2026.02.17 Gerusalemme, Orto degli Ulivi, pace, Terra Santa (Amata J. Nowaszewska CSFN)

Çelësi i fjalëve të Kishës: paqja, dhuratë e Zotit

Marrëdhëniet ndërmjet njeriut dhe Hyjit përbëjnë themelin e paqes. Kur ato jetohen me ndershmëri dhe besnikëri, bëhen burim harmonie edhe në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Por, kur njeriu largohet nga rendi hyjnor, historia dëshmon se bota shkon drejt përçarjes, dhunës e konfliktit. Shkrimi Shenjt na kujton se aty ku mbizotëron dhuna, nuk mund të banojë paqja, sepse “paqja dhe dhuna nuk mund të qëndrojnë nën të njëjtën çati” (shih 1 Kor 22, 8-9)

R.SH. – Vatikan

Paqja është një nga argumentet më të rëndësishme të Doktrinës Shoqërore të Kishës, së cilës ia kemi kushtuar ciklin aktual të programit tonë të së enjtes. Në këtë emision, do të shohim, duke u bazuar në Bibël, se ajo është dhuratë e Hyjit dhe udhë për njerëzimin e përvijuar prej Tij.

Vërtet, para se të jetë projekt njerëzor apo përpjekje për të krijuar bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, paqja na tregohet si realitet, që buron nga vetë Hyji. Ajo është një nga shenjat më dalluese të qenies së Tij: “Zoti-Paqe”, thuhet në Librin e Gjyqtarëve (Gjq 6, 24). Në këtë dritë, i gjithë Krijimi, si pasqyrim i lavdisë hyjnore, flet për harmoni dhe rregull, duke dëshmuar një botë të menduar si botë e mirë dhe e bashkuar në çdo pjesë të saj (shih Zan 1).

Shkrimi Shenjt: aty ku mbizotëron dhuna, nuk mund të banojë paqja

Marrëdhëniet ndërmjet njeriut dhe Hyjit përbëjnë themelin e kësaj paqeje. Kur ato jetohen me ndershmëri dhe besnikëri, bëhen burim harmonie edhe në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Por, kur njeriu largohet nga rendi hyjnor, historia dëshmon se bota shkon drejt përçarjes, dhunës e konfliktit. Shkrimi Shenjt na kujton se aty ku mbizotëron dhuna, nuk mund të banojë paqja, sepse “paqja dhe dhuna nuk mund të qëndrojnë nën të njëjtën çati” (shih 1 Kor 22, 8-9).

Në Zbulesën biblike, paqja paraqitet si një dhuratë e madhe, shumë më tepër se mungesa e luftës. Ajo është plotësi jete, bekim dhe mirëqenie, që Hyji i dhuron popullit të Vet: “E sjelltë Zoti fytyrën e Vet drejt teje e ta dhëntë paqen” (Nr 6, 26). Kjo paqe sjell begati, siguri dhe gëzim të thellë, duke prekur çdo përmasë të jetës njerëzore.

Mesia, “Princi i paqes”

Horizonti i saj më i plotë hapet në vizionin mesianik, ku popujt thirren të ecin në udhët e Zotit dhe të zbulojnë shtigjet e paqes (shih Is 2, 2-5). Në këtë botë të re, drejtësia dhe paqja përqafohen: “Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen, drejtësia e paqja do të merren ngrykë” (Ps 85, 11). Vetë Mesia shpallet “Princ i paqes” (Is 9, 5), e sjell një paqe, që çliron nga frika dhe krijon një bashkësi të re.

Ky premtim gjen përmbushjen e vet në Jezu Krishtin, i cili është “Paqja jonë” (Ef 2, 14). Në Të, ndarjet shuhen dhe njeriu pajtohet me Hyjin dhe me vëllezërit. Në prag të Mundimeve, Biri i Hyjit u lë dishepujve të vet një dhuratë, që tejkalon çdo pritshmëri: “Po ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po jua jap siç e jep bota” (Gjn 14, 27). Edhe pas Ringjalljes, përshëndetja e Tij bëhet burim i vazhdueshëm jete: “Paqja me ju!”.

Paqja e Krishtit

Paqja e Krishtit konkretizohet në jetën e përditshme si pajtim i dyfishtë: me Atin Qiellor dhe me vëllezërit. Lutja “Ati ynë” e shpreh qartë këtë lidhje, duke bashkuar faljen e marrë me faljen e dhënë: “na i fal fajet tona, sikurse ua falëm ne fajtorëve tanë!” (Mt 6, 12). Kështu, ai që e jeton këtë pajtim bëhet veprimtar për paqen dhe dëshmitar i Mbretërisë së Zotit: “Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit” (Mt 5, 9).

Kumtimi i Ungjillit mbetet gjithmonë kumtim paqeje, “lajmi i mirë i paqes” (shih Vap 10, 36). Në qendër të tij qëndron misteri i Kryqit, ku Krishti shkatërron armiqësinë dhe vendos pajtimin: “me anë të kryqit, duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë” (Ef 2, 16). Paqja, kështu, nuk është ide abstrakte, por një realitet, që lind nga dashuria e dhuruar deri në fund.

Paqja, fryt i drejtësisë dhe i dashurisë

Paqja është thirrje universale, që i drejtohet çdo njeriu dhe çdo populli. Ajo mbështetet në rendin moral, që e ka burimin në vetë Hyjin dhe kërkon ndërtimin e një shoqërie të bazuar në drejtësi dhe në respektimin e dinjitetit njerëzor. Nuk mjafton mungesa e konfliktit: paqja kërkon një vizion të plotë për njeriun dhe për të mirën e përbashkët, nënvizon Kisha Katolike.

“Paqja është fryt i drejtësisë” (Is 32, 17), sepse aty ku njeriut i njihet dinjiteti dhe të drejtat e tij, lind harmonia e vërtetë. Por ajo është edhe fryt i dashurisë, e cila shkon përtej drejtësisë dhe krijon marrëdhënie të reja, të karakterizuara nga falja dhe mirëkuptimi (Piu XI, enc. Ubi arcano, 686). Kjo paqe arrihet çdo ditë, në gjestet e vogla dhe në vendimet konkrete (Pali VI, enc. Populorum progressio, 76). Ajo lind në zemrën e njeriut dhe zgjerohet në familje, në shoqëri dhe ndër popuj, duke krijuar një kulturë, që i reziston dhunës dhe përçarjes (Katekizmi i Kishës Katolike, 2317). Vetëm në këtë mënyrë mund të lulëzojë një bashkësi e vërtetë paqësore, pohon Doktrina Shoqërore e Kishës.

Dhuna, përkundrazi, mbetet gjithmonë një rrugë e gabuar. “Dhuna është e keqe… nuk është e denjë për njeriun” (Gjon Pali II, Fjalim në Drogheda, Irlandë (29 shtator 1979), 9). Ajo shkatërron pikërisht atë që pretendon të mbrojë: jetën, dinjitetin dhe lirinë. Për këtë arsye, bota ka nevojë për dëshmitarë të paqes, për ata që, pavarësisht nga brishtësia e tyre, si profetë të paarmatosur (Gjon Pali II, Fjalim në Akademinë Papnore të Shkencave (12 nëntor 1983), 5), zgjedhin rrugën e dialogut dhe të drejtësisë. Në këtë udhë, paqja është dhuratë e detyrë njëkohësisht: dhuratë, që merret nga Hyji dhe përgjegjësi, që duhet jetuar çdo ditë, me besnikëri dhe shpresë.

19 mars 2026, 09:16