Lufta e Gazës Lufta e Gazës

"Paqja qoftë me ju", paralajmërim i teologëve kundër luftës

Shoqata Teologjike italiane në këtë kohë të ngarkuar me konflikte, bën thirrje: "Jemi të trishtuar nga zgjedhjet e atyre që duan luftë, e zemërthyer për popujt dhe kombet që vajtojnë të vdekurit, duke përfshirë edhe gratë e fëmijët e pafajshëm"

R.SH. - Vatikan

"Sikur ta kishit kuptuar edhe ju, në këtë ditë, çka të çon në paqe":  niset nga vajtimi i Jezusit mbi Jerusalemin thirrja  që Shoqata Teologjike Italiane i bën botës në këtë kohë të pushtuar nga lufta. "Skena është prekëse, e në vajin e Birit të Zotit është i gjithë hidhërimi për ata që bëjnë të keqen dhe e gjithë dhembshuria për ata që vuajnë",  lexohet në dokument. E dokumenti bën thirrje që reflektimi teologjik të orientohet me vendosmëri drejt mbrojtjes së paqes dhe mospranimit të dhunës.

Të trishtuar, nga ata që duan luftë

Teologët shpjegojnë se: "Në këtë kohë dramatike, duam të bashkohemi me moton e Zemrës së Krishtit. Jemi të trishtuar nga dëshirat e atyre që duan luftë, e të pikëlluar për popujt dhe kombet, që vajtojnë të vdekurit e tyre, duke përfshirë edhe gratë e fëmijët e pafajshëm. Fjalët e Ungjillit të Lukës bëhen kështu çelës për të kuptuar të tashmen dramatike, që po përjetojmë. Ndryshe nga një deklaratë politike, janë qëndrim i rrënjosur në teologji, në traditën konciliare dhe në vetë Kushtetutën italiane. "Përsërisim se lufta duhet të flaket tutje si mjet i mohuar agresioni kundër lirisë së popujve të tjerë e edhe si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare (Neni 11 i Kushtetutës së Republikës Italiane, red.), dhe se çdo akt lufte që synon pa dallim shkatërrimin e qyteteve të tëra ose rajoneve të gjera dhe banorëve të tyre, është një krim kundër Zotit dhe kundër vetë njerëzimit (Gaudium et Spes, nr. 80)".

T’i themi “jo” çdo dhune

Teologët dhe teologet e ATI-së janë të bindur se kanë në dispozicion vetëm "mjetin e brishtë e të butë të fjalës". E pra pikërisht me këtë instrument angazhohen për t'i thënë jo çdo dhune e për të mbështetur, nëpërmjet reflektimit dhe mësimdhënies, kulturën e paqes. Deklarata mbyllet me pamjen e përshëndetjes së Krishtit të Ngjallur, drejtuar bashkësive të para "Paqja qoftë me ju". Përshëndetje që ka jehuar ndër shekuj me radhë në asambletë e krishtera anembanë botës. Kjo paqe, shkruajnë , "është premtimi i Shëlbuesit tonë, që dëshiron të gjejë, para së gjithash ndër ne, bij dhe bija të aftë për t'u bërë veprimtarë të vërtetë të paqes".  

18 mars 2026, 15:48