Shën Vlashi, mjeku martir që mbron nga të ligat e fytit
R.Sh. Vatikan
Meqenëse Vlashi shëroi mrekullisht një fëmijë të cilit i kishte mbetur një halë peshku në fyt, ai thirret në ndihmë ende sot e kësaj dite si mbrojtës kundër sëmundjeve të fytit. Rituali i "bekimit të fytit", i kryer me dy qirinj të kryqëzuar nën fyt, ka rrënjë të lashta.
Në shekullin VIII, disa armenë sollën reliktet e Shën Vlashit në Maratea, në jug të Italisë. Këtu nderohet si pajtor i vendit. Por edhe qyteti i vjetër i Raguzës, në Dalmaci, i cili sot quhet Dubrovnik, ka pajtor të vetin Shën Vlashin. Madje ky qytet në Mesjetë njihej si republika e Shën Vlashit.
Për jetën e këtij shenjti dihet mjaft pak. E vetmja gjë që duhet me siguri është besimi i tij në Krishtin, të cilin ai e ruajti deri në vdekjen e tij.
Ipeshkëv dhe mjek
Tradita thotë se Vlashi ishte me zanafillë nga Sebastja, Armeni, ku kaloi rininë e tij, duke u marrë kryesisht me studime mjekësore. Pasi u bë ipeshkëv, ai iu përkushtua shëndetit të trupit dhe të shpirtit të popullit dhe, siç thotë tradita, shëroi edhe njerëz për mrekulli. Erdhi një kohë kur kushtet e jetës për të krishterët u përkeqësuan si pasojë e konflikteve midis perandorit të lindjes Licinius dhe atij të perëndimit, Kostandin, të cilat çuan në përndjekje të reja. Për t'i shpëtuar dhunës, Vlashi gjeti strehë në një shpellë në malin Argeo, duke jetuar në vetmi dhe lutje.
Mrekullia e fytit
Kur e arrestuan, rojet e guvernatorit Agricola e çuan në gjyq. Gjatë rrugës, Vlashi ndeshi në një nënë të dëshpëruar që mbante në krahë djalin e saj të mitur, i cili po mbytej nga një halë peshku në fyt. Ipeshkvi e bekoi dhe djaloshit i kaloi menjëherë e keqja. Por as kjo vepër bamirësie nuk mjaftoi për ta shpëtuar nga martirizimi.
Mbytja e anijes me relike
Pas vdekjes së tij, Vlashi u varros në katedralen e Sebastes, por në vitin 723, një pjesë e eshtrave të tij u soll në Romë. Megjithatë, gjatë udhëtimit, një stuhi e papritur bëri që anija të ndalej në Maratea, sot Bazilikata, një trevë ku ende sot e kësaj dite ka një nderim të posaçëm për këtë shenjt.
Vlashi është një nga ata shenjtorë më të përphapur ndër besimtarë, fama e të cilit ka arritur kudo, dhe për këtë arsye ai nderohet pothuajse kudo sot.
Nderim të veçantë ka pasur dhe ka për Shën Vlashin edhe në viset shqiptare. Emrin e tij e mbajnë jo vetëm njerëz por edhe fshatra – sipas Kishës së kushtuar këtij shenjti.
Kur Atë Jakob Coletti, bashkëautor i Atë Daniel Farlatit në veprën «Illyricum Sacrum» po përgatiste vëllimin VII kushtuar dioqezave të Arbërisë, mori një letër në vitin 1791 nga ipeshkvi i Lezhës, imzot Mëhill Kryezezi, i cili i shkruante se Shën Vlashi është martirizuar në Sebaste të Kurbinit, në Arbëri, dhe jo në Armeni. Në letrën e ipeshkvit gjendet edhe shprehja shqip «mbi gjytet t’Agrikolës», në Laç – gjë që e përcakton më së miri vendndodhjen e martirizimit. Ndonëse prelati ngulte këmbë se Shën Vlashi ishte martirizuar në Sebaste të Arbërisë, prap, nga ana historike nuk mund të pohojmë asgjë të saktë. Por duhet vënë në dukje, se nën shenjtnoren kushtuar Shën Andout në Laç, gjendet një shpellë e cila quhet shpella e Shën Vlashit.
Një kuriozitet, në shqip është përdorur edhe trajta femërore «Vlashe», emër ky i një banoreje nga Drishti, i cili del në një dokument të vitit 1402, botuar nga Milan Šufflay tek «Acta et Diplomata».
Shpesherë, emri «Vlash» përdorej ndër shqiptarët e Mesjetës duke e kombinuar me emrin «Marin», veçanërisht ndër arbërit e bregdetit të Adriatikut.