TOPSHOT-MADAGASCAR-RELIGION-POPE-FEATURE

Kisha nëpër botë: rritet numri i katolikëve në Afrikë

Të dhëna të reja u botuan në «Librin Vjetor Papnor 2026» dhe «Annuarium Statisticum Ecclesiae 2024». Ato flasin për rritjen e numrit të katolikëve nëpër botë.

R.Sh. Vatikan

Redaktuar nga Zyra Qendrore e Statistikave të Kishës, «Libri Vjetor Papnor 2026» dhe «Annuarium Statisticum Ecclesiae 2024», të redaktuar rishtas nga Zyra Qendrore e Statistikave të Sekretariatit të Shtetit, tani gjenden në librari, shtypur nga Vatican Press. Të dhënat e raportuara në «Librin Vjetor Papnor» zbulojnë disa zhvillime të reja në lidhje me jetën e Kishës Katolike në mbarë botën për vitin 2025.

Gjatë kësaj periudhe, gjashtë seli ipeshkvnore u ngritën në seli metropolitane dhe u krijuan tetë dioqeza të reja. «Annuarium Statisticum Ecclesiae», nga ana tjetër, jep informacion rreth shifrave që pasqyrojnë veprimtarinë e Kishës Katolike në vende të ndryshme dhe në secilin kontinent. Më poshtë, po japim disa të dhëna statistikore për periudhën dyvjeçare 2023-2024:

Prania e katolikëve nëpër botë

Gjatë dy viteve të fundit, prania e të pagëzuarve si katolikë në mbarë botën ka mbetur e qëndrueshme në rreth 17.8%, rezultat që tregon rritje. Në vitin 2024, pati pak më shumë se 1.422 milionë katolikë, krahasuar me afro 1.406 milionë në vitin 2023, një ndryshim prej 1.14%.

Evropa mbetet kontinenti më pak dinamik në përgjithësi, me një rritje të numrit të katolikëve prej 0.8%. Megjithatë, kjo gjë përkthehet në një rritje të vogël të katolikëve në rajon, e cila kaloi 39.7% të popullsisë së kontinentit deri në vitin 2024. Katolikët në Amerikë dhe Azi po rriten më pak se popullsia, ndërsa në Oqeani është e vërtetë e kundërta. Këtu rritja katolike duket e konsiderueshme (+2.1%). Në kontinentin afrikan, me një ritëm rritjeje pothuajse pesë herë më të lartë se ai i vendeve aziatike (i barabartë me 2.7% dhe që tejkalon normën demografike), numri i katolikëve u rrit nga 281 milionë, në vitin 2023 në mbi 288 milionë, në vitin 2024.

Rezultati i përgjithshëm i këtyre prirjeve si në aspektin demografik ashtu edhe në atë të mbizotërimit të katolikëve, vërteton, për periudhën dyvjeçare në shqyrtim, peshën në rritje të kontinentit afrikan (ku katolikët u rritën nga 19.9% ​​në 20.3% të totalit botëror) dhe rënien e kontinentit evropian, ku përqindja ra nga 20.4% në vitin 2023 në 20.1% në vitin 2024. Për Amerikën, mund të pohohet një qëndrueshmëri pozitive: 47.7% e katolikëve të botës i përkasin këtij kontinenti. Ndikimi i katolikëve në Azi dhe Oqeani mbetet i qëndrueshëm, me 11% në vitin 2024 dhe 0.9% të totalit botëror.

Me interes të veçantë është analiza kontinent për kontinent e të dhënave mbi numrin e katolikëve në përpjestim me popullsinë. Këto shifra nxjerrin në pah se si prania katolike ndryshon në zonat gjeografike në fund të vitit 2024: nga 64.0% katolikë në Amerikë në 39.7% në Evropë, 25.9% në Oqeani, 19.9% ​​në Afrikë dhe 3.3% në Azi.

Besimtarë të angazhuar në veprimtari apostolike.

Në numrin e përhapësve të Ungjillit këtu përfshihen si kler – domethënë, ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, dhe anëtarë të instituteve laike – ashtu si edhe figura të reja, prania e të cilave në aktivitetet e Kishës është rritur dalëngadalë që nga Koncili i Dytë i Vatikanit, domethënë, diakonë të përhershëm, misionarë laikë dhe katekistë.

Në përgjithësi, ata ishin 4,464,622 në fund të vitit 2024, një rritje prej 0.7% krahasuar me të njëjtën datë në vitin 2023. Sidoqoftë, hierarkia e secilit prej tyre ndryshon nga kontinenti në kontinent.

Mesatarisht, raporti global midis numrit të përgjithshëm të klerit (ipeshkvijë, meshtarë, diakonë të përhershëm) dhe të gjithë punonjësve baritorë është 10.4%. Këtu, përqindjet më të ulëta janë në Afrikë (9.2%) dhe në Amerikë (6.8%). Përqindjet më të larta në Evropë (20.7%), Oqeani (20.6%) dhe Azi (10.9%). Kjo tregon një mënyrë të ndryshme të përhapjes së Ungjillit.

Kleri nëpër botë

Të dhënat më të fundit për vitin 2024 tregojnë se numri i klerit në mbarë botën është 465,048, me 5,525 ipeshkvijë, 407,421 meshtarë dhe 52,102 diakonë të përhershëm.

Gjatë periudhës dyvjeçare 2023-2024, numri i ipeshkvijve u rrit me 1.75%, nga 5,430 në vitin 2023 në 5,525 në vitin 2024. Kontributi më ndjeshëm erdhi nga kontinenti aziatik (+3.3%), i ndjekur nga Afrika (+2.6%), ndërsa Oqeania (+1.5%), Amerika (+1.3%) dhe në fund Evropa (+1.1%) ishin nën mesataren e përgjithshme. Pesha e zonave të ndryshme kontinentale mbeti praktikisht e pandryshuar gjatë periudhës dyvjeçare, vetëm me Amerikën dhe Evropën që vazhduan të përbëjnë rreth 68% të numrit të përgjithshëm.

Gjithashtu vihet re se numri i ipeshkvijve për katolikë në vitin 2024 ndryshon ndjeshëm nga kontinenti në kontinent (mesatarja botërore është 257,000 katolikë për një ipeshkëv). Shifrat më të larta gjenden në Afrikë (365,000) dhe Amerikë (333,000).

Përpjestimi ndërmjet numrit të meshtarëve dhe numrit të ipeshkvijve tregon ngarkesën mesatare të së secilit ipeshkv në zona të ndryshme gjeografike. Të dhënat nga ky raport, që flasin për periudhën 2023-2024, tregojnë një drejtpeshim sasior të përmirësuar midis priftërinjve dhe ipeshkvijve në mbarë botën. Në të vërtetë, me kalimin e kohës midis fillimit dhe fundit të periudhës së shqyrtuar, përpjestimi zvogëlohet, duke shkuar nga 75 meshtarë për ipeshkëv në vitin 2023, në 74 në vitin 2024.

Numri i meshtarëve në të gjithë botën rritet me 425, nga 406,996 në vitin 2023 në 407,421 në vitin 2024. Megjithatë, kur analizojmë meshtarët dioqezanë dhe rregulltarët veç e veç, vërehet se, ndërsa numri i rregulltarëve mbetet gati i njëjtë, numri i meshtarëve dioqezanë është rritur me 496 vetë më shumë. Në këtë pikë, Evropa dhe Afrika janë në pole të kundërta. Në të vërtetë, në Evropë, ka pasur një rënie të konsiderueshme si të meshtarëve dioqezanë ashtu edhe të rregulltarëve. E njëjta dukuri vihet re edhe në Oqeani. Kontingjenti prej 155,091 meshtarësh evropianë në vitin 2023 ra në 152,608 në vitin 2024. Nga ana tjetër, në Afrikë vërehet një rritje e meshtarëve në të dy grupet. Në Azi, numri i përgjithshëm i medshtarëve është rritur nga 74,056 në 75,121, një rritje relative prej 1.4% gjatë dy viteve të konsideruara këtu.

Amerika ka pasur një rritje prej 199 priftërinjsh (nga 118,345 në vitin 2023 në 118,544 në vitin 2024).

Diferenca midis shpërndarjeve të dy grupeve (të meshtarëve dhe besimtarëve) do të thotë që barra baritore, e kuptuar si raport midis numrit të katolikëve dhe numrit të priftërinjve, ndryshon në zonat e ndryshme territoriale. Në vitin 2024, shifra ndryshon nga pak më shumë se 1,800 katolikë për prift në Evropë në mbi 7,600 katolikë në Amerikën e Jugut, pak më shumë se 5,000 në Afrikë dhe paksa më pak se 2,100 në Azi.

Diakonët e përhershëm janë grupi i klerikëve që përjetojnë rritje të ndjeshme. Rritja gjatë periudhës 2023-2024 ishte 1.3% në të gjithë botën. Në atë vit, kishte 52,102 diakonë, krahasuar me 51,433 në vitin 2023.

Pabarazitë territoriale mbeten të theksuara: në periudhën dyvjeçare 2022-2023, ritmet më të ndjeshme të rritjes u panë në Amerikën e Jugut dhe Amerikën Qendrore, ndërsa më të ngadaltat u regjistruan në Amerikën e Veriut dhe Azinë Juglindore. Krahasuar me vitet 2023 dhe 2024, shkalla e ndryshimit në praninë e diakonëve në zonat e ndryshme territoriale mbeti e qëndrueshme, me një përshpejtim më të theksuar në Afrikë dhe Evropë dhe me një ngadalësim në Amerikën e Veriut dhe Azi. Nuk u vërejtën ndryshime të rëndësishme në shpërndarjen territoriale të diakonëve midis viteve 2023 dhe 2024. Pati vetëm një rënie të lehtë në numrin e diakonëve në Amerikë dhe një rritje po aq të lehtë në Evropë.

Rregulltarët jo meshtarë, rregulltaret që kanë bërë kushtet dhe anëtarët e instituteve shekullare.

Të dhënat e mëposhtme i referohen profesionistëve të tjerë që mbështesin punën baritore të klerikëve: rregulltarët që nuk janë meshtarë, rregulltaret që kanë bërë kushtet dhe anëtarët e instituteve Laike. Numrat e këtyre tre grupeve paraqesin karakteristika shumë të ndryshme.

Rregulltarët jo meshtarë, që u përkisnin instituteve të së drejtës papnore dhe së drejtës dioqezane, ishin 48,511 në fund të vitit 2024: 9,368 në Afrikë, 12,484 në Amerikë, 12,962 në Azi, 12,831 në Evropë dhe 866 në Oqeani. Krahasuar me vitin 2023, grupi është ulur me 0.5% në mbarë botën. Rënia preku Amerikën, Evropën dhe Oqeaninë, ndërsa Afrika dhe Azia shënuan rritje. Në këtë shpërndarje të përqindjes, Azia dhe Evropa janë në pozicionet kryesore (me përkatësisht 26.7 dhe 26.4 përqind), të ndjekura nga Amerika (25.7%), Afrika (19.3%) dhe Oqeania (1.9%).

Në vitin 2024, rregulltaret ishin 589,423, nga të cilat 30.9% ishin në Evropë. Më pas vinte Azia, e cila arriti në gati 176,000; Amerika, me 133,000 rregulltare dhe Afrika, me më shumë se 87,000. Krahasuar me vitin 2023, grupi regjistroi një rënie prej 0.5% në të gjithë botën. Rënia preku Evropën, Amerikën, Azinë dhe Oqeaninë, me ulje të konsiderueshme (-3.5% në Evropë, -3.2% në Amerikë, -0.2% në Azi dhe -4.5% në Oqeani). Megjithatë, në Afrikë u regjistrua një rritje prej 2.6%. Kriza që ka prekur rregulltaret gjatë viteve nuk tregon shenja zbutjeje, dhe vlen të theksohet se numri i rregulltareve në Afrikë dhe Azi në përgjithësi është rritur nga 44.2 në 45.2 përqind, ndryshe nga Evropa dhe Amerika, ku ka rënë nga 54.8 në 53.8 përqind.

Anëtarët e instituteve laike (meshkuj dhe femra), me një total prej 18,177 anëtarësh në fund të vitit 2024, kanë regjistruar një rënie prej 1.8% krahasuar me vitin 2023. Rënia vërehet në Evropë, Amerikë, Azi dhe Oqeani, ndërsa ka pasur rritje në Afrikë (+1.5%). Ky grup është përgjithësisht i përqendruar në Evropë, me 10,361 anëtarë në fund të vitit 2024, që do të thotë më shumë se 55% e shifrës së përgjithshme.

Kategori të tjera të punonjësve baritorë

Është interesante nëse merren në shqyrtim ndryshimet në kategoritë e tjera të punonjësve baritorë që janë gjithashtu aktivë në veprimtaritë katekistike të Kishës Katolike: më saktësisht, misionarët laikë dhe katekistët.

Numri i misionarëve laikë u rrit nga 444,606 në vitin 2023 në 463,079 në vitin 2024, me një rritje prej 4.2%. Në Afrikë është veçanërisht e rëndësishme kjo rritje sepse këtu i numri i misionarëve laikë u rrit me 7.0%, duke arritur në 8,860 në fund të periudhës. Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve, dukuria e misionarëve laikë mbetet një traditë pothuajse ekskluzivisht amerikane sepse përbën 86.8% të numrit të përgjithshëm në fund të vitit 2024, e që në përgjithësi nuk ka lëvizur gjatë viteve.

Këtu, katekistët përfaqësojnë grupin më të madh me një numër  prej 2.9 milionë vetësh në fund të vitit 2024. Azia dhe Amerika po përjetojnë një prirje në rritje, me ritme të konsiderueshme, ndërsa Afrika dhe Evropa po përjetojnë një rënie të lehtë. Ky grup ka gjithashtu një përqendrim relativisht të lartë në Amerikë, me gati 1.6 milion katekistë në fund të vitit 2024, që korrespondon me paksa më pak se 55% të numrit të përgjithshëm në të gjithë botën.

Thirrjet meshtarake

Në përgjithësi, bota e studentëve të filozofisë dhe të teologjisë po përjeton një shndërrim të thellë të karakterizuar nga një prirje e ndjeshme në rënie. Në të gjithë botën, ata parashikohet të bien nga 106,495 në vitin 2023 në 103,604 në vitin 2024, një rënie relative prej 2.72%. Rënia prek të gjitha kontinentet, me përjashtim të Afrikës, ku seminaristët u rritën nga 34,924 në 35,710, me një rritje prej 2.25%. Në Azi, Evropë, Amerikë dhe Oqeani, por veçanërisht në të parën, rënia është e ndjeshme (-8.98% në Azi, -5.48% në Evropë, -1.67% në Oqeani dhe -0.83% në Amerikë).

Përpjestimi zonë për zonë i kandidatëve për meshtari krahasuar me numrin e meshtarëve duket i njëjtë. I vetmi përjashtim i dukshëm është Amerika, pa përmendur këtu Amerikën Veriore ku raporti ka qenë në rritje gjatë vitit të fundit. Shifra globale është 254.3 kandidatë për 1,000 meshtarë në vitin 2024.

Shifra më e lartë është në Afrikë (628.9 kandidatë), ndërsa më e ulëta është në Amerikën e Veriut (120 kandidatë). Raporti është më i lartë se mesatarja globale në Azi (368.8), ndërsa është më i ulët në Evropë (79.3), Oqeani (216.2) dhe në të gjithë Amerikën (193.0).

Mënyrat se si katolikët kontribuojnë në Kishën Katolike

Analiza e pranisë së katolikëve në mbarë botën dhee grupeve të ndryshme të punonjësve baritorë plotësohet me një shqyrtim të të dhënave statistikore që lidhen me disa mënyra se si popullsia shpreh pjesëmarrjen e saj në Kishën Katolike: sipas radhës, pagëzimet, martesat në kishë, kungimet e para dhe krezmimet.

Numri i të pagëzuarve të rinj në mbarë botën ishte 13,065,918 në vitin 2024, me një rënie prej 0.6% krahasuar me vitin 2023. Shpërndarja e të pagëzuarve, në përgjithësi, ndryshon sipas zonave gjeografike, duke reflektuar gjithashtu peshën e ndryshueshme të katolikëve në kontinente të ndryshme.

Më saktësisht, Amerika përbën 40.7% të të pagëzuarve të rinj në botë, ndërsa Afrika përbën 31.7%. Përqindje më të ulëta gjenden në Azi (15.6%), Evropë (11.1%) dhe Oqeani (0.9%). Shifrat e mësipërme i referohen vitit 2024.

Krahasuar me vitin 2023, vlen të përmendet, nga njëra anë, theksimi i ndryshimeve nga njëra zonë në tjetrë, që ndoshta lidhet me dinamikën e pranisë katolike në pjesë të ndryshme të botës, dhe prirja drejt një rënieje të rëndësisë të numrit të të pagëzuarve të rinj në Evropë dhe Amerikë, ndërsa nga ana tjetër, prirja e rritjes në Afrikë dhe Azi. Me interes të veçantë është analiza kontinent për kontinent e të dhënave rreth numrit të personave të pagëzuar deri në shtatë vjeç për 1,000 katolikë të pranishëm. Kështu, në këtë pikë, raporti ndryshon nga 10.8 të pagëzuar për 1,000 katolikë në Azi dhe 9.5 në Afrikë, në 4.7 për mijë në popullsinë katolike të Evropës.

Shpeshtësia e martesave katolike të kremtuara në vitin 2024 sipas ritit katolik, domethënë ndërmjet dy vetëve ku njëri nuk është katolik, arrin në 1,818,998. Vendin e parë, me 37.4% të të gjitha martesave fetare e zë Amerika, e ndjekur nga Azia me 21.5%, Afrika me 21.0% dhe Evropa me 19.3%. Krahasuar me vitin 2023, vlen të përmendet, nga njëra anë, ulja e vazhdueshme e përqindjes së martesave të kremtuara në Amerikë dhe Evropë, dhe nga ana tjetër, prirja në rritje e peshës të Afrikës dhe Azisë.

Numri i besimtarëve në mbarë botën që morën sakramentin e Kungimit të Parë në vitin 2024 ishte 9,194,143, me një rritje prej 1.1% krahasuar me vitin 2023.

Gjithashtu, pati një rritje prej 1.7% në numrin e atyre që morën sakramentin e Krezmimit (7,823,882 në vitin 2024 dhe 7,693,726 në vitin 2023). Edhe në këtë grup, përqendrimi vërehet në kontinentin Amerikan, me 3.5 milion vetë në fund të vitit 2024, që i përgjigjet pak më shumë se 45% të shifrës së përgjithshme në të gjithë botën.

30 mars 2026, 09:11