2026.03.24 presentazione documentario "Madre Teresa a Roma"

Nga Kalkuta - në Romë, Nënë Tereza në një dokumentar të Rai-t

"Nënë Tereza në Romë", shkruar nga Atë Sergio Mercanzin, me regji nga Antonio Farisi, u paraqit për shtypin. Dokumentari nxjerr në pah lidhjen e Shenjtores me kryeqytetin, duke ndjekur punën e saj me të varfrit dhe Misionaret e Bamirësisë. Përmes dëshmive dhe pamjeve arkivore, ftohet një reflektim mbi varfërinë bashkëkohore, të kuptuar si vetmi dhe mungesë dashurie

R.SH. - Vatikan

"Mund ta gjesh Kalkutën në mbarë botën, nëse ke sy për të parë. Kudo që shkon, gjen njerëz të padëshiruar, të padashur, të refuzuar, të flakur tutje nga shoqëria, të harruar krejtësisht, e plotësisht të braktisur.

“Ndihmoje dikënd e, në të njëjtën kohë, fillo me një tjetër, më të afërmin me ty". Këto fjalë të Nënë Terezës janë zemra që rreh e dokumentarit, titulluar “Nënë Tereza në Romë”, shkruar nga Ati Sergio Mercanzin, me regji nga Antonio Farisi. I prodhuar nga Lampic Film dhe i paraqitur nga Rai Documentari, filmi e rikthen jetën e shenjtores në kryeqytet, duke rrëfyer angazhimin e Misionareve të Bamirësisë dhe lidhjen e tyre me qytetin e Romës. Do të transmetohet në Rai Uno natën e Pashkëve, të dielën, më 5 prill, gjatë Speciale Tg1. Të martën, më 24 mars, në paraqitjen për shtyp në Casa Dono di Maria, figura e Shenjtores u portretizua si ajo e një gruaje me besim të palëkundur e vepra të jashtëzakonshme, por thellësisht njerëzore e pranë brishtësisë së botës.

Ndërmjet të pranishmëve ishin Ati Brian Kolodiejchuk, Luigi Del Plavignano, Ati Sergio Mercanzin dhe Antonio Farisi, së bashku me disa Misionarë të Bamirësisë. Foli edhe aktorja Sarita Agnes Rossi, ndërsa konferenca u drejtua nga Stefania Bogo.

Sytë e Nënë Terezës

"Motër Tereza është grua e moshuar, me lëkurë të veçantë, si shqiptaret, e gjatë, e dobët, me nofulla pothuajse virile e me sy të butë që, kudo shikojnë, 'shohin'". Kështu e përshkroi Nënë Terezën Pier Paolo Pasolini, ndër të parët në Itali që foli për të pas një udhëtimi në Indi me Alberto Moravian kur, në vitet 1960, murgesha shqiptare njihej pak. Edhe dokumentari tregon një histori të fuqishme e pak të njohur: çastin kur "Bota e Tretë" u bë misionare në Perëndim. Nënë Tereza mbërriti me ftesë të Papës Pali VI, e bindur se do të gjente madhështinë e traditës katolike, por u ndesh me një varfëri të ndryshme nga ajo e Indisë. Siç theksoi Luigi Del Plavignano, regjisor i Rai Documentari: "Është temë e rëndësishme, veçanërisht në një periudhë si kjo, kur ndjenjat e paqes janë të rralla. Ajo që arriti Nënë Tereza është tepër e gjerë dhe e gjatë, pavarësisht se lëvizi me pak burime dhe arriti aty, ku askush tjetër nuk mund të arrinte".

Atë Brian e motër Xhema
Atë Brian e motër Xhema

Varfëria e Romës: ndërmjet vetmisë dhe indiferencës

Siç shpjegon Atë Sergio Mercanzin, "Dokumentari rrëfen marrëdhënien e Romës me Nënë Terezën: intensive me të varfrit, por edhe domethënëse me institucionet, nga administrata e qytetit - me Francesco Rutelli-n, i cili i dha asaj qytetarinë e nderit në vitin 1996 - deri te Papët; nga Pali VI- deri te Gjon Pali II. Është histori dashurie ndërmjet Romës e Nënë Terezës. E reflektim mbi varfërinë bashkëkohore.

Motra Gemma dhe Motra Maria Pia vërejnë: "Në Itali ka shumë varfëri materiale, por është e ndryshme nga ajo e Indisë. Në vendet e pasura, njerëzit janë vetëm, nuk komunikojnë: është formë tjetër e varfërisë. Ka shumë vetmi dhe indiferencë, e keqja më e madhe e më e vështirë që duhet shëruar: po vetëm Zoti mund ta bëjë këtë".

Një depërtim i përmbledhur me fjalët e vetë Nënë Terezës:

"Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja se je i padashur. Të kujton ato periferi që Papa Françesku i quajti "ekzistenciale".

Duke folur për mediat e Vatikanit, Atë Sergio theksoi: "Çka arriti të bënte, ishte të lehtësonte një lloj varfërie, llojin tipik indian, varfërinë materiale, por edhe varfërinë tjetër, që e zbuloi menjëherë... Për shembull, në Romë: vetminë e një morie njerëzish".

Një ikonë  anti-divë

Marrëdhënia ndërmjet medias dhe Nënë Terezës së Kalkutës ishte gjithnjë e ndërlikuar, siç kujtoi Atë Brian Kolodiejchuk gjatë paraqitjes:

"Për të ishte kryqëzim! Por edhe shaka, se kish nënshkruar një kontratë me Zotin: një shpirt në Purgator, për çdo foto ose intervistë". Një ikonë anti-yll, e aftë të tërheqë vëmendjen globale, pa e kërkuar kurrë atë: karakteri i saj i fortë dhe i vendosur, i kombinuar me një angazhim radikal ndaj bamirësisë, e bëri atë një figurë unike. Nënë Tereza e shmangte dukjen, sepse e gjithë vëmendja e saj qe përqendruar në veprën e Zotit: nuk donte ta tregonte veten, por atë që arrihej përmes saj. E puna e saj ishte thellësisht e rrënjosur në Ungjill, në fjalën e Krishtit.

Ati Brian, postulator i kauzës së lumnimit të Nënë Terezës së Kalkutës, kujton: "Ajo përsëriste gjithnjë se çka bënte, e bënte për lavdinë e Zotit dhe për të mirën e njerëzve. Besoj se ky dokumentar përfaqëson pikërisht këtë: lavdinë e Zotit. Kur merrte pjesë në një çmim ose në një ngjarje,  gjithmonë donte të fliste për Zotin".

"Faleminderit Nënë Terezës"

Dokumentari përmban disa dëshmi, nga ajo e Al Banos - tek ajo e korrespondentes së Vatikanit Marina Ricci e deri te ajo e papritura e David Traylor (Zed Robot). Ndër më domethënëset, ajo e Sarita Agnes Rossi, e njohur për audiencën italiane si ish-spikere e RAI-t, por me një histori personale të rrënjosur në Indi. E lindur në New Delhi, i kaloi vitet e para të jetës në një jetimore, e varfër, me mungesat e sendeve më të nevojshme. Këtu hyjnë në lojë Misionaret e Bamirësisë. Falë ndërhyrjes së tyre, Sarita u kujdes dhe u shoqërua në një udhëtim, që do t'ia ndryshonte jetën, derisa një çift italian vendosi ta adoptonte.

Në dokumentar, Rossi thotë: "Falë Nënë Terezës, jam italiane, romake dhe e adoptuar". E shton për mediat e Vatikanit: “Unë jam njëra nga shumë dëshmitaret; e në këtë dokumentar nuk jam e vetmja që dëshmon për dashurinë që dhuroi e krijoi Nënë Tereza. Është diçka që do të zgjasë përgjithmonë, për sa kohë që ka njerëz si unë, si Misionaret e Bamirësisë dhe si dëshmitarët e tjerë, që japin dashuri dhe kujtojnë themelin e kësaj dashurie, e cila, për ne ka një emër: quhet Nënë Tereza”.

Nënë Tereza shqiptare, indiane, gruaja që u bë jo vetëm “Qytetare e Botës”- por edhe “Qytetare e kohërave”.

26 mars 2026, 09:01