Ndezët në Çikago Pishtari i Faljes dhe i Paqes i Shën Ritës

Shenjë e binjakëzimit që çdo vit bashkon Kashën (Cascia), Itali, me Çikagon, në SHBA, për të përhapur mesazhin e rregulltares augustiniane, pishtari i Faljes dhe Paqes i shën Ritës ka nisur shtegtimin që do ta sjellë në Itali dhe në Vatikan, ku do të bekohet nga Leoni XIV. Dje u ndalua në "Catholic Theological Union", seminari ku ka studiuar Papa, dhe në Dolton, periferia ku ai ka lindur, në prani të një delegacioni nga Umbria.

R.SH. – Vatikan

Çikago (SHBA) është qyteti i binjakëzuar këtë vit me Kashën (Itali) për kremtimet e Shën Ritës. Për këtë arsye, të shtunën e kaluar, më 14 mars, në metropolin e Ilinoisit (Illinois), u ndez Pishtari i Faljes dhe i Paqes i Shën Ritës, simbol i pajtimit dhe shpresës që çdo vit shoqëron rrugëtimin drejt kremtimeve të 22 majit.

Ceremonia u zhvillua në Kishën famullitare kushtuar shenjtores augustiniane, në lagjen Ashburn, në "S. Fairfield Avenue". Në të mori pjesë një delegacion i ardhur nga Kasha – me kryebashkiakun Mario De Carolis, rektorin e Bazilikës së Shën Ritës, Atë Giustino Casciano dhe përfaqësues të manastirit e të Fondacionit "Santa Rita da Cascia" – i shoqëruar nga presidenti i Provincës së Peruxhias (Perugia), Massimiliano Presciutti. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe autoritete civile dhe fetare, mes të cilëve përfaqësues të dioqezës së Çikagos, të bashkisë dhe të Urdhrit të Shën Augustinit.

Nga Çikago në Kashia duke kaluar nga Vatikani

Pishtari, i cili ka nisur pshtegtimin e tij nga SHBA-së drejt Italisë, përpara se të mbërrijë në Kashia (Cascia), do të ndalojë në Vatikan, ku do të bekohet nga Papa Leoni XIV. Për Atë Casciano-n, ndezja e tij në Çikago ka një kuptim të veçantë edhe për shkak të lidhjes me Papën Prevost: është “një vend ku prania augustiniane është shumë e fortë”, tha ai, duke nënvizuar se “mesazhi i Shën Ritës vazhdon edhe sot të tregojë rrugën e paqes dhe të pajtimit, duke kujtuar se pa një raport të thellë me HZotin bëhet e vështirë ndërtimi i marrëdhënieve autentike mes njerëzve”.

Fjalët e rregulltarit augustinian gjetën jehonë në Kashia në ato të Abateshës së Manastirit të Shën Ritës, e cila është e bindur se “Pishtari i Paqes dhe i Faljes do të çojë në botë mesazhin e pajtimit dhe shpresës që Shën Rita dëshmoi me jetën e saj”. “Në një kohë kur bota është e plagosur nga luftërat, ndarjet dhe tensionet, dëshmia e saj na kujton se paqja është e mundur dhe lind nga falja e nga aftësia për të rindërtuar marrëdhëniet”, pohoi murgesha.

Etapat e para të Pishtarit

Ndërkohë, dje Pishtari i Faljes dhe i Paqes i Shën Ritës u dërgua në "Catholic Theological Union" të Çikagos, ku Papa Prevost ka kryer studimet e tij. Për të ilustruar kontekstin formues ishte Atë Enzo Del Brocco, rregulltar pasionist, drejtor dhe president i kolegjit dhe seminarit, në të cilin është pjekur një vizion teologjik i hapur, ndërkulturor dhe ekumenik.

“Sjellja e Pishtarit të Faljes dhe të Paqes këtu është një shenjë shumë e bukur dhe veçanërisht domethënëse në këtë moment historik të shënuar nga konfliktet – vuri në dukje ai –. Ta pranojmë pikërisht këtu, në një kontekst që ka njohur tensione dhe ndryshime të thella, është një thirrje e fortë për përgjegjësi kolektive. Është e rëndësishme të kujtojmë se lufta nuk është kurrë zgjidhja: ata që vuajnë janë gjithmonë të pafajshmit, më të brishtët”, vijoi Atë Del Brocco, duke e treguar Pishtarin e Faljes e të Paqes si një “ftesë për të rigjetur forcën e diplomacisë dhe të dialogut”.

Më pas, Pishtari mbërriti në Dolton, pranë Çikagos, ku ka lindur Papa Leoni XIV, dhe ndaloi përpara shtëpisë së fëmijërisë së tij. Delegacioni i Kashias pati mundësinë ta vizitonte atë, duke përjetuar kështu një moment me domethënie të thellë, duke bashkuar idealisht Kashian me tokën ku Papa Prevost u rrit, nën shenjën e mesazhit të paqes dhe faljes që Shën Rita vazhdon të përhapë në botë.

 

17 mars 2026, 14:47