2026.02.25 Monaco voyage apostolique

Kryeipeshkvi i Monakos: Papa do të na ndihmojë për të njohur "varfëritë e fshehura"

Në një intervistë me mediat e Vatikanit, imzot Dominique-Marie David pranoi brishtësitë shpirtërore të vendit të vogël, ku klisheja e pasurisë shpesh herë e maskon vetminë e thellë dhe "krizën e kuptimit të jetës". Shtegtimi apostolik i Leonit XIV do të jetë mundësi për t'iu drejtuar "mbarë botës", përfaqësuar në Principatë nga një bashkësi multikulturore me mëse 150 kombësi.

R.SH. / Vatikan

Duke hequr cipën e shkëlqimit, zbulohemi krejtësisht të brishtë e shpesh, edhe të vetmuar. Jo të përgjumur nga ngadalësia e një jahti që lëkundet, ose të dehur nga muzika e një pritjeje të rëndësishme - disa klishe kanonike të cilat u atribuohen atyre që frekuentojnë Principatën e Monakos - por të prekur nga pyetje të rëndësishme, "të cilat janë edhe më të habitshme se jeta, që duket, të paktën në sipërfaqe, më e lehtë". "Njeriu duhet të mbajë diçka për vete, përndryshe jeta e tij do të jetë thjesht shfletim i një reviste", pati vërejtur Grace Kelly, Princesha bashkëshorte nga viti 1956, e deri në vdekje, pranë bashkëshortit, Rainier III. Pas kësaj shpesh grumbullohet vetmia dhe ankthi: hije të brendshme që mbërritja e një Pape mund t’i ndriçojë, për ta bërë të afërt edhe atë që jeton në varfëri materiale. Është një nga çelësat e leximit, që duhet për të kuptuar historinë e Monakos e që Kryeipeshkvi Dominique-Marie David e kujtoi duke i paraqitur mediave të Vatikanit udhëtimin apostolik që Papa do të bëjë më 28 mars në Principatë, Shteti i dytë më i vogël në botë, pas Qytetit të Vatikanit.

Një aspekt i Monakos, që shpesh nuk njihet, është dimensioni i tij i fortë multikulturor. Çfarë mund t'i thotë ky realitet monegask Kishës universale me rastin e vizitës të Papës Leoni XIV?

Një nga gjërat që më habiti më shumë kur mbërrita si kryeipeshkëv gjashtë vjet më parë, ishte se brenda një shteti kaq të vogël - vetëm dy kilometra katrore - bashkëjetojnë realitete jashtëzakonisht të ndryshme. Në Monako përfaqësohen gati 150 kombësi: në një farë mënyre, bota e gjerë është e pranishme në këtë hapësirë ​​të ngushtë. Shpesh mendohet një pamje disi e karikaturizuar e Principatës, e parë thjesht si qytet luksi. Në realitet, pasuria e saj vjen nga larmia e madhe shoqërore e edhe nga një përzierje e caktuar shoqërore. Shumë njerëz punojnë në Monako, pa jetuar domosdoshmërisht këtu. E gjithë kjo kontribuon në pasurinë e vendit dhe të Kishës sonë. Kjo është arsyeja pse unë besoj që, edhe për Papën, vizita në një vend kaq të vogël mund të jetë domethënëse: në fund të fundit, ai i drejtohet të gjithë botës. Misioni i tij është të sjellë Ungjillin, të forcojë besimin dhe të përhapë mesazh paqeje e dinjiteti njerëzor. Prandaj, ka të ngjarë që jehona e një vizite të tillë të shtrihet shumë përtej kufijve të shtetit tonë të vogël.

Monako shpesh perceptohet si simbol pasurie. Cilat forma të varfërisë mbeten të padukshme? A ka varfëri që nuk është ekonomike, por relacionale, shpirtërore ose kulturore?

Varfëritë janë të shumta e shpesh shumë të thella. Unë vetë u bëra i vetëdijshëm për këtë në vitet e fundit, falë pjesërisht atyre që më  ndihmuan të kuptoj Monakon përtej klisheve dhe imazheve të përhapura nga media. Para së gjithash, ekziston varfëria materiale, ndonjëherë shumë e fshehur dhe e vështirë për t'u parë. Shumë njerëz jetojnë rreth Monakos, ku punojnë dhe kontribuojnë në jetën e vendit, por ndonjëherë gjenden edhe në rrethana të vështira, veçanërisht në lidhje me strehimin ose koston e jetesës. Shumë shoqata, përfshirë brenda dioqezës, janë të vëmendshme ndaj këtyre situatave. Krahas këtyre vështirësive materiale, megjithatë, ekzistojnë forma të tjera të varfërisë: vetmia dhe mungesa e kuptimit në jetë. Kur dikush gëzon një nivel të caktuar mirëqenieje dhe nuk ka shqetësime të mëdha materiale, lindin pyetje të tjera: çfarë kuptimi duhet t'i japë jetës së tij? Nuk është e pazakontë të hasësh njerëz që vuajnë nga vetmia. Gjithashtu shohim prindër të çorientuar, kur bëhet fjalë për rritjen e fëmijëve të tyre e për ndarjen dhe dramat familjare, që janë edhe më të habitshme, sepse jeta duket, të paktën në sipërfaqe, më e lehtë. Kjo është arsyeja pse detyra jonë është të jemi të vëmendshëm ndaj këtyre varfërive të fshehura, të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe të njohim situatat e brishtësisë që, ndonëse jo gjithmonë të dukshme, janë reale, e nganjëherë edhe shumë të dhimbshme.

 Në një kontekst ku mirëqenia duket se është normë, a e ndryshon   mënyrën se si Kisha e njeh dhe përballon varfërinë?

Për fat të mirë, solidariteti është shumë i pranishëm. Në Monako, organizata shumë aktive si Caritas Monaco, Shoqëria e Shën Vincent de’ Paolit, Legjioni i Marisë dhe shoqata të shumta kishtare e civile punojnë për t'u kujdesur për fëmijët që kalojnë vështirësi, familjet e ligshta, të moshuarit dhe të sëmurët. Ky shqetësim reflektohet edhe në punën e Kishës. Ideja është të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe jo thjesht të jetojmë në një vend që ofron cilësi të mirë jetese dhe nivel të caktuar sigurie. Misioni ynë këtu në Monako është të jemi edhe më të vëmendshëm ndaj njerëzve dhe të mos humbasim kurrë mundësinë për t'u dëshmuar Ungjillin atyre që kanë nevojë.

 Nëse do t'ju duhej të përmblidhnit misionin e Kishës në Monako me një shëmbëllytyrë të vetme ungjillore, cilën do të zgjidhnit?

Mendoj për dy shembëlltyra Ungjillore. E para është ajo e deles së humbur: t’i mobilizojmë të gjitha energjitë tona – të priftërinjve, laikëve, famullive dhe lëvizjeve - në mënyrë që Lajmi i Mirë të arrijë edhe tek ata që duken më të largët, ose të pamundur. E dyta,  episodi i Zakeut. Jezusi zgjedh shtëpinë e një burri që nuk gëzonte nam të mirë, edhe pse ishte i pasur dhe i shquar shoqërisht. E bën këtë thjesht për ta ndihmuar që të zbulojë bukurinë dhe gëzimin e Ungjillit. Përmes afërsisë dhe miqësisë, i zbulon se Mbretëria e Perëndisë është tashmë e pranishme dhe po hyn në jetën e në zemrën e tij. Prandaj besoj se ardhja e Papës do të jetë   hir i madh. Por, sigurisht, kërkon edhe përgatitje.

24 mars 2026, 09:46