara tashmë nga Komiteti Qendror i Katolikëve Gjermanë.

R.SH. - Vatikan

Nga Rruga Sinodale drejt themelimit të një Konference si organ kombëtar për sinodalitetin: me Asamblenë e gjashtë dhe të fundit sinodale, e cila u mbyll të shtunën e kaluar, më 31 janar, në Shtutgart, Kisha Katolike në Gjermani përfundoi fazën e saj të parë të analizës së brendshme. Hapi i ardhshëm do të jetë pikërisht krijimi i një Konference sinodale: episkopati do të votojë së shpejti statutet, të miratuara tashmë nga Komiteti Qendror i Katolikëve Gjermanë. Më pas - sipas një komunikate - do të kërkohet njohja (recognitio) nga Roma. Në konsultimet e tyre, ipeshkvij dhe laikë janë marrë me vlerësimin dhe monitorimin e rezolutave të miratuara që nga viti 2021.

Për një botë që ka të ardhme

Në përfundim të punimeve, me shumicë të gjerë u miratua një deklaratë e përbashkët me titull Për një botë që ka të ardhme. Me një Kishë që jep shpresë, në të cilën, ndër të tjera, nënshkruesit ripohojnë nevojën për të vazhduar përballjen me problemin e abuzimeve seksuale brenda Kishës, me synimin për të kapërcyer shkaqet strukturore: «Me Konferencën sinodale, Kisha Katolike në Gjermani do të ketë një mjet për të luftuar në mënyrë të qëndrueshme dimensionet sistemike të abuzimit të pushtetit». Gjithashtu do të garantohet më shumë «pjesëmarrje, transparencë dhe përgjegjësi kundër diskriminimit, duke promovuar barazinë gjinore». Ndër vendimet e marra figuron krijimi, brenda Konferencës së ardhshme sinodale, i një grupi të tretë personash që do të shoqërojë Konferencën Ipeshkvore dhe Komitetin Qendror të Katolikëve: njëzet e shtatë anëtarë, ndër të cilët dy nga Komiteti këshillimor për viktimat e dhunës seksuale dhe dy nga Konferenca e eprorëve të mëdhenj të urdhrave rregulltarë; të paktën trembëdhjetë anëtarë duhet të jenë gra dhe të paktën pesë anëtarë nën moshën 30 vjeç.

Sinodaliteti si tipar dallues

«Sinodaliteti është tipari dallues i së ardhmes së Kishës, në mbarë botën dhe në Gjermani», ka thënë ipeshkvi kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Kishës katolike Gjermane, Imzot Georg Bätzing: «Jam i gëzuar dhe mirënjohës që dy proceset sinodale – rruga romake dhe rruga jonë – tani janë kaq mirë të ndërthurura. Nuk ka më një dikotomi; Kisha është një bashkësi dhe sinodaliteti është e ardhmja e bashkësisë kishtare. Ky është kriteri me të cilin duhet të matemi». Nga Gjermania drejt botës: «Me Rrugën Sinodale, ne nuk përqendrohemi vetëm në famullinë tonë. Konferenca e ardhshme sinodale synon dhe duhet të marrë qëndrim për çështjet socio-politike, laikë dhe ipeshkvij së bashku. Kjo është një aleancë e fuqishme që do të na lejojë të jemi të dukshëm në publik. Dhe kjo përfshin edhe shpalljen e Lajmit të Mirë. Ungjilli është parimi udhëheqës i veprimeve tona. Të ecim përpara. Të jemi të guximshëm. Të tregojmë shpresë. Të dëshmojmë fenë tonë në një kohë që ka nevojë për dëshminë e të krishterëve», përfundoi Imzot Bätzing.

Demokracia dhe dinjiteti njerëzor

Në të njëjtën linjë edhe presidentja e Komitetit Qendror të Katolikëve Gjermanë, Irme Stetter-Karp: «Ne kemi një detyrë në bashkësinë tonë, për Kishën që po ecën drejt shekullit XXI. Në të njëjtën kohë, kemi një detyrë në shoqëri. Demokracia dhe dinjiteti njerëzor janë nën një presion të fortë në mbarë botën nga autokratët dhe antidemokratët. Si të krishterë, duhet t’i kundërvihemi këtij zhvillimi. Ne e bashkëndajmë këtë detyrë me Kishën universale. Prandaj është një shenjë e kohëve që ne katolikët në Gjermani duam të vendosim më shumë demokraci në Kishën tonë. Dinjiteti njerëzor dhe pjesëmarrja, solidariteti dhe besueshmëria e së drejtës nuk duhet të flijohen në altarin e pushtetit. Kemi nevojë për një kundërpeshë ndaj këtij zhvillimi, një kundërpeshë të gjallë».

Agjentë të ndryshimit

Për ipeshkvin Imzot Michael Gerber, nënkryetar i Asamblesë sinodale, «sfidat aktuale na bashkojnë me shumë grupe të shoqërisë që angazhohen për një rend të lirë dhe demokratik». Kisha duhet të lejojë që të «preket nga fati i të rinjve, i të përjashtuarve dhe shpesh të plagosurve, dhe angazhimi i saj t’u mundësojë këtyre personave të ndihen subjekte, agjentë të ndryshimit». Nënkryetari tjetër, Thomas Söding, shpjegoi se Rruga Sinodale brenda Kishës katolike u ka rezistuar tensioneve dhe ka gjeneruar energji: «Është një shkollë dëgjimi ku feja mund të rritet, sepse është një vend ku idetë, pritshmëritë, kritikat, shqetësimet dhe shpresat ndahen. Tani fillon një kapitull i ri. Deklarata përfundimtare bën bilancin, me ndershmëri dhe hapje, të përvojave që kemi mbledhur. Ajo shënon misionin e Kishës sonë: t’i ofrojë shpresë botës së sotme».

02 shkurt 2026, 13:14