Kardinalët Reina dhe Mathieu gjatë vigjiljes së lutjes në Bazilikën e Kryqit të Shenjtë në Jerusalem, në Romë Kardinalët Reina dhe Mathieu gjatë vigjiljes së lutjes në Bazilikën e Kryqit të Shenjtë në Jerusalem, në Romë

Arqipeshkvi i Teheranit: të pushojë lufta në Gjirin Persik, të ndalet logjika e hakmarrjes

Urgjenca për të gjetur paqen në botën e shqyer nga konflikte të shumta ka bërë jehonë mbrëmjen e kësaj të hëne të Javës së Shenjtë në Bazilikën e Kryqit të Shenjtë në Jeruzalem (Santa Croce in Gerusalemme) në Romë. Vigjilja, e udhëhequr nga vikari i Romës, kardinali Reina, pati praninë e kardinalit të kryeqytetit iranian, Dominique Mathieu. "Lufta – tha ai – është një aventurë pa kthim" dhe një "spirale zie e dhune", ndërsa nevojiten "zgjidhje të reja" dhe "hapësira dialogu".

R. SH. - Vatikan

"Kurrë më luftë, aventurë pa kthim; kurrë më luftë, spirale zie dhe dhune": ky është britma e lëshuar nga kardinali Dominique Joseph Mathieu, arqipeshkvi i Teheranit-Isfahanit të Latinëve, gjatë takimit të lutjes për paqen, udhëhequr, dje në mbrëmje, nga kardinali vikar për Dioqezën e Romës, Baldassarre Reina, në Bazilikën e Kryqit të Shenjtë në Jeruzalem, në Romë.

Arqipeshkvi i Teheranit, kardinali Mathieu, duke shqiptuar disa fragmente të një lutjeje të thënë nga Shën Gjon Pali II më 2 shkurt 1991, kërkoi ndërhyrjen e Zotit që të ndalet lufta në Gjirin Persik, e cila e detyroi atë të linte kryeqytetin iranian më 8 mars: “Ndale logjikën e raprezaljeve dhe të hakmarrjes, sugjero me Shpirtin Tënd zgjidhje të reja, gjeste bujare dhe të nderuara, hapësira dialogu dhe pritjeje të durueshme, më të frytshme sesa afatet e ngutshme të luftës".

Konfliktet e harruara dhe Toka e Shenjtë e plagosur

Lutja e kësaj mbrëmjeje – e cila bën pjesë në rrugëtimin mujor me titull "Misioni i Paqes – Udhëtim në Shpirt", i promovuar nga Qendra Misionare Dioqezane (Cmd) dhe nga Zyra për Baritoren Sociale dhe të Punës e dioqezës së Romës, në bashkëpunim me Lëvizjen për Paqe "Pax Christi", "Italia Solidale-Mondo Solidale", Veprimin Katolik dhe Komunitetin e Shën Egjidit – nuk la pa rikthyer vëmendjen dhe lutjen mbi shumë konflikte "të harruara" që shqyejnë botën, si ato në lindje të Republikës Demokratike të Kongos dhe në Sudan. Por takimi i lutjes u zhvillua nën shenjën e ngjarjeve që mundojnë Lindjen e Mesme dhe Tokën e Shenjtë.

Një lloj lehtësimi u vërejt nga kremtuesit për vendimin e autoriteteve izraelite për të autorizuar, ndonëse me kufizimet e sigurisë të vendosura për shkak të luftës, zhvillimin e ceremonive për Javën e Shenjtë të Pashkës, pasi pardje i ishte mohuar hyrja në Varrin e Shenjtë patriarkut Latin të Jeruzalemit, kardinalit Pierbattista Pizzaballa, dhe Kujdestarit të Tokës së Shenjtë, atë Francesco Ielpo.

Shumë të pafajshëm të kryqëzuar

"Jemi pranë popullit iranian dhe të gjithë atyre që në këtë moment vuajnë”, deklaroi kardinali Reina, duke folur me gazetarët në kuadrin e takimit të lutjes. "Kjo Kishë – tha ai – ruan një nga reliktet më të rëndësishme të kryqit të Krishtit. Historia përsëritet dhe ka shumë të pafajshëm të kryqëzuar. Papa i fton të gjithë të krishterët të luten për paqen. Është një moment dramatik për mbarë njerëzimin".

Të braktiset dhuna: Mësimi i historisë

“Dhuna prodhon vetëm dhunë të mëtejshme”, por "si mundet njeriu të mos e ketë nxjerrë këtë mësim bazë nga historia?": kjo është pyetja që shtroi më pas kardinali vikar i Romës Reina, gjatë meditimit të tij në Bazilikë. “Bota e ka humbur paqen” – vërejti kard. Reina – dhe shoqëria po shkon "drejt absurdit", "drejt riarmatimit që ka shijen e vdekjes".

Vikari papnor i dioqezës së Romës, Kardinali Reina shprehu vlerësim për praninë e kardinalit të Teheranit Mathieu, i cili u bashkua me këtë lutje të përbashkët “me atë të popullit të tij dhe të gjithë popujve të prekur nga lufta”. “Jezusi është në mes të atyre që vuajnë”, tha ai. Jezusi u kryqëzua në mes të dy hajdutëve: “Ai që erdhi për të sjellë paqen gjendet në mes, pothuajse për të treguar për një Zot që përzihet me historinë tonë, me vuajtjen tonë. Me shpresën se dikush do ta vërejë Atë, për të sjellë paqen”. “Na ndihmo ta rifitojmë paqen”, u lut kardinali Reina, duke theksuar se paqja në fund të fundit nuk është fryt i “një zgjedhjeje diplomatike apo i një strategjie, por është Krishti”.

31 mars 2026, 12:14