Kard. Pizzaballa nga Gjetsemani: moment shumë i ndërlikuar, duam paqe
R.SH. - Vatikan
Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jerusalemit, udhëhoqi nga Gjetsemani, rrëzë Malit të Ullinjve, lutjen e posaçme për paqen në solemnitetin e Dielës së Larit. Lutja u zhvillua vetëm pak orë pasi autoritetet izraelite bllokuan vetë kard. Pizzaballa-n dhe Atë Francesco Ielpo-n, rojtar i Tokës së Shenjtë, që të hynin në Bazilikën e Varrit të Shenjtë të Jezusin për kremtimin e Meshës.
Pizzaballa: duam paqe dhe vëllazërim
"Po jetojmë një situatë shumë të ndërlikuar", "jemi bashkuar sepse duam të ndërtojmë paqen, vëllazërimin", theksoi Patriarku në fillim të kremtimit, i cili u zhvillua pa praninë e shtegtarëve.
Pa procesion, pa palma
Sot – vërejti ai – "në këtë pasdite të së Dielës së Larit, jemi këtu pa procesionin, pa palmat e degët e ullinjve që valëviten rrugëve". Dhe "kjo nuk është një mungesë formale, por i detyrohet luftës, e cila ka pezulluar rrugëtimin tonë festiv, duke bërë të vështirë madje edhe gëzimin e thjeshtë të ndjekjes së Mbretit tonë, Jezu Krishtit. Vëllezërit dhe motrat tona të Tokës së Shenjtë sot nuk mund të mbushin rrugët, as të bashkojnë zërin e tyre me kortezhin festiv", tha ai. Megjithatë, "mungesa e tyre nuk është boshllëk para Zotit", sepse "Ai nuk kërkon rrugë triumfale, Ai hyn atje ku dera është paksa e hapur, atje ku besnikëria është buka e përditshme".
I Ngjalluri mes nesh, edhe kur rruga është e bllokuar
"I Kryqëzuari i Ngjallur, Jezusi, nuk rresht së kaluari mes nesh. Edhe kur rruga është e bllokuar – nënvizoi kard. Pizzaballa duke folur nga një altar i Bazilikës së Gjetsemanit me pamje nga muret e Qytetit të Shenjtë, Jeruzalemit, i rrethuar nga bashkëkremtues të shumtë – Ai banon në zemrën e atij që nuk ka rreshtur së ndjekuri Atë. Por pikërisht në këtë heshtje të detyruar, kjo liturgji bëhet më e vërtetë. Sepse britma 'Hosana' nuk ka nevojë për degë që të ngjitet në qiell, dhe feja nuk përkulet kur i mungojnë ritet e jashtme".
Jezusi qan mbi Jerusalemin dhe mbi Tokën e Shenjtë pa paqe
Por "sot Jezusi kthehet të qajë mbi Jerusalemin", tha më tej kard. Pizzaballa. "Qan mbi këtë qytet që mbetet shenjë shprese dhe dhimbjeje, hiri dhe vuajtjeje. Qan mbi këtë Tokë të Shenjtë që ende nuk di ta njohë dhuratën e paqes". Dhe shtoi: "Jezu Krishti qan mbi të gjitha viktimat e një lufte që nuk jep shenja se do të përfundojë, mbi familjet e ndara, mbi shpresat e thyera. Por lotët e Jezusit nuk janë kurrë sterilë: ata na hapin sytë, na sfidojnë dhe na zbulojnë të vërtetën".
Dëshmitarë të një dashurie që nuk dorëzohet
Prandaj, vijoi më tej kard. Pizzaballa, "në këtë tokë që vazhdon të presë paqen, ne jemi të thirrur të jemi dëshmitarë të një dashurie që nuk dorëzohet. Qoftë rrugëtimi ynë i fesë, edhe sot, një rrugëtim shprese. Dhe qoftë jeta jonë, edhe në ashpërsinë e së tashmes, e aftë të sjellë dashurinë e Krishtit dhe dritën e Tij atje ku gjithçka duket errësirë".
Pushteti i vërtetë nuk është te dhuna
Duke komentuar Mundimet e Krishtit, Patriarku u ndal më pas te tradhtia e Judës, te mohimi i Pjetrit, te heshtja e Pilatit dhe te britmat e turmës që kërkonte kryqin dhe vdekjen e Jezusit, por edhe te figura e centurionit romak: "Ai zbulon se pushteti i vërtetë nuk qëndron te dhuna apo te shpata që vret, por në një jetë të dhuruar lirisht". Dhe kështu, në atë çast dramatik, "ai bën dëshminë më të lartë: ky njeri është Biri i Hyjit. Pikërisht në momentin kur vdekja duket se triumfon, e vërteta zbulohet, dashuria manifestohet dhe shpëtimi përmbushet".
Paqja është fryt i kryqit: Zoti dhurohet plotësisht
Edhe "sot, ndërsa lufta duket se mbyt çdo fjalë paqeje, këtu – ku Jezusi qau – mund të dëgjojmë të jehojë po ajo dëshmi. Fjala e fundit e Zotit është varri i zbrazët. Është Zoti Ai që u prin dishepujve në Galile dhe që na prin edhe neve, duke na udhëhequr drejt një paqeje që nuk është iluzion, por fryt i kryqit", tha kardinali Pizzaballa.
Prandaj, "paqja që ofron Jezusi nuk është një marrëveshje e brishtë mes armiqve, por një paqe e lindur nga kryqi, një paqe që vjen nga një Zot që dhurohet plotësisht dhe nuk ka nevojë për forcë e as për armë. Ky është paradoksi që jemi të thirrur të pranojmë sot". Sepse "Jerusalemi, Toka e Shenjtë, nuk është vetëm një vend gjeografik; është zemra rrahëse e fesë sonë. Çdo gur këtu flet për shpëtim; çdo kodër mbart kujtimin e Zotit që zgjodhi të na afrohet", shtoi ai. Për këtë arsye, "të jetosh fenë në këtë tokë do të thotë të pranosh kundërshtinë që ajo mishëron: vendi i ngjalljes është gjithashtu vendi i Kalvarit; vendi i përqafimit të Zotit është ende i shënjuar nga tepër urrejtje".
Të mbajmë kryqin dhe të bëhemi ndërtues të pajtimit
Megjithatë, pikërisht nga ky vend i shenjtë "mësojmë ta shikojmë qytetin me sytë e Krishtit. Mësojmë të qajmë me Të, por edhe të shpresojmë me Të. Sepse i njëjti Jerusalem që dëboi Princin e Paqes, pa gjithashtu edhe varrin e zbrazët. Lufta nuk do ta fshijë ngjalljen. Dhimbja nuk do ta fikë shpresën", përfundoi patriarku. Sot, pa palma, pa degë ullinjsh, "ne mbajmë në vend të tyre kryqin – jo si një barrë të kotë, por si burimin e paqes së vërtetë. Nuk valëvitim degë ulliri; në vend të kësaj, zgjedhim të bëhemi ndërtues të pajtimit, përmes çdo gjesti, çdo fjale dhe çdo marrëdhënieje".