2026.03.24 Albania Calvario di un popolo - mons. Angelo Massafra

Kalvari i popullit shqiptar. Imzot Massafra paraqet një dokumentar në Pulje

Të enjten, më 26 mars, në orën 19.15, famullia e Trinisë Shenjte në Manduria të Italisë, në provincën puljeze të Tarantos, do të projektojë një dokumetar të realizuar kohë më parë nga Qendra e atëhershme Televizive e Vatikanit. Titulli: “Shqipëria, Kalvari i një populli”. I pranishëm kryeipeshkvi i nderit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra

R.SH. – Vatikan

         “Nga viti 1945 deri në vitin 1990, kur partia komuniste e Enver Hoxhës mori në dorë pushtetin në Shqipëri, shpërtheu një përsekutim i egër kundër të gjitha feve, në veçanti, kundër Kishës Katolike”. Fillon kështu njoftimi i famullisë së Trinisë Shenjte në Manduria të Italisë, në provincën puljeze të Tarantos, që i lajmëron besimtarët katolikë për projektimin e një dokumetari të realizuar kohë më parë nga Qendra e atëhershme Televizive e Vatikanit. Titulli: “Shqipëria, Kalvari i një populli”, shpreh qartë atë që kaloi vendi i shqipeve gjatë viteve të diktaturës.

         Në vazhdën e veprimtarive, që përfshijnë ditën e sotme, 24 mars, në të cilën kremtohet Dita e Misionarëve Martirë, famullia puljeze ka thirrur kryeipeshkvin e nderit të Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra-n për të qenë i pranishëm në projektimin e dokumentarit e për t’u folur besimtarëve italianë mbi përvojën e tij shumëvjeçare në Shqipëri, në krye të kryedioqezës metropolite veriore. Dokumentari do të transmetohet të enjten, më 26 mars, në orën 19.15.

         Pikërisht, për t’i sqaruar më mirë besimtarët, njoftimi vijon: “Në vitin 1967 Shqipëria u shpall ‘shteti i parë ateist në botë’. Çdo fe u deklarua e jashtëligjshme: vendet e kultit u përdhosën, u shkatërruan, ose u transformuan; ipeshkvij, meshtarë e laikë u arrestuan, u torturuan, u internuan për punë të detyruar dhe/ose u pushkatuan”. Sqarim i nevojshëm për italianët edhe fraza, që mbyll njoftimin: “Më 1991 ngadhnjeu feja”.

         Kujtojmë se Dita e Misionarëve Martirë kremtohet çdo vit më 24 mars, përvjetori i vrasjes së kryeipeshkvit Óscar Romero të San Salvadorit, pikërisht më 24 mars 1980. Kjo Ditë nderon të gjithë misionarët, që ia kushtuan jetën kumtimit të Ungjillit dhe shërbimit ndaj të tjerëve.

Imzot Angelo Massafra
Imzot Angelo Massafra

         Më hollësisht, të dëgjojmë vetëm imzot Angelo Massafrën…

Dëgjoni kryeipeshkvin Massafra...
24 mars 2026, 10:48