Grottaferrata: ipeshkvi Nin Güell, emërohet ekzark i Abacisë së Shën Nilit
R. SH. - Vatikan
Papa Leoni XIV ka emëruar ipeshkvin Manuel Nin Güell, ekzark apostolik të Abacisë territoriale të Shën Marisë në Grottaferrata, manastiri bizantino-grek, në provincën e Romës. Ky emërim ndërpret një periudhë të selisë vakante që zgjati nga viti 2013 deri më sot, një nga periudhat më të gjata të regjistruara në kronotaksitë e fundit të abacisë, periudhë gjatë së cilës qe imzot Marcello Semeraro – fillimisht ipeshkëv dhe më pas kardinal – me titullin e administratorit apostolik të kësaj Abacie territoriale. Imzot Semeraro u pat zgjedhur në këtë post nga Papa Françesku, i cili, në vitin 2013, e emëroi pas dorëheqjes së Arkimandritit Emiliano Fabbricatore, arbëresh, si ekzark i manastirit të Grottaferratës dhe Epror i Përgjithshëm i Kongregatës Italiane të murgjve bazilianë.
Abacia e Grottaferrata është një entitet i jashtëzakonshëm kishtar në Itali. Në këtë Abaci kanë shërbyer edhe murgj arbëreshë dhe siç dihet, rregulli i urdhërit bazilian qe ai që hapi shumë Kisha në Himarë në shekullin XVI dhe mbajti gjallë besimin në ato vise. Historinë e këtij rregulli në Himarë e nxori në dritë në vitin 1940 autori Papas Nilo Borgia, murg bazilian.
Murgjit janë të ritit kishtar bizantin-grek dhe përfaqësojnë Kongregatën Italiane të Murgjve bazilianë, institucion katolik ky i themeluar për të bashkuar manastiret e ritit bizantin në Italinë jugore. Manastiri ekzarkik, sot një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit, u themelua nga një grup murgjish grekë nga Italia jugore, të udhëhequr nga Shën Nili i Rosanos, nga Kalabria bizantine, ai vetë, grek nga origjina dhe riti. Shën Nili themeloi disa manastire dhe ishte udhëheqës karizmatik dhe udhërrëfyes i shquar shpirtëror i kohës së tij.
Ditët e murgjve shkoqiten jo vetëm nëpër festimet liturgjike, por edhe nëpër punën fizike dhe intelektuale. Nëpërmjet punës së duarve dhe mendjes së tyre murgjit bazilianë nxjerrin bukën e tyre të përditshme. Qëllimi thelbësor i jetës murgare, megjithatë, mbetet jeta e lutjes, jeta kundrimtare. Përveç kohës që i kushtohet lutjes liturgjike së përbashkët, çdo murg synon të shndërrojë të gjithë veprimtarinë e tij në lutje. Tradita e lutjes me zemër, thirrja e vazhdueshme e Zotit, është një aspiratë e posaçme e traditës mistike bizantine. Murgjit e ndjekin atë në vetminë e heshtur të qelave të tyre ("Qëndroni në qelën tuaj dhe ajo do t'ju mësojë gjithçka"), në meditimin e zellshëm të Fjalës së Zotit, në dëgjimin e vëmendshëm dhe të mençur të zemrës – të tyren dhe të kujtdo që dëshiron të udhëtojë shpirtërisht me ta.
Imzot Manuel Nin Güell, i lindur më 20 gusht 1956, në El Vendrell në arqidioqezën e Tarragonës, në Spanjë, hyri në manastirin benediktin të Montserratit në Katalonjë, ku kreu kushtet e para në vitin 1977 dhe të shpallurit solemn si murg në vitin 1980. Meshtar që prej vitit 1998, ai është formuar në Montserrat. Shquhet për forcë të brendshme dhe buzëqeshje miqësore, aftësi për të dëgjuar dhe ka prirje të natyrshme për të mirëpritur të tjerët. I specializuar si patrolog në «Augustinianum» në Romë dhe specialist në patrologjinë siriake dhe greke, ka shërbyer për 17 vjet si rektor i Kolegjit Papnor Grek në Romë, ku edukoi një brez prej mbi 77 seminaristësh, shumë prej të cilëve tani drejtojnë dioqeza në botën katolike lindore ose mbajnë pozicione të shquara në diplomaci dhe Kurien Romake.
Për më shumë se dhjetë vjet, ka qenë kontribues i rregullt i gazetës «L’Osservatore Romano», me artikuj rreth aspekteve teologjike dhe liturgjike të Lindjes së Krishterë dhe ka analizuar jetën kishtare. Puna e tij akademike vazhdon edhe sot në tri universitete romake: Sant’Anselmo, Santa Croce dhe Urbaniana.
Në vitin 2016, Papa Françesku e emëroi atë ekzark apostolik për katolikët e ritit bizantin që banojnë në Greqi, duke marrë shugurimin ipeshkvnor më 15 prill në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve në Romë. Gjatë dhjetë viteve të tij në Greqi, Nin Güell ka shërbyer si "diplomat i rangut të lartë", duke e shndërruar kufirin me Ortodoksinë Greke në një pikë takimi pjellore. Gjatë shërbimit të tij ipeshkvnor, Katedralja e Trinisë së Shenjtë në Athinë u bë vendi ku madhështia e liturgjisë lindore takonte njerëzimin e plagosur dhe përulësinë e mikpritjes.
Ekzarku i ri Manuel Nin Güell do të kremtojë hyrjen e tij në bashkësinë mungare të Grottaferratës, të shtunën, më 21 shkurt 2026.
Në emër të Konfederatës Benediktine, Abati primat Jeremias Schröder e uroi ipeshkvin Nin Güell për emërimin e tij. Grottaferrata është manastiri i vetëm i Urdhrit të murgjve bazilianë në Itali. Është Abaci territoriale dhe manastir ekzarkik, që do të thotë se eprori mban titullin e ipeshkvit. Murgjit ndjekin Rregullin e Shën Bazilit të Madh, që aq shumë adhurohej dhe citohej nga Shën Benedikti. Papa Leoni XIII i ka përfshirë benediktinët në punët e kësaj bashkësie të vogël greko-bizantine, mjaft të izoluar. Ipeshkvi Manuel Nin Güell është benediktini i tretë që mban përgjegjësi për këtë manastir kohët e fundit, pas abatit Michel van Parys dhe abatit Francesco de Feo.