2026.03.22 Cardinale Giovanni Battista Pham Minh Man – Vietnam

Ndërroi jetë kardinali vietnamez Jean-Baptiste Pham Minh Mân

Ndërroi jetë kardinali vietnamit Jean-Baptiste Pham Minh Mân. Sapo kishte mbushur 92 vjeç

R.SH. - Vatikan

Kardinali Jean-Baptiste Pham Minh Mân, Kryeipeshkëv Nderi i Qytetit Ho Chi Minh, ndërroi jetë më 22 Mars, në Vietnam, në Qendrën Baritore të kryedioqezës.

I lindur në vitin 1934 në Ca Mau, ishte prift që nga viti 1965. Më pas, në vitin 1993, qe ipeshkëv e, më 1998, kryeipeshkëv. Më pas, nënkryetar i Konferencës Episkopale Vietnameze (2001-2007), u shpall kardinal në vitin 2003 nga Gjon Pali II. Doli në pension në vitin 2014. Funerali i tij do të mbahet më 27 mars.

Seminarist gjatë viteve komuniste

Gjatë formimit të tij meshtarak, përjetoi Vietnamin komunist. Në këtë kohë seminaret, shkollat ​​dhe institucionet katolike u reduktuan ose u konfiskuan nga shteti. Pasi studioi në Vietnam, Kamboxhia e Saigon, u shugurua në vitin 1965 dhe dha mësim deri në vitet 1970. Pas ribashkimit nën regjimin komunist, vijoi të shugurojë meshtarë mes vështirësive të mëdha. Edhe kur, në vitin 1988, disa seminare u rihapën, u ndjenë fort mungesa e profesorëve dhe kufizimet e ashpra, siç ishte ndalimi i studimit jashtë vendit.

Studimet në SHBA

Ndërmjet viteve 1968 dhe 1971, arriti të studionte në Shtetet e Bashkuara, në Universitetin Loyola. Pas kthimit në atdhe, vazhdoi mësimdhënien dhe formimin e tij meshtarak, pavarësisht kufizimeve të epokës komuniste.

Bibla në gjuhën vietnameze dhe Programi i Thirrjeve

I emëruar kryeipeshkëv i Qytetit Ho Chi Minh, në vitin 1998, shuguroi meshtarë të shumtë dhe organizoi nisma baritore, duke botuar përkthimin e ri të Biblës në gjuhën vietnameze (1999) dhe një program thirrjesh me vëmendje tek migrantët, veçanërisht në Japoni.

U krijua kardinal nga Gjon Pali II

I krijuar Kardinal në vitin 2003, mori pjesë në konklavet e viteve 2005 dhe 2013, të cilat zgjodhën përkatësisht Benediktin XVI dhe Françeskun. Në vitin 2014 u tërhoq nga qeverisja e kryeipeshkvisë, pas një shërbimi të gjatë në Kishën Vietnameze.

23 mars 2026, 17:35