Kardinali Ernest Simoni, para trupit të Shën Françeskut në Asizi

Këtyre ditëve. në agim, Kardinali shqiptar Ernest Simoni u largua nga Firence, qytet që e adoptoi e ku u zhvendos 10 vjet më parë - për të arritur në Asizi, me një grup të madh besimtarësh nga Kryedioqeza e Firencës. Kardinali nëntëdhjetë e shtatë vjeçar Ernest Simoni, françeskan në zemër, u prek thellë në lutje para trupit të Shën Françeskut

R.SH. / Vatikan

Kardinali Ernest Simoni, tani pothuajse njëqindvjeçar, nuk donte të humbiste nderimin e trupit të Shën Françeskut të Asizit në ekspozimin e jashtëzakonshëm të mbetjeve të tij mortore gjatë jubileut, 800-vjetorit të vdekjes së Shenjtit.

Dom Ernesti njihet në mbarë botën për jetën e tij të jashtëzakonshme e shembullore: njeri paqeje, që jetoi në dritën e Ungjillit e besnik ndaj Kishës Shenjte dhe Atit Shenjt. Në moshën 10 vjeçare, me një thirrje shpirtërore të pakundërshtuehme, hyri për herë të parë në kuvendin françeskan, ku mori emrin Vëlla Enriku, e realizoi dëshirën e madhe për të jetuar në varfëri, duke ndjekur shembullin e "Varfanjakut të Asizit".

Dëshira e tij për ta jetuar kështu gjithë shtegtimin e tij tokësor, u zhduk papritmas kur, pas 10 vjetësh kaluar në Kishë, në shkollë e në konvikt, regjimi i diktatorit Enver Hoxha urdhëroi mbylljen e të gjitha kishave. I mbylli, duke e quajtur më vonë Shqipërinë, në kushtetutën e “tij”, “shteti i vetëm ateist në botë”, e duke i ndaluar të gjitha fetë.

Françeskanët, që i përkisnin Urdhrit të Fretërve të Vegjël, themeluesit e urdhërit dhe eprorët e të riut Ernest Simoni, u burgosën, u torturuan e u ekzekutuan me pushkatim. Vdiqën ndër skuta që sot quhen “të panjohura”, duke brohoritur "Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipëria!"

Këto ekzekutime u kryen para të rinjve, të cilët nuk vonoi e u pushkatuan, të akuzuar si armiq të betuar të popullit.

Makina, që e shoqëronte Dom Ernestin, si i pëlqen ta thërrasin, veshur me purpurën e kardinalit prej gati 10 vjetësh, sipas dëshirës së Atit të Shenjtë të paharrueshëm, Françeskut, mezi arriti në Sacro Convento, në Asizi, ndërsa qindra, mijëra shtegtarë nga mbarë bota, të cilët po ngjiteshin në Bazilikë, e njohën sakaq Kardinalin shqiptar dhe e ndaluan makinën e tyre për ta përshëndetur dhe për të marrë bekimin e Tij.

Hirësia e Tij Ernest Simoni, në moshën e nderuar, duke mos kursyer asnjë përpjekje, e me zellin baritor, dilte vazhdimisht nga makina, për t'u takuar personalisht me besimtarët dhe për t’u dhuruar ledhatimin e Kishës.

Françeskanët e pranishëm në Asizi u prekën thellë duke e parë meshtarin e moshuar, të zhytur në lutje të thellë, frat françeskan përgjithmonë, por tani i veshur me purpurën e shenjtë e me kësulën e kardinalit, mbështetur në faltoren që mban trupin e Shën Françeskut.

Kardinali shqiptar, i përshkruar vazhdimisht nga Papa Françesku si "martir i gjallë", vazhdoi shtegtimin e tij në Asizi, duke kremtuar Meshën Shenjte në Protomonastirin e Shën Kiarës, ku u lut tek këmbët e Shenjtores dhe më pas u takua me bijat e dashura të Shën Kiarës, brenda klauzurës.

Më pas e përfundoi ditën e tij në Asizi ndërmjet shumë angazhimeve publike, duke u ndalur në Shenjtëroren e zhveshjes së Shën Françeskut, ku u lut para trupit të Shën Carlo Acutis. Mrekullia e njohur nga Kisha Shenjte, e cila çoi në kanonizimin e të riut milanez vitin e kaluar, ndodhi në kryeqytetin toskan, Firence, ku Kardinali Ernest Simoni aktualisht jeton, kur është i lirë nga angazhimet e tij të shumta në mbarë botën, duke i shërbyer Kishës së Shenjtë dhe popullit të Zotit e duke dëshmuar për persekutimin e fesë gjatë regjimit komunist, në shekullin e kaluar, në Kishën e  Heshtjes, në Shqipëri.

"Falënderoj Zotin që më mundësoj sot të jem shtegtar në Asizi" - brohoriti Kardinali Ernest Simoni.  - "Është emocion i madh që jam në gjendje të lutem fare pranë eshtrave të Shën Françeskut të madh, mbrojtësit, atit dhe mësuesit tim, të cilin e kam shikuar gjithnjë nga Shqipëria ime e dashur;  e tani,  në Asizi, të cilin e vizitova për herë të parë pas lirimit tim vetëm në vitin 2000. Nuk do ta kisha besuar kurrë, gjatë ditëve të tmerrshme të burgimit dhe punës së detyruar, ku sikur të kishte rënë vetëm një gur do të kisha fluturuar menjëherë në qiell, se do të isha ende në apostullim sot, në përshëndetje dhe shpërblim të Zotit.

Në dashtë Zoti, do ta kujtoj e do ta festoj këtë 7 prill që vjen, 70-vjetorin e shugurimit tim meshtarak, ndërsa në nëntor, 10-vjetorin e kardinalatit tim, këtë dhuratë të madhe dhe të papritur, me të cilën Ati i Shenjtë Françesku më bekoi, duke kujtuar kështu shumë burra dhe gra që dhanë jetën e tyre në ndjekje të Jezusit, Bariut të Mirë. Ishte ditë emocionuese dhe prekëse të shihja mijëra shtegtarë të të gjitha moshave dhe po aq të rinj përplot me shpresë e ardhmëri  për Kishën, të ardhur nga mbarë bota në Qytet par ekselencë, simbol i Paqes e i fesë, në lutje për ta takuar Shën Françeskun Serafik, e dishepullën e tij të madhe, Shën Kiarën dhe Shën Karlo Akutisin, shenjt i ditëve tona”.

20 mars 2026, 13:42