Kardinali Pizzaballa: një rruzare për paqen në Lindjen e Mesme
R.SH. / Vatikan
Bashkohuni në lutje duke thënë lutjen e Rruzares shenjte për të "kërkuar dhuratën e paqes dhe qetësisë, veçanërisht për ata që vuajnë për shkak të konfliktit". Kjo, ftesa nga Kardinalit Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jerusalemit, drejtuar besimtarëve të dioqezës për të kremtuar nesër, e shtunë, 28 mars, "një ditë lutjeje të Rruzares për paqe në kohë lufte".
Shtyrja e kremtimeve
Të enjten, më 26 mars, Kardinali Pizzaballa, së bashku me krerët e tjerë të Kishave të Jerusalemit, morën pjesë në një takim në Patriarkanën Ortodokse Greke, ku u diskutuan përgatitjet për kremtimet e afërta të Pashkëve. Siç dihet mirë, ditët e fundit Patriarkana Latine njoftoi se - për shkak të luftës në Lindjen e Mesme - procesioni tradicional i së Dielës së Larit nga Mali i Ullinjve - në Jeruzalem u anulua; do të zëvendësohet me një çast lutjeje për qytetin e Jerusalemit, në një vend, që do të përcaktohet më vonë. Për më tepër, Mesha e bagmit është shtyrë deri në njoftim të mëtejshëm, sapo situata ta lejojë, ndoshta gjatë Pashkëve.
Varri i Shenjtë
"Ndër kufizimet për shkak të situatës aktuale të luftës, autoritetet civile kërkuan, për arsye sigurie, që besimtarët të mos lejohen të marrin pjesë brenda Bazilikës" - shkroi në një komunikatë Kujdestaria e Tokës Shenjte. Por "zbatimi i kësaj kërkese nuk e pengon kremtimin liturgjik të Misterit të Pashkëve për bashkësitë që në Varrin Shenjt të Jezu Krishtit gjejnë shtëpinë e tyre fizike e shpirtërore". Për këtë arsye, "prania jonë brenda Bazilikës së Varrit Shenjt dhe shërbimi liturgjik që fretërit vazhdojnë të ofrojnë, marrin një kuptim edhe më të thellë".