E Diela e Larit dhe e Mundimeve të Zotit, viti “A”
R.Sh. Vatikan
E qitën, pra, Jezusin para qeveritarit. Qeveritari e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?» Jezusi i përgjigji: «Vetë po thua!» E ndërsa kryepriftërinjtë e pleqtë e paditnin, – s’përgjigji asnjë fjalë. Atëherë e pyeti Pilati: «A nuk po dëgjon sa rëndë po dëshmojnë kundër teje?» Jezusi nuk i përgjigji në asnji fjalë, kështu që qeveritari u habit së tepërmi.
Për të kremten e Pashkëve qeveritari e kishte zakon t’ia falë popullit atë të burgosur, që populli kërkonte. Tashti, aso here, ishte i burgosur një njeri i përmendur për të keq, që quhej Barabba. […]
Me leximin e Mundimeve të Zotit Jezu Krisht, fillojnë ditët qendrore të vitit, ato nga të cilat rrjedh, dhe, drejt të cilave na drejton gjithë besimi ynë. Është kjo kohë që ende sot e kësaj dite na bën të dashurohemi.
A doni të dini diçka rreth jush dhe Meje? – thotë Zoti – Unë po ju caktoj një takim: një njeri në kryq. Kryqi është pamja më e pastër dhe më e lartë që Zoti i ka dhënë vetes. E nga ana tjetër, megjithatë, është një pyetje gjithmonë kumbuese.
«Me zor, asgjëja» e David Maria Turoldo-s:
Jo, të besosh te Pashkët nuk është
Besim i drejtë:
tepër bukur që je te Pashkët!
Besimi i vërtetë
Është të Premten e Madhe
Kur ti nuk ishte atje lart
Kur asnjë jehonë nuk iu përgjigj
Britmës së tij të madhe
Dhe me zor asgjëja
I dha trajtë
Mungesës sate
Para këtij, Jezusi pati një takim tjetër, një takim poshtë. Atëherë kur ngjeshi peshqirin në brez dhe u përkul t’u lante këmbët të vetëve. Kush është Hyji? Ai që më lan këmbët. Ka rënë në gjunj para meje. Duart e tij prekin këmbët e mia. Përnjëmend, ashtu si Pjetri do të doja të thosha: «Lëre, mjaft, mos bëj kështu. Kjo është e tepërt!». Ndërsa Ai thotë: «Jam si skllavi që të pret, e që kur ti kthehesh, të lan këmbët».
Ka të drejtë Pali: Krishtërimi është shkandull dhe marrëzi. Hyji është kështu, është një puthje për atë që e tradhëton, nuk thyen dysh dikë tjetër, thyen Veten. Nuk derdh gjakun e askujt, derdh të Vetin. Nuk kërkon më shumë blatime, blaton veten.
Mënyra si e kemi menduar Hyjin ndryshon krejtësisht, çdo frikë që kemi prej Tij. Dhe kjo gjë na lejon të kthehemi e ta duam si të dashuruar, jo si të nënshtruar.
Bukuria e epërme e historisë shprehet te ajo ngjarje që ndodhi jashtë Jeruzalemit, në kodër, aty ku Biri i Hyjit, i varfër dhe i zhveshur, e la veten të gozhdohej në një dru, që të vdiste për dashurinë.
Ky është guri themelor i besimit të krishterë, kjo është gjëja më e bukur e botës: i bukur është ai që dashuron, fort i bukur është ai që dashuron deri në fund.
Këtë gjë e kuptoi i pari, jo një prej dishepujve por një i huaj, një centurion pagan që tha: «Ky me të vërtetë ishte i Biri i Hyjit». Nuk e kuptoi ngaqë u hap një varr, as pse shkrepi një rrufe, por nga lakuriqësia e asaj të Premte, kur pa atë burrë në kryq, në atë shesh vdekjeje, në fronin e poshtërimit, një ushtar që thotë: «Ky me të vërtetë qe Biri i Hyjit». Ngaqë pau dikë që vdiq për dashuri, e kuptoi se këtë gjë e bën vetëm Hyji.
Kishte aty edhe shumë gra që rrinin e vështronin nga larg. Në atë shikim, që ndriste nga dashuria dhe lotët, në atë vështrim që rrokte kryqin, aty u lind edhe Kisha. Dhe rilind çdo ditë tek ata që kur vështrojnë drejt Krishtit – i cili kryqëzohet ende sot – kanë të njëjtin shikim ku dashuria dhe dhimbja përzihen bashkë e që qarkullon nëpër damarët e botës si një energji e vrullshme Pashkësh.
«Nga fundi», i autorit Jan Twardowski:
Fillon nga të Ngjallurit
Nga Varri i zbrazët
Nga Zoja Jonë e Galdimit
Atëherë edhe kryqi do të sjellë gëzim
Mos mendoni se jam vajtojce
Thotë Zoja Jonë
Njëherë e njëkohë ishte kështu
Tashti është ndryshe
Fillon nga Varri i zbrazët
Nga dielli
Ungjilli lexohet si hebraishtja:
Nga fundi