Hyrja e Jezusit në Jerusalem Hyrja e Jezusit në Jerusalem

Të meditojmë Ungjillin e Dielës së Larit: “Po vjen Mesia!”

“Po vjen Mesia!” / Hapat e tu po shkelin/ në udhë t’ Jeruzalemit. / Ti ecën, e di se turma po të pret…/Mesinë pret padurueshëm. /Ecin e presin…/ Presin Mesinë që të keqen ta shkulë/.. Në fytyrën tënde shikojmë,/faqen më të ndritur të jetës, /e më të panjollë! /Erdh koha e zgjimit! /Si diell na depërton ndër dej! /Një rreze e vetme/që ndrit e na prin/ në rrugën tonë drejt qiellit!

R.SH. - Vatikan

E Diela e Larit është porta e Javës së Madhe të Pashkëve. Liturgjia e Fjalës bashkon triumfin me dhimbjen, duke na ftuar ta shohim Jezusin si Shërbëtorin besnik deri në fund. Kështu, kjo e diel përqendrohet në kontrastin midis hyrjes mbretërore të Jezu Krishtit në Jeruzalem dhe Mundimeve, duke vënë në dukje tradhtinë, vetminë e Jezusit dhe besnikërinë e Atit. Teksti ni Ungjillit ënvizon lirinë e Jezusit në dhurimin e vetvetes dhe kuptimin e thellë të kryqit.

Ungjilli i Mateut në kreun 21, 1-11 kujton hyrjen e Jezusit në Jeruzalem dhe në kreun 26, 14 – 27, 66 (historinë e mundimeve të Krishtit dhe nënvizon:

    mbretërinë e përvuajtur: Jezusi hyn si mbret i paqes, jo i pushtetit, duke kalëruar mbi një gomar.

    Pastaj kemi Orën e mundimeve: Jezusi pranon lirisht sprovën, duke u përballur me tradhtinë e Judës dhe braktisjen nga dishepujt.

    Së fundi kemi kundrimin e Kryqit: Mundimi i Jezu Krishtit si rrëfim i dhurimit të vetvetes, që kërkon një vështrim feje.

Përkujtimi i hyrjes së Jezu Krishtit në Jerusalem 

Ungjilli (Mt 21, 1-11)

Nga Ungjilli shenjt sipas Mateut

Kur iu afruan Jerusalemit e mbërritën në Betfage, në malin e Ullinjve, atëherë Jezusi dërgoi dy nxënës e u tha: “Shkoni në fshat që është kundruall! Aty menjëherë do të gjeni një gomare të lidhur e me të një gaç. Zgjidhni e m’i sillni! Nëse ndokush ju thotë gjë, thoni: ‘Po i duhen zotërisë’, dhe menjëherë do t’i lëshojë.” Ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala e profetit që thotë: “Thoni qytetit Sion: Ja, Mbreti yt po vjen te ti i butë, kalor mbi gomare e mbi gaç, zog të gomares”. Nxënësit shkuan e bënë siç u urdhëroi Jezusi, sollën gomarin e kërriçin. Mbi ta vunë petkat e veta, e Jezusi hypi mbi to. Moria e popullit shtroi petkat e veta gjatë rrugës e tjerët thenin degë lisash dhe i qitnin rrugës, e populli, që shkonte para e pas tij, brohoriste: “Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në Emër të Zotit! Hosana në qiejt më të lartat!” Kur Jezusi hyri në Jerusalem, mbarë qyteti u çua në këmbë dhe pyeste: “Kush është?” E turma i përgjigjej: “Ky është Profeti, Jezusi prej Nazaretit të Galilesë!”.

Meditim mbi Liturgjinë e së Dielës së Larit: “Po vjen Mesia!”

 

“Po vjen Mesia!”

Hapat e tu po shkelin

në udhë t’ Jeruzalemit.

Shtegtimi po mbërrin në cak...

Erdhi dhe çasti të hysh në Qytetin Shenjt,

për të shkuar der’ në fund të fundit

të kushtojë sa të kushtojë

edhe vetë jetën!

 

Ti ecën, e di se turma po të pret…

Mesinë pret padurueshëm.

Ëndrrat e njerzve ngatërrohen

shtegut me hapat e Tu…

Ecin e presin…

 

Presin Mesinë që të keqen ta shkulë

e ta pëmbysë me shpatë.

Se e keqja veç forcën kupton,

e zhduket veç me kamxhik.

Kështu mendon turma, që të vjen pas

e kështu shpreson!

Dhe unë, mes turmës dëshiroj

ta shoh të keqen

të shembur përdhe.

 

Të shoh kah fshikullon kamxhiku,

mbi shpinë të atij që shtyp,

e të flaken në fund të ferrit,

planet e maskarenjve,

shestimet e mashtruesve,

që botën e shkelin nën thembër.

 

Një botë e tërë sot lëviz pas Teje,

e Ti e di se armiqësia

të rrethon nga të katër anët...

Se farizenjtë s’e falin

atë që flet për mëshirë.

Priftërinjtë s'mund t'i durojnë,

fjalët e tua të zjarrta,

kamxhikun që fishk’llon për fe

në tempull, shndërruar në treg

ku shitet e blihet pa turp

kombi e shpirti!  

Po ti i njeh edhe njerëzit e thjeshtë

e di se gati janë ta hapin shpirtin

për mëshirën tënde,

ngushëllimin tënd,

ilaç për zemrat e thyera.

 

Për to erdhe në botë:

për njerëzit e dërmuar,

që ecin zemërplasur,

e presin prej teje shpëtimin.

Për ta po hyn ngadhënjyes

në Jeruzalem.

 

Larg nesh myku i mendimeve të vjetra.

Në fytyrën tënde shikojmë,

faqen më të ndritur të jetës,

e më të panjollë!

Erdh koha e zgjimit!

Si diell na depërton ndër dej!

Një rreze e vetme

që ndrit  e na prin

në rrugën tonë drejt qiellit!

 

 

28 mars 2026, 15:41