Pragë, Kryeipeshkvi Přibyl është kryeipeshkvi i ri: punojmë për unitetin e Kishës
R.SH. / Vatikan
Të kapërcejmë përçarjet, të ungjillëzojmë brezat e rinj e të ndërtojmë marrëdhëniet miqësore me meshtarët. Këto, detyrat e shërbesës për Imzot Stanislav Přibyl, të cilin Papa Leoni XIV e emëroi sot, 2 shkurt, Kryeipeshkëv i ri i Pragës dhe primat i Bohemisë, pasi pranoi dorëheqjen e kryeipeshkvit Jan Graubner. "Krishti është mbi të gjitha përçarjet, e vetëm në Të mund të jemi vërtet të bashkuar", theksoi prelati për mediat e Vatikanit. I lindur më 16 nëntor 1971 në Pragë, shuguruar meshtar në vitin 1996 për Kongregatën rregulltare të 'Santissimo Redentore' - Redentoristëve, Imzot Přibyl kreu detyra të ndryshme, nga kapelan e famullitar - deri te epror provincial i Redentoristëve dhe kryetar i Karitasit kryedioqezan. Nga viti 2009, deri në vitin 2016, ishte sekretar i përgjithshëm i Konferencës së Ipeshkvijve çekë dhe vikar i përgjithshëm i Litoměřice-s, në dioqezën e së cilës u emërua ipeshkëv më 23 nëntor 2023. Që nga 29 prilli 2025 është edhe nënkryetar i Konferencës Ipeshkvnore çeke.
Imzot Stanislav Přibyl, çfarë keni më për zemër në Kryedioqezën e Pragës?
Pajtimi brenda Kishës është veçanërisht pranë zemrës sime. Sipas mendimit tim, hapi i parë duhet të jetë përpjekja për të. E kjo nuk është çështje që i përket vetëm Kishës dhe Kryedioqezës së Pragës. Shpesh duket se kur hasim një reflektim ose ide, së pari shqyrtojmë kush e tha ose e shkroi, e pastaj vlerësojmë përmbajtjen e saj. Çdo gjë është shumë ad hominem.
Cilat janë sfidat baritore?
Unë pajtohem me atë që thotë Papa Leoni, kur i drejtohet të ashtuquajturit "Kontinent i vjetër" ose kur mediton për "botën e vjetër". Kalimi i fesë nga një brez në tjetrin ka dështuar, ndaj është i nevojshëm ungjillëzimi i ri. Nga përvoja e Dioqezës së Litoměřice, e di se kjo rrugë mund të zbatohet. Shqetësimi im është padyshim i përqendruar tek "hapi i dytë", kur njerëzit e kanë njohur tashmë Krishtin, ose e kanë hasur diku, ose në një farë mënyre, për shembull, gjatë nismave të ndryshme të ungjillëzimit. Ne duhet të jemi në gjendje të gjejmë mënyra për të vazhduar të flasim me këta njerëz, duke i shoqëruar dhe duke i lidhur me jetën e krishterë. Në të njëjtën kohë, duhet bërë përpjekje për ta paraqitur Krishtin si person që hasim dhe që mund e duhet të ndikojë mbi jetën njerëzore (Benedikti XVI, Deus Caritas est).
Po kështu, është e nevojshme të paraqesim thesarin e fesë, depositum fidei, besuar Kishës për ta ruajtur e për ta ndarë me besimtarët dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë. Siç e thashë edhe në përgjigjen time për pyetjen e parë, jo vetëm në Kryeipeshkvinë e Pragës, por edhe në shoqëri në përgjithësi, shoh përçarje, tensione dhe fraksione të mëdha, që duken të pakapërcyeshme. Kjo kryesisht për shkak të faktit se jemi të ndikuar tepër nga algoritmet e mediave sociale e harrojmë se "miqtë" në mediat sociale janë koncept krejtësisht i ndryshëm nga miqësia e vërtetë ndërmjet njerëzve.
Detyra ime, e në këtë pajtohem plotësisht me Papën Leoni XIV, është të ndërtoj ura e të kapërcej barriera. Më saktësisht, kjo do të thotë t’i zhdukim ato "flluska sociale" që i pengojnë njerëzit të takojnë të tjerët, të cilët e që nuk kanë pikëpamje të ngjashme ose identike me të tyret dhe që në vend të kësaj e shtyjnë njëri-tjetrin drejt përçarjeve dhe tensioneve gjithnjë e më të mëdha. Nuk duhet të harrojmë kurrë se Krishti është mbi të gjitha fraksionet dhe grupet e interesit, dhe se vetëm në Të mund të jemi vërtet një, siç është e qartë nga motoja e Papës, "In illo uno unum". Kjo përkon edhe me moton time ipeshkvnore "Pax vobis". Krishti sjell paqe, dhe në Të ne jemi një. Zoti është Ati ynë i përbashkët; ne të gjithë jemi motra dhe vëllezër. Mendoj se është e nevojshme sot, për veten tonë dhe për botën në të cilën jetojmë, ta dëshmojmë atë që është thënë për të krishterët në Veprat e Apostujve: ata ishin njerëz, që qëndronin të bashkuar fort.
Si mund të punojmë për të bashkuar ose për të pajtuar një Kishë të polarizuar?
Është e nevojshme të dialogosh e, mbi të gjitha, të dëgjosh. Po e mësoj këtë, e procesi sinodal po më ndihmon. Për më tepër, duhet kujtuar shërbimi i Kishës në shoqërinë civile. Kemi shkolla, kemi Caritas, kemi shumë mundësi për të kontribuar në jetën dinjitoze të përditshme të fqinjëve tanë. Atje ku fjalët dështojnë, sepse përjetojmë mbingarkesë informacioni, veprimi i udhëhequr nga dashuria mund të jehojë ende fuqimisht. Besoj se dëshmia dhe shërbimi i përbashkët i krishterë ndaj të tjerëve, së bashku me shpjegimin e arsyeve të shpresës sonë, siç thotë apostulli Pjetër në letrën e tij të parë (1 Pjetri 3:15), janë diçka që mund të kontribuojë si në unitetin e brendshëm, ashtu edhe në vlerësimin e mirë të jashtëm. Praga është e lidhur me jetën dhe vdekjen e Shën Gjonit të Nepomukut, i cili quhet "shenjtori mbrojtës i urave". Edhe ne, si ai, duhet të jemi "ndërtues urash" dhe, me qëndrimin tonë ndaj jetës, të lidhim brigjet, që shpesh duken të largëta e të pakapërcyeshme.
Është pastaj edhe çështja e formimit të brezave të rinj: nuk mund të mos vihet re interesimi i ri për Kishën Katolike në disa vende perëndimore. Cila është situata në Çeki?
Prirja është shumë e ngjashme me atë që vërehet në disa vende të Evropës Perëndimore, por tani për tani nuk është aq e dukshme sa në Francë, për shembull. E shoh këtu, në Dioqezën e Litoměřice: pagëzimet e të rriturve vijojnë, e po vijnë edhe thirrje të reja. Shumë varet nga dëshmia personale, autenticiteti i marrëdhënies sonë me Krishtin e, njëkohësisht, edhe vitaliteti i mjedisit të Kishës. Në këtë kuptim, të gjithë duhet të jemi vërtet vëllezër e motra, duke jetuar në miqësi. Një nga prioritetet e mia është kujdesi për presbiteratin. Nëse, si ipeshkëv, jetoj me priftërinj dhe diakonë në marrëdhënie të bazuar në bashkëpunim miqësor - dhe e ndërtoj presbiteratin mbi këtë miqësi njerëzore - do të kryejmë një vepër të madhe.
Në këtë mënyrë, do të tregojmë se të jetosh në Kishë, t'i shërbesh popullit të Zotit në Kishë e të jetosh në bashkësinë kishtare është tërheqëse. E në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të ngjallim edhe tek të tjerët dëshirën për të shërbyer kështu. Fillon me pagëzimin, por mund të vazhdojë edhe me thirrjet shpirtërore. E pata këtë përvojë në dioqezën e Litoměřices, një qytet vetëm një orë larg Pragës...