2019.02.01 Presentazione al Tempio di Gesù Cristo, presentazione del Signore

Festa e Të paraqiturit të Krishtit Foshnje në Tempull

Sot më 2 shkurt kalendari i Kishës Katolike romake na kujton festën e të paraqiturit të Zotit në Tempull. Dyzet ditë pas Krishtlindjes, Virgjëra Mari dhe Shën Jozefi marrin Jezusin Foshnje dhe e paraqesin në Tempull sipas ligjit të profetit Moisi të përshkruar në librin e Levitikut.

R.SH. Vatikan

Më 2 shkurt, në përkim me festën liturgjike të ‘Paraqitjes së Zotit në tempull’, që është festë e Krishtit “dritës së popujve” dhe e takimit të Mesisë me popullin e vet në Tempullin e Jerusalemit, Papa Shën Gjon Pali II, duke u nisur nga viti 1997, deshi që në këtë festl në mbarë Kishën katolike romake të kremtohet një Ditë e veçantë kushtuar Jetës Rregulltare a Jetës së Kushtuar. Në të vërtet, flijimi i Birit të Zotit - që simbolizohet përmes paraqitjes së tij në Tempull - është shembull për çdo burrë e për çdo grua që ia kushton tërë jetën e vet Zotit

Kështu, Kisha katolike romake më 2 shkurt, kremton festën e Kushtimit të Krishtit Zot në Tempull nga Maria e Jozefi. Në festën e Paraqitjes së Jezusit në Tempull ne kremtojmë një mister të jetës së Krishtit, që lidhet me urdhrin e ligjit të Mosiut që parashikonte që prindërit, 40 ditë pas lindjes të parëlindurit, të ngjiteshin në Tempull të Jerusalemit për të ofruar djalin e tyre Zotit e për pastrimin ritual të nënës (krh Es 13,1-2.11-16; Lv 12,1-8

Ky ligj parashikonte se çdo foshnje mashkull i duhej ofruar Hyjit në tempullin e Jeruzalemit, dhe për shpërblim të foshnjes duhej bërë edhe një ofertë. Riti, gjithashtu, parashikonte edhe dlirjen e lehonës.

Në tempull, Familja e Shenjtë takon Simeonin, të cilit i ishte thënë në profeci se nuk do të vdiste pa parë Mesinë. Kur Familja hyn në tempull, Simeoni menjëherë vëren tek Jezusi Foshnje, Mesinë dhe po ashtu, bën profeci kur i thotë Shën Marisë se një shpatë do t’ja shporojë zemrën. Simeoni, më tej vazhdon dhe duke iu drejtuar Hyjit, i thotë se shërbëtori i Zotit, ai vetë, tashti mund të vdesë sepse profecia u përmbush dhe Mesia erdhi.

Po ashtu edhe Ana, një grua që kishte mbetur e ve mjaft e re dhe tashti ishte rreth të tetëdhjetave, njeh te Jezusi Foshnje, Mesinë e popullit të Izraelit.

Sot, në këtë të kremte, bekohen edhe qirinjtë nën fyt, dhe kjo ditë, në popullin shqiptar quhet edhe Zoja e Qirave dhe është ditë e shënuar edhe për popullin shqiptar.

Prelatët e Kishës Katolike në Shqipëri e kremtonin në mënyrë të veçantë këtë ditë. Kështu, më 2 shkurt 1588, ipeshkvi i Lezhës, françeskan dhe burrë nga një derë fisnike – siç thotë historiani Serafino Razzi – merrte pjesë në Dubrovnik në procesionin e organizuar në vigjiljen e Shën Vlashit – që kremtohet nesër, më 3 shkurt – sepse në atë procesion, dilte rrugëve të qytetit edhe Shpërgani i Krishtit Foshnje – (Sacer Panniculus Christi). Bëhet fjalë për një relike për të cilën arkivat e Republikës së Dubrovnikut pohojnë se është sjellë në qytet nga një meshtar arbër me emrin Gjoni në vitin 843. Ky ia kishte lënë në roje, dom Sergjit, edhe ky meshtar shqiptar, famullitar në Dubrovnik, me besimin se një ditë do të kthehej ta merrte, por nuk u kthye më kurrë. Ndonëse mbi të nuk janë bërë kurrë analiza laboratorike për të vërtetuar se cilës epokë i përket, relikja ruhet ende në visarin e katedrales së Dubrovnikut dhe del rrugëve të qytetit në procesion siç është tradita shumëshekullore.

Shpërgani i Krishtit Foshnje besohet se është endur pikërisht nga duart e Zojës së  Bekuar dhe, sipas traditës, në të ishte i mbështjellur Krishti Foshnje kur u paraqit në Tempull në këtë ditë të kremte.

Për festën e sotme, Meshari Romak pohon: “Kështu Jezusi, në mënyrë të dukshme, iu nënshtrua Ligjit, por në të vërtetë, ai erdhi në takim me popullin e vet besimtar. Të nxitur nga Shpirtit Shenjt erdhën në tempull të lumët Simeoni e Ana, të cilët, të shndritur prej të njëjtit Shpirt, e kanë njohur Zotin dhe e kanë shpallur me gëzim. Kështu edhe ne, të bashkuar e të nxitur nga Shpirtit Shenjt, jemi të ftuar të shkojmë drejt shtëpisë së Hyjit në takim me Krishtin. Do ta gjejmë dhe do ta njohim në ndarjen e bukës duke pritur ardhjen e tij të lavidshme”. Kështu shkruan Meshari Romak për festën e sotme. 

02 shkurt 2026, 10:50