Françeskani Patton bën thirrje për lutje dhe agjërim që paqja të kthehet në Lindjen e Mesme. Françeskani Patton bën thirrje për lutje dhe agjërim që paqja të kthehet në Lindjen e Mesme.

Lindja e Mesme, Patton: Lutja dhe agjërimi, të vetmet armë që lejohet të përdoren.

Flet françeskani Patton, i cili, nga Jordania, vëren me hidhërim luftën që po vazhdon. Frati e çon mendjen te vëllezërit e tij që jetojnë në Liban, "që përpiqen me mund të madh të ndihmojnë popullatën e cila nuk mund të durojë më", por edhe te populli palestinez që gjendet nën “trysninë e drejtpërdrejtë ose të tërthortë" për të ikur "nga toka ku ka jetuar me mijëra vjetë". Atë Patton bën thirrje që të gjithë të luten për paqen.

R.Sh. Vatikan

"Jemi në kthetrat e çmendurisë së luftës, të dëshirës për të zgjidhur gjithçka me forcë dhe me armë. E çojmë mendjen vazhdimisht edhe te viktimat e pafajshme të luftës." Kështu flet Atë Francesco Patton, ish-Kujdestar i Tokës së Shenjtë, nga Mali Nebo, Jordani, me shikimin e tij të drejtuar përtej Detit të Vdekur, aty ku ndahet Jordania nga Izraeli dhe Palestina, një vështrim që përfshin të gjithë Lindjen e Mesme në flakë.

"Mendoj çdo ditë për vëllezërit e mi që jetojnë në Liban, Bejrut dhe kudo, si në jug ashtu edhe në veri, të cilët po vuajnë pa masë. Kuvendi françeskan në Tir është shndërruar në një kamp refugjatësh kurse fretnit në Bejrut kërkojnë me dëshpërim ndihmë për popullsinë civile, e cila nuk mund të durojë më. Numri i të shpërngulurve ka arritur në një milion njerëz nga gjashtë milionë që janë gjithsej."

Rreziku që vjen nga periudha e pasluftës

Patton kujton se edhe në fillim të luftës në Gaza, ishte e qartë – veçanërisht për ata që si ai që kanë jetuar në këto vise për vite me radhë – se nëse çështja nuk do zgjidhej pa dhunë, lufta do të përhapej. Por ajo çka ndjell frikë, thotë frati françeskan, është se nuk kuptohet mirë çfarë do të ndodhë në fund të luftës, "sepse pas të gjitha luftërave të fundit në Lindjen e Mesme, janë shfaqur organizata të reja terroriste, ashtu si edhe grupe të reja si Al Kaeda, ISIS, Hezbollah dhe Hamas. Të gjitha ka lindur si pasojë e konflikteve të pazgjidhura politike në Lindjen e Mesme, si rezultat i përpjekjeve për zgjidhje ushtarake, në vend që të ishin zgjidhur ndryshe."

Tragjedia e Palestinës

Pastaj, Atë Patton shkon prap te Gaza, duke pohuar fjalët që tha kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jeruzalemit, para pak ditësh. Gaza, nënvizoi ai është shkatërruar, njerëzit jetojnë mes ujrave të zeza dhe përveç urisë, mbetet "problemi i barnave, i sigurisë, problemi i jetës dhe respektimi i të drejtave themelore dhe i dinjitetit të njeriut.

Pastaj vjen edhe historia e «Bordit të Paqes», i cili as që ka filluar të funksionojë dhe duket më shumë fantazëm sesa realitet".

Në Bregun Perëndimor, vendbanimet izraelite vazhdojnë të zgjerohen, dhe kur zgjerohen me dhjetëra mijëra palestinezë ikin. "Pushtimi vazhdon, dhe kështu vazhdojnë edhe aktet e dhunës", vijon Atë Patton, kur përmend "familjen e vrarë disa ditë më parë në zonën e Nablusit, nga e cila mbeti gjallë vetëm një djalë nëntëvjeçar".

Po ashtu, projekligjet që e pengojnë ekzistencën e Bregut Perëndimor dhe nuk i lejojnë palestinezët të kenë tokën e tyre, nuk kanë të sosur. Kështu, vijon regjistrimi i territoreve palestineze në kadastrën izraelite të tokës ose mohimi i gradës së profesorëve me diploma të marra në universitetet palestineze për të dhënë mësim në shkollat ​​izraelite. Janë "të gjitha "forma të trysnisë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për të dëbuar popullsinë palestineze nga toka në të cilën ka jetuar tash disa mijëvjeçarë".

Kriza e rëndë ekonomike e shkaktuar nga lufta po ndihet fort edhe në Jordani, për shkak të rënies së numrit të shtegtarëve. "Në fund të shkurtit, vërejtëm se kishte një rritje të vogël të numrit të turistëve dhe të shtegtarëve, por papritmas ramë përsëri në zero", gjë që ka pasur ndikim, veçanërisht tek të krishterët të cilët punojnë nëpër vendet e shenjta e që kanë mbetur pa punë dhe pa të ardhura për familjet e tyre.

Agjërimi dhe lutja për paqe

Që kjo dhunë të marrë fund, bashkësia ndërkombëtare, sipas mendimit të fratit françeskan Patton, duhet të ndërmarrë veprime më vendimtare dhe "duhet të ndryshojë politika e SHBA-së kundrejt Lindjes së Mesme".

Nga këndëvështrimi kishtar, shpresohet të jepet një kushtrim "drejtuar të krishterëve dhe besimtarëve të të gjitha feve, siç pati bërë Gjon Pali II gjatë luftës në Irak dhe Papa Françesku në vitin 2013, ku të mblidhen të gjithë, për të agjëruar dhe për t'u lutur për paqe. Ndoshta është një mjet që mund të duket qesharak krahasuar me atë të armëve, por është një mjet ndërgjegjësimi që mund të bashkojë besimtarët e feve të ndryshme" dhe që përputhet me atë që tregoi Papë Leoni XIV kur foli për "paqe të paarmatosur dhe çarmatosëse, të përulur dhe këmbëngulëse".

Kjo gjë është e nevojshme, përfundon Atë Patton, "sepse e dimë që për ne besimtarët, lutja dhe agjërimi janë të vetmet 'armë' që na lejohet të përdorim".

18 mars 2026, 16:49