Ceama: Kishë me fytyrë sinodale, amazoniane e multikulturore
R. SH. / Vatikan
E frymëzuar nga teksti biblik, "Unë po bëj një gjë të re; pikërisht tani po mbin, a nuk e kuptoni?" (Isaia 43,19), Konferenca Kishtare e Amazonës (Ceama) po feston Asamblenë e saj të VI të Përgjithshme nga 16 deri më 19 mars, duke zgjedhur presidencën e re për periudhën 2026-2030 dhe duke rinovuar angazhimet e saj misionare dhe sinodale në territoret e Amazonës.
Presidenca e re e CEAMA-s përbëhet nga Kardinali Leonardo Steiner, OFM, i Kryedioqezës së Manaus, Brazil, si president; dhe nënkryetarët: Ati Jesús Huamán, i Vikariatit Apostolik të Puerto Maldonado, Peru; Juan Urañavi, i Vikariatit Apostolik të Ñuflo de Chávez, Bolivi; Marva Joy Hawksworth e Dioqezës së Georgetown, Gujanë; dhe Motra Sônia Mareia Pinho de Matos, e Kryedioqezës së Manaus, Brazil.
"Jemi mbledhur në Bogotá, Kolumbi, në asamblenë e CEAMA-s, Kishës së Amazonës. Po reflektojmë mbi misionin tonë, duke u thelluar në çështjen e tij dhe gjithashtu po kërkojmë horizonte të përbashkëta për veprimin e kishave tona të veçanta, dioqezave tona, prelaturave tona, vikariateve tona. Është një rrugë, që po e ndjekim dhe dëshirojmë ta vazhdojmë", tha Kardinali Leonardo Steiner.
Më pas ai raportoi se gjatë kësaj Asambleje të Përgjithshme, "u zgjodh një presidencë e re në vazhdim të ëndrrës së Papës Françeskut, për t'u shtrirë dorën kishave të Amazonës dhe për të qenë Kishë e mirëfilltë. Ne duam ta çojmë përpara këtë ëndërr të Papës Françesku, veçanërisht duke realizuar katër ëndrrat që ai i ndau bashkë me ne në Querida Amazonia. Po shqyrtojmë çështjen sociale, çështjen kulturore, çështjen ekologjike dhe gjithashtu, sigurisht, situatën tonë kishtare".
"Kjo është mënyrë për të qenë Kishë, Kishë thellësisht sinodale dhe misionare. Zoti ju bekoftë dhe Zoja jonë e Amazonës ju shoqëroftë gjithmonë".
E kjo presidencë e re është shenjë konkrete e sinodalitetit të promovuar nga CEAMA: Kishë që ecën së bashku, që vlerëson diversitetin e dhuratave dhe që sfidohet nga realiteti i territorit. Është gjithashtu shprehje e gjallë e ëndrrës së një Kishe me fytyrë amazoniane, ku ndërkulturaliteti, pjesëmarrja dhe bashkëpërgjegjësia janë shtylla themelore.
Marva Joy Hawksworth, Zëvendëspresidente e CEAMA
Duke përfaqësuar laikët e Amazonës, Marva Joy Hawksworth e Dioqezës së Georgetown, Gujanë, u zgjodh Zëvendëspresidente e CEAMA-s. Ajo i përket popullit Macushi dhe ka lindur në komunitetin Tipuru në Malet jugore Rupununi, ku kreu pjesën më të madhe të punës së saj edukative dhe komunitare.
"Këto ditët e fundit kanë qenë shumë informuese dhe interaktive. Kam mësuar shumë dhe kam marrë pjesë në gjithçka ka ndodhur. Ka qenë një kohë e mrekullueshme këtu, dhe sot jam zgjedhur zëvendëspresidente. Ishte një surprizë për mua, surprizë totale. E di që është angazhim i madh, përgjegjësi e madhe, por gjithashtu e di edhe se nuk jam vetëm", pohoi.
Karriera e saj është përqendruar në kontekstet rurale dhe indigjene, pohoi ka promovuar arsimin ndërkulturor që forcon identitetin, gjuhën dhe traditat e popujve indigjenë. Puna e saj pedagogjike është karakterizuar nga integrimi i njohurive të paraardhësve dhe metodologjive bashkëkohore, duke krijuar procese kuptimplote edukative për brezat e rinj.
Amazona dhe komunikimi
Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Paolo Ruffini, foli gjatë asamblesë, duke theksuar rolin komunikativ të Kishës në komunikim në Amazonë: "Sfida komunikative është shumë e madhe në një sistem mediatik global të sunduar nga logjika komerciale ose gjeopolitike, që nuk kanë interes të rrëfejnë krizën ekologjike dhe historitë e Amazonës", tha ai.
"Nuk duhet ta ngatërrojmë komunikimin me përhapjen e thjeshtë të lajmeve. Lajmet janë të nevojshme, por kanë një cikël shumë të shkurtër dhe veprojnë brenda një hierarkie editoriale, që vendos se çfarë ka rëndësi dhe çfarë jo. Historia e Amazonës duket kur ka një katastrofë, kur ka një samit, kur ka vrasjen e një udhëheqësi indigjen", deklaroi Ruffini.
Ai gjithashtu ftoi "të veprohet në platformat mbizotëruese, pa e lejuar veten të kolonizohemi nga logjika e të njëjtit sistem mediatik, që e kufizon Amazonën. Komunikimi efektiv global për këto çështje kërkon, në vend të kësaj, një gramatikë shumëgjuhësh, secila me një funksion të ndryshëm dhe një audiencë të ndryshme".
"Këtu mund t'i jepni liri krijimtarisë suaj. Komunikimi juaj nuk duhet të jetë vetëm për Amazonën, por edhe nga Amazona".
Papa: misionarë në Amazonë
Papa Leoni XIV, në një mesazh video në fillim të Asamblesë VI të Ceama-s, i inkurajoi pjesëmarrësit "të vazhdojnë së bashku, barinj dhe besimtarë, në forcimin e identitetit të dishepujve misionarë në Amazonë. Vazhdoni të mbillni në brazdën e ujitur edhe nga gjaku i kaq shumë burrave dhe grave, që ju paraprinë dhe të cilët, të bashkuar me mundimet e Krishtit, u bënë rrënja e një 'peme gjigante', që rritet në Amazonë".
"Jam i kënaqur që Asambleja ka ndër objektivat e saj formulimin e Horizonteve Baritore Sinodale, të cilat mund të jenë mjet i dobishëm për të udhëhequr shpalljen 'e një Zoti që e do pafundësisht çdo qenie njerëzore, e që e ka manifestuar plotësisht këtë dashuri në Krishtin'”(Françesku, Nxitja Apostolike Post-Sinodale, Querida Amazonia, nr. 64)
Në këtë kohë të re, Ceama ripohon angazhimin për mbrojtjen e jetës, dinjitetin e popujve dhe kujdesin për Shtëpinë tonë të Përbashkët, duke ecur përkrah Amazonës me shpresë, besim dhe bindje të thellë misionare.