2026.02.06 cardinale Pierbattista Pizzaballa

Kard. Pizzaballa: rindërtimi i fesë në Tokën Shenjte, me veprime e gjeste konkrete

Patriarku Latin i Jeruzalemit foli, në një aktivitet të organizuar nga Komiteti Kombëtar për tetëqindvjetorin e vdekjes së Shën Françeskut, në kishën San Francesco a Ripa, në Romë. "Marrëdhëniet ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve janë të prishura, kujtoi; do të duhet shumë kohë. Fjalët nuk janë të mjaftueshme për të sjellë paqen". Më pas bëri thirrje: "Është themelore që bashkësia e krishterë të jetë e pranishme. Të kthehen shtegtarët në Tokën Shenjte".

R.SH. / Vatikan

"Për fat të keq, në këtë kohë, pas asaj që ndodhi e po ndodh ende në Gaza, "është e vështirë të shihet një zgjidhje afatshkurtër" ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve: "Plagët janë ende të thella, popullatat të çorientuara, me lidership të dobët. Nuk ka vizion të qartë për të ardhmen, ku tjetri është pranë teje dhe, në një farë mënyre, brenda teje. Njëri nuk dëshiron të dëgjojë për tjetrin; marrëdhënia është e prishur, e kjo është pika e parë që duhet marrë në konsideratë kur fillohet". Fjalët e Kardinalit Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jeruzalemit, duke folur në një takim në Kishën e Shën Françeskut, në Romë, organizuar nga Komiteti Kombëtar për Tetëqindvjetorin e Vdekjes së Shën Françeskut, nuk janë shprehje që kanë të bëjnë me dorëheqjen. Përkundrazi! Shprehin vetëdijen konkrete, duke treguar se sa e vështirë është rruga drejt pajtimit dhe paqes.

7 tetori dhe lufta në Gaza "ngjarje të papara".

7 tetori dhe lufta, që pasoi "ishin ngjarje të papara". "As ne nuk e kuptuam menjëherë rëndësinë e asaj që kishte ndodhur me sulmin e Hamasit e, më pas, të asaj që do të ndodhte me përgjigjen e IDF-së (Forcat Izraelite të Mbrojtjes). Mendonim se ishte hakmarrje, si shumë të tjera që kishin ndodhur më parë, por deri atëherë të gjithë parametrat që njihnim kishin humbur", pranoi Patriarku Latin, i intervistuar nga Maria Gianniti, korrespondente e RAI-t në Jerusalem.

Shqetësime rreth "Bordit të Paqes"

E kur u pyet për projektin "Bordi i Paqes", Patriarku shprehu shqetësimin e tij për çdo operacion që duket se drejtohet kryesisht nga mbrojtja dhe kontrolli i interesit vetjak, nga fuqitë e mëdha pa njohje efektive të popullit palestinez dhe të drejtave të tij.

Nevoja për veprime konkrete

"Paqja dhe pajtimi - shpjegoi para audiencës që mbushte përplot atë, e cila konsiderohet si "shtëpia romake" e Varfanjakut të Asizit, në zemër të lagjes Trastevere - janë koncepte të bukura, por rrezikojnë të mbeten thjesht slogane, nëse nuk shoqërohen sot me veprime, gjeste dhe dëshmi të prekshme, që gjithashtu demonstrojnë fizikisht mundësinë e rindërtimit të besimit". Nuk do të jetë e lehtë, as nuk mund të merret si e kryer, por "duhet të jemi të vetëdijshëm se para së gjithash duhet të krijojmë mundësi për takim, si dhe kontekste kulturore e shoqërore që gradualisht na ndihmojnë të mendojmë ndryshe. Fjalët nuk janë të mjaftueshme". Pastaj, "duhen udhëheqës politikë, por edhe fetarë, të cilët, nga të dyja palët, e kanë një sasi të vogël vizioni dhe nuk e bazojnë autoritetin e tyre vetëm në zemërim dhe etje për hakmarrje". Ky proces do të kërkojë kohë: "Ndërkohë, ne duhet të këmbëngulim, të bindur se nuk mund t'ia lëmë rrëfimin ekstremistëve, qofshin ata Hamas apo kolonë. E, për ne në ba

shkësinë e krishterë, gjëja e rëndësishme në këtë fazë është të jemi aty, të mbetemi vetvetja. Toka e Shenjtë na mëson se të jesh pakicë, nuk është tragjedi nëse ke diçka të bukur e të madhe për të komunikuar. E ne e kemi". Duhet "të dimë si të dëgjojmë, të kuptojmë se çfarë na thotë feja në këtë çast të saktë: përsa më përket mua, jeta ime i përket Zotit e Krishtit, kështu që ishte e natyrshme për mua t'i përgjigjesha po pyetjes nëse do të isha i gatshëm të ofrohesha në këmbim të pengjeve të mbajtura në Gaza". Të krishterët mund të jenë shenjë uniteti, "ashtu siç ishte Shën Françesku, i cili u bë simbol për të gjithë, sepse u prek nga Krishti", theksoi ai. "Kjo është arsyeja pse dëshmia e tij kaloi shekujt dhe ende vijon të na flasë". Papa Leoni XIV, në Letrën e tij drejtuar ministrave të përgjithshëm të familjes françeskane, kujtoi se "jeta e tij tregon burimin autentik të paqes".

Katër herë në Rrip gjatë luftës

Kardinali Pizzaballa, më pas, rikujtoi përvojën e tij në Tokën Shenjte, nga viti 1990, kur mbërriti si student i ri në Qendrën Françeskane të Studimeve Biblike, deri te vitet e tij si Custos a Kujdestar dhe, tani, si Patriark Latin i Jeruzalemit. E pas fjalëve të hyrjes dhe përshëndetjeve nga Atë Paolo Maiello, frat françeskan dhe vikar i Provincës së Shën Bonaventurës, poeti Davide Rondoni, kryetar i Komitetit Kombëtar për tetëqindvjetorin e vdekjes së Shën Françeskut, dha dëshmi për të katër vizitat e tij në Rrip gjatë luftës.

"Herën e parë, në maj 2024, ishte tronditëse të mos isha në gjendje të njihja vendet me të cilat isha i njohur, të shihja sytë e njerëzve të tmerruar nga ajo që po ndodhte, të prekja emocionin e fëmijëve". Herën e dytë, "pak para Krishtlindjes të të njëjtit vit, popullsia ishte lodhur, kishte çorientim të përgjithshëm, uria ishte e dukshme, shkatërrimi, gjithnjë në rritje, spitalet  jashtë funksionit". Korriku i vitit 2025 "ishte çasti më i vështirë, pasi tre persona u vranë në famullinë e Familjes së Shenjtë dhe ndërsa IDF po përgatitej për ofensivën në Qytetin e Gazës, e unë u godita nga era e shkatërrimit dhe e vdekjes. Nuk do t'i harroj kurrë". Herën e fundit, para Krishtlindjes vitin e kaluar, "kisha tashmë dëshirë të qartë për të rifilluar jetën; pashë fytyra plot dinjitet, pavarësisht nga gjithçka kishte ndodhur". Nga ndihma ushqimore, "kaluam në sigurimin e ilaçeve, veçanërisht antibiotikëve, për t’i ndihmuar spitalet t’i mjekojnë njerëzit".

Gjendja e të krishterëve në Tokën Shenjte

Vështirësitë për të krishterët janë të konsiderueshme, theksoi Patriarku. "Prania jonë në Tokën Shenjte është ulur ndjeshëm, që kur mbërrita në vitin 1990. Të paktën njëqind familje u larguan nga Betlehemi, që kur filloi lufta vetëm. Fatkeqësisht, shumë nuk kanë më besim se gjërat mund të ndryshojnë, të paktën në të ardhmen e afërt. Ne punojmë për të siguruar që të gjithë të mund të qëndrojnë, por nuk mund t'i gjykojmë ata që vendosin të mos e bëjnë këtë. Duhet guxim i madh për të qëndruar". Edhe në famullinë e Qytetit të Gazës, “banorët vuajtën dhimbje të papërshkrueshme; kishin nevojë për gjithçka. E mbi të gjitha - përveç gjërave materiale, si ushqimi, uji, ilaçet - kishin nevojë për zemër, empati, të cilat më pas i gjetën në afërsinë e Papës dhe të mbarë Kishës”. 

Kësaj sot i shtohet çka po ndodh në Bregun Perëndimor, veçanërisht për shkak të kolonëve izraelitë. “Në fshatin e vetëm të krishterë, Taybeh, pati një sulm të ri disa ditë më parë; ndërsa të gjitha llojet e dhunës po ushtrohen kundër palestinezëve në përgjithësi, si myslimanëve ashtu edhe të krishterëve: ata pengohen në punë, toka e tyre po merret, ata i nënshtrohen sulmeve të armatosura dhe vandalizmit, shtëpitë e tyre po shkatërrohen, shemben ose shtetizohen”. “13 shkollat ​​tona në Jerusalem”, kujtoi kardinali, “kanë probleme të vazhdueshme me lejet për mësuesit, veçanërisht ata nga Betlehemi. E është e lodhshme të punosh çdo ditë për gjëra në dukje të parëndësishme, të drejta që duhet të ishin tashmë të garantuara deri tani”.

Zgjidhja dy popuj, dy shtete

Lidhur me zgjidhjen "dy popuj, dy shtete", Kardinali pranoi se sa e ndërlikuar është të mendohet dhe të zbatohet në këtë çast, "e megjithatë, është diçka për të cilën duhet të punojmë. Palestinezët kanë të drejtë të ndihen si popull dhe të kenë një shtet. Edhe pohimi i kësaj mundësie është  akt drejtësie; i ndihmon të vazhdojnë ta kultivojnë ëndrrën, për të pasur një shtëpi të tyre, një ditë...".

Thirrja për shtegtime

Më në fund, një thirrje për shtegtarët që të kthehen. "Është koha për t'u kthyer. Mjaft me emergjencat, është koha për të marrë guxim! Mund të vini në Tokën Shenjte, duhet, Betlehemi dhe Jerusalemi janë të sigurt. Tani duhet të shohim që Kisha dhe bashkësia e krishterë janë këtu, edhe fizikisht", përfundoi ai. Ndër të tjera, "është gjithashtu akt për t'u thënë palestinezëve dhe izraelitëve se edhe ne jemi këtu, në këtë tokë, se edhe ne i kemi rrënjët tona këtu".

Gjatë mbrëmjes, shoqëruar me interlude muzikore nga dyshja organo-tenore, nisi edhe mbledhja e fondeve "Fondazioni i Italisë per dhuratën" për një projekt në Jerusalem, titulluar "Fuqizimi i grave dhe të rinjve të Krishterë", që ka për qëllim të favorizojë punësimin për gratë dhe të rinjtë e krishterë në zonë, duke mundësuar edhe zhvillimin e nismave sipërmarrëse.

07 shkurt 2026, 17:11