Jerusalemi kremton Pashkët nën hijen e luftës
R.SH. - Vatikan
Jerusalemi, qyteti ku gjithçka flet për Pashkët e Krishtit, po përgatitet t’i jetojë ato në heshtje. Jo në heshtjen e mbushur me pritjen e liturgjive, por në heshtjen e imponuar nga lufta. Patriarku latin i Jerusalemit, kardinali Pierbattista Pizzaballa, nuk e fsheh shqetësimin e tij për gjendjen e krijuar në vend pas fillimit të konfliktit me Iranin, që i shtohet atij izraelito-palestinez. Plaga e hapur në shpirtin e besimtarëve me vendimin izraelit për mbylljen e vendeve të kultit, gjë që i penalizoi rëndë si të krishterët, që përjetonin Krezhmët, ashtu edhe myslimanët, që përjetonin Ramazanin, sipas prelatit, i cili u shkruan katolikëve nga faqja e internetit e Patriarkatit, nuk është vetëm organizative, por thellësisht shpirtërore.
“Ka qenë e pamundur ta jetojmë rrugëtimin tradicional të Kreshmëve”, shkruan ai në një letër për besimtarët, publikuar të diel, më 22 mars. Një mungesë, që ndihet sidomos në vendet simbol të fesë së krishterë, duke nisur nga Varri i Shenjtë, zemra e kremtimeve të Pashkëve.
Java Shenjte e Pashkëve, që çdo vit mbledh mijëra shtegtarë nga e gjithë bota, këtë vit pritet të jetë ndryshe: pa turma, pa procesione, pa atë bashkim që shoqëron gjithmonë ritet.
Kufizimet e luftës
Konflikti në vijim me Iranin vazhdon të ndikojë rëndë në jetën e Qytetit Shenjt. Edhe tensionet ndërmjet Izraelit dhe Territoreve Palestineze, me pasoja në Jeruzalemin Lindor, e bëjnë të vështirë çdo formë grumbullimi dhe lëvizjeje. Gjatë muajve të fundit, hyrja në Vendet e Shenjta është kufizuar nga kontrolle, leje dhe masa sigurie. Autoritetet civile dhe fetare mbeten në dialog të vazhdueshëm, por – siç pranon vetë Patriarku – “është e pamundur të jepen udhëzime përfundimtare”. Kremtimet do të vendosen ditë pas dite, në një klimë pasigurie, që pasqyron brishtësinë e situatës.
Kremtimet ndryshojnë formë
Disa nga kremtimet tradicionale të Javës Shenjte nuk do të zhvillohen, sqaron me trishtim Patriarku. Për shembull, procesioni historik i së Dielës së Larit, që nga Mali i Ullinjve zbret drejt qytetit, është anuluar. Në vend të tij, do të ketë një moment lutjeje për Jeruzalemin, në një formë ende për t’u përcaktuar. Edhe Mesha e Bagmit, kremtim qendror për klerin, është shtyrë me miratimin e Dikasterit vatikanas për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, shenjë e një situate, që s’është aspak normale. Megjithatë, kishat do të mbeten të hapura. Ky vendim i Patriarkatit synon të ruajë të paktën një hapësirë për lutje personale dhe komunitare, edhe pse me kufizime.
Plaga shpirtërore e një Pashke “të paplotë”
Nuk është vetëm çështje organizative. “Është plagë”, shkruan Pizzaballa. Pamundësia për të kremtuar së bashku Pashkët u shtohet vuajtjeve të shumta të shkaktuara nga lufta: humbje jetësh, frikë, ndarje. Megjithatë, pikërisht nga kjo brishtësi lind thirrja për të mos u dorëzuar para dëshpërimit. Feja, kujton Patriarku, nuk kufizohet në kremtimet e mëdha, por gjen forcë edhe në lutjen e heshtur, familjare, të përditshme.
Një popull i bashkuar në lutje
Prandaj, kardinali Pizzaballa propozon një ditë të veçantë, 28 marsin, për të thënë Rruzaren kudo, në shtëpi dhe në bashkësitë fetare, me një qëllim të vetëm: lutjen për paqe. Një gjest i thjeshtë, por që në traditën e krishterë bëhet përgjigje konkrete kundër dhunës. “Të lutemi gjithmonë, pa u lodhur kurrë”, kujton Patriarku ftesën e Jezu Krishtit në Ungjill (Lk 18,1). Në një qytet të ndarë dhe nën tension, lutja bëhet kështu e vetmja hapësirë vërtet e lirë.
Shpresa përtej konfliktit
Në fund të fundit, edhe në kohë lufte, edhe pa procesione, edhe pa tubime të mëdha, mbetet thelbi i mesazhit të Pashkëve. Pashkët, kujton kardinali Pizzaballa, flasin për një varr të zbrazët. Për një jetë, që fiton mbi vdekjen. Për një dritë, që depërton çdo errësirë. E ndoshta, pikërisht në Jeruzalem, sot i kërrusur nga dhimbja, ky Lajm i Mirë merr kuptimin e tij më të thellë: asnjë luftë nuk mund ta ketë fjalën e fundit.