2026.03.21 cardinale beato Clemens August von Galen

"Pa respektim të ligjit, nuk do të ketë kurrë paqe", 80 vjet nga vdekja e të Lumit von Galen

Para tetëdhjetë vjetësh, më 22 mars 1946, ndërroi jetë i Lumi Clemens August von Galen, «Luani» i Mynsterit, "kundërshtari më kreshnik i nazizmit", siç e pati quajtur «New York Times» në vitin 1942. Korrespondenca e tij me Papën Piun XII, i cili e krijoi kardinal, rrëfen shumë për ato vite të stuhishme

R.Sh. Vatikan

"Bomba shkatërrimtare, që e ndezën flakë vendin, u hodhën në Mynster: ato goditën Katedralen dhe shkatërruan rezidencën e ipeshkvit tonë. Ndërsa aeroplanët ende fluturonin mbi qytet, pashë ipeshkvin në mes të rrënojave që nxirrnin tym. Ishte kapur pas murit të vetëm që kishte mbetur në këmbë... mrekullisht gjallë. Më vonë e informova për vdekjen e famullitarit, priftërinjve dhe besimtarëve, të të gjitha murgeshave të klauzurës, për tmerrin e grumbujve të trupave gjysmë të djegur dhe të gjymtuar të grumbulluar sipër rrënojave të Marienplatz, Groitgasse... dhe të atyre që, duke gërmuar nëpër ato rrënoja, duke u përpjekur ende të dallonin të vdekurit nga të gjallët, u përballën me pamjen tmerruese të kufomave të përziera të grave dhe të fëmijëve bashkë të mbytur në vendstrehim."

Kështu e përshkruajnë bombardimin e kryer nga aleatët në vitin 1943 kundër qytetit gjerman të Mynsterit, në Westfali dokumentet e dosjes të gjyqit kanonik të të Lumit Clemens August von Galen, ipeshkëv i Mynsterit. Më 22 mars mbushen tetëdhjetë vjet nga kalimi i tij në amëshim. Ky ishte pikërisht ai qytet kryeqendër e asaj Gjermanisë tjetër – e cila, me ipeshkvin Clemens August von Galen, të mbështetur dhe të inkurajuar nga Papa Piu XII – i kishte bërë qendresë të hapur Hitlerit dhe kultit të gjakut dhe racës.

A nuk ishte pikërisht nga ajo katedrale që ipeshkvi e kishte ngritur zërin, duke i bërë të ditura dhe duke i dënuar krimet dhe barbaritë e nazizmit? A nuk qe ai që i sfidoi hapur shkeljet e të drejtave, duke deklaruar se nuk donte "shoqëri me ata që shkelin mbi dinjitetin njerëzor"?

Në predikimet e tij të famshme, prej të cilave mori nofkën «Luani i Mynsterit», ai ekspozoi dhe denoncoi me forcë projektin nazist për eliminimin e jetëve të «panevojshme». Pati folur aq hapur, saqë disa faqe të gazetës «New York Times» u ishin kushtuar lajmeve që flisnin për guximin e tij. Në ato rreshta, ai quhej si "kundërshtari më i paepur i regjimit Nacional Socialist". Predikimet e tij të famshme – të cilat Hitleri u betua se do t’ia shpaguante një për një – u hodhën me fletushka nga avionët anglezë mbi Berlin, për ta bindur popullsinë për krimet e Hitlerit. Këto predikime, për të cilat ai u vlerësua edhe nga bashkësia hebraike, u inkurajuan dhe u vlerësuan edhe nga vetë Piu XII. Korrespondenca ndërmjet ipeshkvit gjerman dhe Papa Pacellit, e zbuluar dhe rindërtuar plotësisht gjatë hulumtimeve të kryera për procesin e kanonizimit të ipeshkvit von Galen –zbulojnë miratimin e Papës për veprime të përbashkëta kundër çmendurisë naziste.

Më 4 nëntor 1943, ipeshkvi von Galen i shkruante Papës Piu XII, rreth gjendjes të qytetit të Mynsterit dhe pikëllimin e tij për viktimat e bombardimeve të aleatëve.

«Përveç vuajtjeve të popullsisë, shkatërrimi i dyqind kishave në dioqezë, dhe mbi të gjitha ai i katedrales e pikëlloi thellësisht ipeshkvin. Mbi të gjitha ai kurrë nuk e kuptoi pse Aleatët e kishin bërë me dashje këtë"». Kështu deklaroi Atë Theodor Holling në gjyqin për lumnimin e ipeshkvit.

Atë që Hitleri nuk kishte arritur ta arrinte, e bëri «bombardimi moral». Ky ishte koncepti i Churchillit për strategjinë e "luftës së drejtë të ajrit", që synonte të "minonte moralin përmes shkatërrimit sistematik të qendresës morale të gjermanëve". Gjatë vitit 1943, Mynsteri pësoi shumë bombardime, të cilave do t'u shtoheshin edhe të tjera para përfundimit të luftës. Më të rëndat ishin ato të 30 shtatorit dhe 22 tetorit 1944. Aleatët hodhën gjithsej 5,000 bomba shpërthyese dhe 200,000 bomba ndezëse mbi një qytet me 66,000 banorë.

Megjithatë, Mynsteri nuk ishte ndër ato qytete të preferuara nga Komanda Aleate e Bombarduesve, ku u përsosën teknikat e sofistikuara të «përdorimit maksimal të zjarrit», me efektet speciale të «Shtrëngatës së zjarrit» që shkretuan qytete si Potsdam, Lübeck, Hamburg, Dresden. Këto qenë «punët e bukura» të Arthur Harris, mendjes së mbrapshtë të «bombardimeve morale», i cili e kishte quajtur operacionin «Gomorra» si sukses spastrimi dhe asgjësimi.

Kur "përdorimi strategjik" i bombardimeve si qilim u intensifikua në Gjermani, ipeshkvi anglez i Chichester-it, George Bell, deklaroi para Dhomës së Lordëve: "Aleatët nuk mund të sillen si hyjni që i rrëzojnë armiqtë e tyre nga qielli! Fjala vendimtare e shkruar në flamujt tanë është ligji. Ne duhet ta vëmë forcën tonë në shërbim të ligjit. Dhe ligji është kundër bombardimeve të qyteteve armike, veçanërisht bombardimeve si qilim!" Më tej, prelati anglez vazhdonte: "Të barazosh vrasësit nazistë me popullin gjerman, mbi të cilin ata kryen çdo lloj të keqeje, do të thotë të përhapësh barbarizëm." Këto ishin të njëjtat vëzhgime të qarta dhe të guximshme që, nga ana tjetër, në Gjermaninë e shkatërruar nga bombardimet morale, ipeshkvi von Galen guxoi t'i shqiptonte para Forcave Aleate. Pikërisht në Mynster, në tetor 1945, von Galen dhe ipeshkvi anglikan i Chichester-it u takuan në selinë e qeverisë ushtarake në prani të gjeneralit të brigadës Chadwick. Ipeshkvi Bell, i cili ndodhej në Gjermani si përfaqësues i Kishës Anglikane, shprehu vlerësimin dhe pranimin e tij të plotë me ipeshkvin gjerman, i cili "me dashuri të zjarrtë baritore i ishte përkushtuar mbrojtjes së grigjës që i ishte besuar" dhe nuk kishte pasur frikë "ta quante të bardhën të bardhë dhe të zezën të zezë në mbrojtje të Zotit, të dinjitetin njerëzor, madje edhe tani që rrëmuja dhe barbarizmi po shpërthenin për shkak të abuzimeve, plaçkitjeve dhe dhunës që vijuan pas hyrjes së trupave aleate".

Më 20 gusht 1945, von Galen i shkruante Papa Pacellit: "Edhe gazetat e reja gjermane të drejtuara nga forcat pushtuese janë të detyruara të botojnë vazhdimisht deklarata ku i atribuohet një faj dhe përgjegjësi kolektive për të gjitha krimet e kryera nga nazistët, të gjithë popullit gjerman, përfshirë ata që nuk i i përqafuan kurrë doktrinat e gabuara të Nacional Socializmit, dhe që madje iu bënë qëndresë atyre me të gjitha aftësitë e tyre." Më tej, i Lumi Von Galen nënvizonte me hidhërim: "Duket se ky arsyetim po shërben si justifikim për pranimin e fushatave të plaçkitjeve dhe të grabitjeve [...] dhe për dëbimin e pamëshirshëm të popullsisë gjermane nga atdheu i tyre."

Këtë të vërtetë, ipeshkvi e pohoi vazhdimisht: "Është vërtet tmerruese që nacionalizmi i acaruar, i cili mbërriti në kulm me kultin e racës tipike të Nacional Socializmit, sundon sot edhe në mesin e fitimtarëve, aq sa në Potsdam u vendos që e gjithë popullsia gjermane të dëbohej nga territoret që iu caktuan Polonisë dhe Çekosllovakisë dhe të degdisej në territoret perëndimore."

Në letrën pasuese të 25 shtatorit 1945, duke i përshkruar me hollësi Piut XII "kushtet e tmerrshme në territoret e pushtuara", ai i lutej Papës Pacelli të ndërhynte me "duke protestuar drejtpërsëdrejti pranë fuqitë fitimtare".

Në prag të Krishtlindjeve të vitit 1945, Radio Vatikani njoftoi se Piu XII e kishte krijuar kardinal ipeshkvin Clemens August von Galen.

Në Romë, mbërritja e «Luanit» të Mynsterit qe triumfuese. Studentët e Universitetit Papnor Gregorian e pritën me thirrjet "vox populi vox Dei". Në bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Piu XII i njohu atij zyrtarisht titullin e kardinalit. Bashkë me të, titullin e morën edhe dy ipeshkvij të tjerë gjermanë që ishin dalluar në qëndresën kundër çmendurisë naziste: kryeipeshkvi Joseph Frings i Këlnit dhe ipeshkvi Konrad von Preysing i Berlinit. Për episkopatin dhe popullin gjerman, këto emërime treguan se Piu XII nuk ua vinte veshin atyre që ishin "të prirur t'i konsideronin të gjithë gjermanët një turmë kriminelësh" dhe në të njëjtën kohë, ato ishin "një shenjë shpërblimi të drejtë për rezistencën e guximshme ndaj nazizmit që kishin ndërmarrë njerëz si këta, dhe midis tyre, vendi i parë i përkiste ipeshkvit  von Galen". Prandaj, shtypi raportoi atë që ishte e qartë për të gjithë: von Galen kishte guxuar të sulmonte haptas dhe drejtpërdrejt regjimin: ai ishte simboli i asaj Gjermanie tjetër që i kishte rezistuar Hitlerit. Edhe dhënien e titullit të kardinalit personalisht nga Piu XII, populli gjerman e quajti si "një refuzim të fajit kolektiv" ashtu edhe "mirënjohje për mbrojtësin kreshnik të së vërtetës së krishterë dhe të drejtave të patjetërsueshme të njeriut, të cilat duhej të zhdukeshin në shtetin totalitar".

Më 6 janar 1946, ipeshkvi von Galen i shkroi letrën e tij të fundit Piut XII para se të mbërrinte në Romë për të marrë kapuçin e kardinalit. Atë ditë, ai e kremtoi Epifaninë në rrënojat e kishës së Telgte-s. Ai e përfundoi predikimin e tij të fundit në kishë me këto fjalë: "Nën nazizëm, e thashë haptas, dhe gjithashtu i shkrova drejtpërdrejt Hitlerit në vitin 1939, kur asnjë fuqi nuk ndërhyri për të penguar qëllimet e tij ekspansioniste: 'Drejtësia është themeli i shtetit; nëse drejtësia nuk rivendoset, atëherë populli ynë do të vdesë nga kalbja e brendshme'. Sot duhet të them: nëse ligji nuk respektohet midis popujve, atëherë paqja dhe harmonia nuk do të vijnë kurrë."

22 mars 2026, 09:02