Nga «Takimet teologjike» 2025. Në rresht të parë, kryeipeshkvi i Rijekës imz. Mate Uziniq. Nga «Takimet teologjike» 2025. Në rresht të parë, kryeipeshkvi i Rijekës imz. Mate Uziniq.

Rijekë: Takimet teologjike 2026. Profetizimi i paqes në kohë lufte

Kryedioqeza e Rijekës, Kroaci, po organizon një program për studentët dhe të diplomuarit në teologji nga 12 deri më 18 korrik 2026, për të pestin vit rradhazi. Programi ka si temë: «Profetizimi i paqes së rrethuar nga potera e luftës: Ndërtimi i paqes në epokën e militarizmit». Leksionet dhe diskutimet do t’i japin katër profesorë, të ftuar ndërkombëtarë dhe dyzet studentë katolikë, ortodoksë, protestantë dhe myslimanë. Regjistrimi është i hapur deri në mesin e prillit.

R.Sh. Vatikan

Si mund ta ripërtërijmë përshpirtërinë që kundërshton dhunën dhe si të forcojmë zërat profetikë brenda bashkësive fetare dhe shoqërisë në një kohë të plagosur nga konflikte të reja të armatosura? Kjo është pyetja që shtron kryedioqeza e Rijekës, Kroaci, e cila po organizon edicionin e pestë të Takimeve Teologjike Mesdhetare (MTM) nga 12 deri më 18 korrik 2026, me temën "Profetizimi i paqes së rrethuar nga potera e luftës: Ndërtimi i Paqes në Epokën e Militarizmit". Në kohë lufte kur ka frikë, tensione gjeopolitike dhe garë të re armatimesh, organizatorët e MTM-së, të bashkërenduar nga kryepeshkopi Mate Uzinić, synojnë të hulumtojnë se si bashkësitë e krishtera dhe myslimane të sotme, veçanërisht në Mesdhe, mund të kumtojnë lajmin e paqes brenda një kulture të ndrydhur nga frika dhe konflikti. Ata thonë se dëshirojnë të reflektojnë "rreth mënyrës se si besimi mund të frymëzojë gjeste konkrete pajtimi në një kohë kur lufta po bëhet përsëri një kërcënim gjithnjë e më i pranishëm".

Kumtuesit e këtij viti

Për të pasuruar më tej reflektimet teologjike të këtij programi dhe për të ruajtur kontaktin ekumenik dhe ndërfetar, ndër folësit – përveç teologëve katolikë – bëjnë pjesë edhe teologë ortodoksë, protestantë dhe myslimanë. Folësja e ftuar e këtij viti është Sihem Djebbi, një profesoreshë myslimane e shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në «Sciences Po Paris» dhe Universitetin «Sorbonne Paris Nord», si dhe në Fakultetin Teologjik Papnor të Italisë Jugore në Napoli. Ajo ka bërë kërkime mbi bashkëpunimin ndërkombëtar, paqen dhe sigurinë, dialogun ndërfetar, migrimin dhe Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Po ashtu, prof.sha Djebbi ka shërbyer si konsulente dhe trajnere për organizata shoqërore, humanitare dhe që ndihmojnë për paqen. Ajo është redaktore, ndër botime të tjera, e vëllimit «Feja dhe Siguria: Sfidat dhe Perspektivat në Rajonin MENA».

Kumtesë nga peshkopi ortodoks serb Durić

Folësit e këtij viti përfshijnë gjithashtu peshkopin Grigorije Duriq të Kishës Ortodokse Serbe, meshtar i Eparkisë së Dyseldorfit, Gjermani. Murg që nga viti 1992, ai u zgjodh peshkop i Zahumlje-Hercegovinës dhe Primorjes në vitin 1999. Më pas, vazhdoi studimet pasuniversitare në Athinë në vitin 2014 dhe mori doktoraturën në vitin 2014 nga Fakulteti i Teologjisë Ortodokse në Beograd. Që nga viti 2018, ai ka shërbyer si peshkop i Eparkisë së Dyseldorfit dhe të  Gjermanisë. Peshkopi është i përfshirë papushim në dialogun ekumenik dhe ndërfetar dhe është autor i librave të shumtë, përfshirë “Të jesh me tjetrin – ontologjia relacionale e John Zizioulas”.

Katoliku Odak dhe luterani Raheb

Ndër folësit e tjerë, do të jetë edhe Stipe Odak, profesor i etikës së aplikuar në Fakultetin e Teologjisë dhe Studimeve Fetare në Universitetin Katolik të Luvenit në Belgjikë. Interesat e tij kryesore kërkimore përfshijnë konfliktet ndërmjet grupeve, kujtesën kolektive dhe teologjinë kontekstuale. Ai është gjithashtu poet dhe anëtar i «PEN International». Së bashku me Zoran Grozdanovin, ai ka redaktuar vëllimin "Teologjia Kontekstuale Ballkanike: Hyrje".

Në fund, ndër kumtuesit bën pjesë edhe Viola Raheb, luterane palestineze e lindur në Betlehem dhe drejtoreshë në fondacionin «Pro Oriente» në Vjenë. Raheb ka përvojë të gjerë në mësimdhënie dhe bashkërendim programesh dhe nismash që i kushtohen dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar, integrimit dhe çështjeve që lidhen me gratë, paqen dhe sigurinë. Ajo është anëtare e organizatave dhe komisioneve të shumta që kanë në qendër paqen dhe dialogun.

Kandidatët duhet të regjistrohen deri më 15 prill.

Studentët e vitit të tretë, të katërt dhe të pestë, si dhe studentët e ciklit të parë, studentët e doktoraturës në teologji dhe të diplomuarit nga fakultetet teologjike katolike, protestante, ortodokse dhe islame, mund të aplikojnë për të marrë pjesë në «Takimet Teologjike». Ushqimi dhe strehimi janë falas për studentët e pranuar. Programi do të zhvillohet në «Domus Laurana» në Lovran, Kroaci.

Për të bërë kërkesën, ju lutemi plotësoni formularin në lidhjen e mëposhtme deri më 15 prill 2026:

https://forms.gle/P8pyUM3exoavTPCU7.

Orët e mësimit dhe punëtoritë do të mbahen anglisht. Do të pranohen maksimumi 40 pjesëmarrës.

22 mars 2026, 15:10