Motër M. Topalli: Paraqitja e Jezusit në Tempul dhe Dita e Kështuarve në Shkodër
R.SH. / Vatikan
Në Shkoder, ashtu sikurse në mbarë Kishën Katolike, dje, u kremtua Paraqitja e Jezusit ne Tempull, e po në këtë festë liturgjike u kremtua edhe Dita e Kështuarve. Është fjala për Ditën e të gjithë atyre që kane vendos me ja kushtue jetën e tyre Zotit dhe njerëzve që të jenë dritë dhe shprese per botën.
Kremtimi i Ditës së Kushtuar në kryedioqezën metropolite të Shkodër Pultit, u kryesua dje nga Imzot Giovanni Peragine, në bashkëkremtim me shumë rregulltarë dhe me pjesëmarrj të shumë Motrave rregulltare të kongregatave të ndryshme të pranishme në territorin e kësaj Kishe lokale. Kremtimi i Ditës së XXX të Jetës së Kushtuar, në përkim me festën e Paraqitjes së Jezusit në Tempull, qe një mundësi për të jetuar një moment vëllazërimi mes të gjithëve të Kushtuarve dhe për të dëshmuar praninë profetike në shoqëri ndaj dioqezës dhe qytetit.
Ashtu si Jozefi dhe Maria u bënë pelegrinë drejt tempullit të Jerusalemit për t’ia paraqitur Zotit fëmijën e tyre, ashtu edhe ne kemi vendosur t’ha kushtojmë jetën tonë Krishtit që është, drita e botës, dhe për ta njohur Atë në bukën e Fjalës dhe të Eukaristisë. Tradita lindore, jo rastësisht, e quan këtë liturgji “festa e takimit“: është Krishti, drita e botës, që takon popullin e besimtarëve që e presin me besim dhe shpresë.
Të gjithë ne sot dëshirojmë të rinovojmë jetën tonë për të takuar Zotin, i cili vjen për të ndriçuar dhe për të shndërruar jetën tonë të kushtuar. Jeta e kushtuar, në fakt, lind para së gjithash nga një takim me Krishtin, nga një takim dashurie, nga një shikim, nga një thirrje, nga një vendim (krh. Mt 4,18-22). Është e rëndësishme të rigjejmë këtë dimension bashkëshortor të Jetës së Kushtuar, e cila kërkon të tregojë e dëshmojë një histori dashurie, më shumë sesa një sërë aktivitetesh për t’u kryer apo shqetësimesh për t’u përjetuar. Le të jetë gjithnjë e më shumë dashuria e Tij ajo që udhëheq ndjenjat tona, mendimet tona dhe veprimet tona, para rregullave dhe udhëzimeve: “kur kërkojmë të rregullojmë gjithçka, rrezikojmë ta ‘burgosim’ Shpirtin Shenjt” (Papa Françesku).
Të kushtuarit e jetojnë thirrjen e tyre fetare e shpirtërore brenda komunitetit kishtar, duke kontribuar në misionin e tij ungjillëzues. Por, përballë “ndryshimit të epokës“, është e nevojshme që edhe jeta e kushtuar të vihet në dëgjim të Shpirtit të Zotit dhe të ndërmarrë me guxim dhe kreativitet ndryshime në struktura dhe në stile jetese, si personale ashtu edhe komunitare, për ta bërë të gjallë dhe aktuale karizmën e themeluesve. Për shembull, është e nevojshme të rishqyrtohet stili i jetës komunitare.
Duhet të kalojmë nga jeta në bashkësi në jetën vëllazërore, nga një sistem piramidal, ku në majë është ai që ka pushtetin, në një sistem rrethor, ku në qendër është Krishti. Duhet kaluar nga një komunitet ku secili ecën vetëm, sipas ritmeve ose përparësive të tij, në një komunitet ku të gjithë ecin së bashku; nga një komunitet thjeshtë i rregullave, në një komunitet të vërtetë bashkimi. Por porta nuk shërben vetëm për të hyrë, por edhe për të pritur dhe dalur në mision.
Jeta e kushtuar duhet të kalojë Portën e mikpritjes. Komunitetet tona rregulltare duhet të jenë mikpritëse, më të hapura dhe më kreative, të afta për të gjeneruar jetë . Komunitete të lira, ku jetohet gëzimi i të qenit së bashku jo vetëm për shkak të angazhimeve të marra, por mbi të gjitha për ëndrrat që mund të realizohen së bashku. Së fundi, jeta e kushtuar duhet të kalojë Portën për të dalë. Mos i mbyllim komunitetet brenda mureve të kuvendit, brenda traditave apo zakoneve, duke harruar misionin për të cilin jemi thirrur.
Një komunitet me dyer të mbyllura rrezikon ta shuajë zjarrin e Shpirtit Shenjt, të bëhet vetëreferencial dhe të humbasë freskinë e tij ungjillore. Kjo është natyra profetike e jetës së kushtuar: të tronditë shoqërinë me stilin e saj të jetesës alternative, të bazuar në vlerat ungjillore. Në një botë të shënuar nga materializmi, kërkimi i pushtetit dhe individualizmi, jeta e kushtuar i ofron botës një dëshmi të falas, të shërbimit dhe të bashkimit. Misioni ynë ungjillëzues do të jetë aq më i frytshëm, sa më shumë të bëhet shprehje e bashkimit.
nga Motër Majlinda Topalli