Jordania, qendër bamirësie e feje në zemër të Anjares

Në qytetin kodrinor të Galaadit, në lindje të Luginës së Jordanit, misionarët e Fjalës së Mishëruar drejtojnë Kishën e Zojës të Malit, një shkollë e një strehë për fëmijët nevojtarë. Prifti i famullisë, Atë Youssef Francis, duke folur me një grup nga organizata e shtegtimit Vepra Romake, kujton: "Ne nuk i quajmë jetimë këtu, por fëmijë të shtëpisë, sepse janë të shtëpisë".

R.SH. / Vatikan

Kisha e Zojës Mari, famullia, shkolla dhe një strehë për fëmijët e ligështë: kjo, e shumë më tepër është struktura e lidhur me Kishën e Vizitacionit, në Anjara, e njohur në të gjithë Jordaninë me emrin Zoja jonë e Malit. Vend feje, bamirësie, dialogu, i ndërtuar tullë pas tulle, duke filluar nga të vegjlit. Po, sepse qyteti i Anjarës - në kodrat e Galaadit, në lindje të Luginës së Jordanit - është kryesisht mysliman, por njihet në nivel lokal për punën e kryer nga misionarët e Fjalës së Mishëruar, duke siguruar arsim për fëmijët vendas dhe duke ofruar një vend, për të filluar nga e para për të miturit nevojtarë. "Ne nuk i quajmë jetimë këtu, por thjesht bijtë e shtëpisë, sepse janë të shtëpisë", shpjegon Atë Youssef Francis, meshtar i famullisë kishtare.

Famullia është qendra

Atë Francis lëviz nëpër oborrin e shkollës mes përshëndetjeve dhe buzëqeshjeve të fëmijëve, të cilët mblidhen të gjithë jashtë për të luajtur gjatë pushimit, dhe kur kanë mysafirë. "Sot e ndjekin shkollën 200 fëmijë të krishterë e myslimanë", ndërsa 27 të mitur jetojnë nën strehë, i shpjegon famullitari grupit të priftërinjve dhe gazetarëve, të ardhur për vizitë, si pjesë e udhëtimit në Jordani, i cili do të vazhdojë edhe sot, 7 shkurt, i organizuar nga Vepra Romake e Shtegtimeve (Opera Romana Pellegrinaggi-ORP), në bashkëpunim me Royal Jordanian, Bordin e Turizmit të Jordanisë dhe Ministrinë e Turizmit.

Angazhimi i madh për orientimin dhe rindërtimin e jetës së fëmijëve më të vegjël, përqendrohet tërësisht brenda këtyre mureve: vetëm pak metra larg njëra-tjetrës janë shkolla e streha. Të miturit, që ndjekin këtë strukturë janë të moshave të ndryshme, ndaj ndjekin klasa të ndryshme. Për më tepër, prej kohësh, fëmijëve që banojnë përherë në shtëpi, u është dhënë mundësia të qëndrojnë atje deri në moshën 25 vjeç, duke u lejuar të vazhdojnë studimet universitare. Edhe Caritas vepron brenda kompleksit të famullisë, duke identifikuar dhe duke i mbështetur familjet në nevojë. "Famullia është qendra.  Mbetet gjithnjë e hapur" për nevojat e besimtarëve. Besimtarë vendas, por edhe të huaj, pasi Zoja e Malit po tërheq gradualisht devocionin e shtegtarëve.

Kisha e vetme mariane në Jordani

"Kisha e jonë", vëren famullitari, "është e vetmja faltore mariane në Jordani" ku, ndër të tjera, thuhet se kanë ndodhur shumë ngjarje biblike, përfshirë një, që lidhet me Nënën e Jezusit. Në vend ka një shpellë, që përkujton ndalesën tradicionale të Jezusit e Marisë në një shpellë, gjatë vizitës në qytet. Pas emërimit të një famullitari i cili, vite më parë, kërkoi vendosjen e një shtatoreje të Virgjërës, përkushtimi ndaj Marisë u bë shumë më i dendur. Për më tepër, më 6 maj 2010, figurja e Zonjës sonë të Malit, sipas dëshmitarëve, filloi të qante. Nga sytë i pikuan pika gjaku.... Kjo shenjë çoi në krijimin e një feste për nder të vendit, çdo të premte të tretë të qershorit. "Zoja jonë është e rëndësishme për të gjithë" - thotë Atë Françesku - kështu që ndonjëherë mund të shihni edhe myslimanë që luten atje, duke kërkuar hire, në marrëdhënie që përgjithësisht e ruan shumë mirë bashkëjetesën.

Emigrimi dhe pakësimi i lindjeve

Puna e qendrës së famullisë mbështetet edhe nga vullnetarë vendas nga bashkësia e krishterë që, sipas famullitarit, po nis të vuajë nga dy fenomene që ia kërcënojnë të ardhmen: emigrimi dhe denataliteti, doethënë pakësimi i lindjeve. Janë çështje të dashura për misionarët e Fjalës së Mishëruar, të cilët synuan që nga fillimi të mbështesin komunitetin ekzistues vendas të krishterë. Për këtë arsye, Kisha krijoi edhe këtë program edukativ për fëmijët, të cilët një ditë do të hyjnë në fuqinë punëtore. Kështu lindi ideja e një punishteje të vogël prodhimi vere,  mbështetur nga fondet e Konferencës Ipeshkvnore Italiane, për të siguruar punësim dhe mbështetje për fëmijët e shtëpisë.

Hiri i misionit

Veprimtaria e Zojës së Malit shkon përpara falë kontributit themelor të murgeshave që e banojnë. Njëra prej tyre, Maria e Kundrimit, misionare argjentinase, u dërgua në Lindjen e Mesme për më shumë se 30 vjet: "Në Anjara jemi shtatë murgesha: murgesha egjiptiane e argjentinase" - shpjegon ajo. - Këtu, apostullimi ynë zhvillohet në famulli, në shenjtore dhe me vëmendje të veçantë ndaj shtegtarëve". Përveç aktiviteteve të rregullta me fëmijët edhe në shkolla, nismat e shtrirjes së aktiviteteve vazhdojnë gjatë gjithë verës, duke e realizuar angazhimin me kohë të plotë. "I yni - thotë Motër Maria e Kundrimit - është mision i bukur, veçanërisht me këta fëmijë që kanë që kanë shumë, shumë nevojë". Murgeshat kujdesen për to në çdo aspekt, përfshirë formimin bazë të fesë. Për më tepër, që nga viti 2008, është hapur një qendër ditore për rehabilitimin e të krishterëve dhe myslimanëve me aftësi të kufizuara. E që të krijohej edhe arsimi për fëmijët, në vitin 2008 u hap biblioteka e parë fëminore, pranë shkollës. Atje zhvillohen edhe kurse arti e muzike për lagjen. "Për ne është hir nga Zoti që të jemi në gjendje të jetojmë këtu, në këtë mision në Lindjen e Mesme". Sidomos - vëren motra Maria e Kundrimit - ata që nuk janë arabë, “mund ta shohin fenë” që e jetojnë të krishterët në këto vende, në mes të një shoqërie ku janë pakicë e ku gjinden në situata të shkatërruara nga lufta ose armiqësitë".

Kjo është dëshmia e atyre që, nga shenjtërorja e Anxharës, besojnë në Marinë, Nënën e të gjithëve!

08 shkurt 2026, 09:31