Takimi Ipeshkvijve të Kishës katolike të Shqipërisë

Ipeshkvijtë e Kishës Katolike të Shqipërisë në Asamblenë e LXXVI të Përgjithshme në Tiranë më 9 e 10 shkurt. Imzot Meta kujtoi se “prej vitit 2017 kjo është plenarja e parë pa Imzot Kullin. Duke e shikuar këtë ngjarje me sytë e besimit, i themi Hyjit, nuk po të pyesim pse na e more, por faleminderit për kohën që ai qëndroi me ne e mes nesh”.

R.SH. / Vatikan

Ipeshkvijtë e Kishës Katolike të Shqipërisë dhe Administrator Dioqezan i Dioqezës së Sapës marrin pjesë në punimet e Asamblesë së LXXVI  të Përgjithshme e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, që mbahet, më 9 e 10 shkurt, në Tiranë. Më hollësisht njoftimi i zëdhënësit të KISH dom Mark Pashkja:

Dom Mark Pashkja

ASAMBLEJA E PËRGJITHSHME E ZAKONSHME LXXVI E KONFERENCËS IPESHKVORE TË SHQIPËRISË

Sot në Tiranë filloi punimet Asambleja e Përgjithshme e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë. Në Meshën e hapjes së punimeve, të udhëhequr nga Sh. T. Imzot Gjergj Meta, ipeshkvijtë kujtuan dhe ofruan një lutje të veçantë për shpirtin e Imzot Simon Kullit, i ndarë nga jeta pak muaj më parë.

Në fjalën e tij hapëse Imzot Meta kujtoi se “prej vitit 2017 kjo është plenarja e parë pa Imzot Kullin. Duke e shikuar këtë ngjarje me sytë e besimit, i themi Hyjit, nuk po të pyesim pse na e more, por faleminderit për kohën që ai qëndroi me ne e mes nesh”.

I pranishëm në këto punime është edhe Imzot Ionuţ Paul Strejac, i Ngarkuari me punë i Selisë së Shenjtë pranë Nunciaturës Apostolike në vendin tonë.  Në fjalën e përshëndetjes ai e vlerësoi shumë pozitive mënyrën se siKisha vendore e ka kremtuar Vitin jubilar duke theksuar rëndësinë e mbajtjes gjallë të këtij entuziazmi.

Atë Mariano Tarantino merr pjesë në këtë plenare  të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë si Administrator Dioqezan i Dioqezës së Sapës, ku do të informojë ipeshkvijtë për situatën aktuale, nevojat dhe emergjencat e kësaj Kishe Dioqezane. Çështjet, problematikat dhe veprimtaritë e ndryshme, të cilat barinjtë e Kishës katolike në Shqipëri do t’i marrin në shqyrtim, do të jenë të shumta. Jeta e Kishës dhe funksionimi i strukturave kishtare mbeten vazhdimisht në fokusin e Ipeshkvijve të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.

Dom Mark Pashkja

Zëdhënës i KISH

09 shkurt 2026, 12:33