Ringjallja, varri i Jezusit të Ngjallur Ringjallja, varri i Jezusit të Ngjallur

Një "Betlehem" Pashkësh. Krishti u Ngjall së vdekurish

Mos e kërkoni Zotin, por gjejeni atë. Jo në mes të vdekurve, por në mes të gjallëve. Varri është bosh. Ngjallja e Jezusit është si një betim i Zotit se do të shpaguante viktimat e padrejtësisë sonë.

R.SH. /Vatikan

«Njeriu i vogël» i Nietzsche-s, i cili zbret në qytetin-treg duke kërkuar Zotin, pritet me përbuzje nga intelektualët që sillen aty rrotull (e ku tjetër mund të silleshin?). "Ndoshta ka humbur rrugën". "Ndoshta ka rënë në gjumë". "Ndoshta ka harruar". Njeriu i vogël nuk mund ta durojë më këtë mashtrim dhe inatoset. "E vramë!" bërtet ai. "Dhe as nuk jemi të vetëdijshëm sa i rëndë është ky gjest i yni. Qielli, toka, bota dhe të gjitha ëndrrat tona më të madhërishme shemben mbi supet tona, të cilat nuk mund ta mbajnë peshën e tyre".

Duhej t’ia kishim vënë veshin «Njeriut të vogël» të Nietzsche-s, të paktën këtë herë.

Deri tani, destrukturimi i përpiktë intelektual i gjurmëve të Zotit – të atij Zoti që u bë njeri nga dashuria për njerëzimin – i ka cfilitur popujt evropianë të cilët kishin nxjerrë prej këtij Zoti, me mjaft sukses, humanizëm për individin dhe lirinë, të brezave dhe të fatit njerëzor. Ky destrukturim ka kthyer në jetë hijet e hyjnive të lashta që kërkonin blatime e që ishin armiqësore ndaj njerëzimit. Ky destrukturim po na nxit që të hedhim valle rreth «viçit të artë» të idhujtarisë, i cili shenjtëron kamjen e të paktëve dhe justifikon varfërinë e shumicës së njerëzimit. Kjo regji shkencore që flet për vdekjen e Zotit, në fund pastaj, po mashtron brezat e rinj me premtime që njeriu i sotëm, si qenie ekonomike dhe teknokratike nuk është aspak në gjendje t'i mbajë.

Këta intelektualë që qyteti-treg na hedh në prehër janë të padrejtë kundrejt nesh dhe fëmijëve tanë. Ata nuk e kanë këtë të drejtë. Ne nuk jemi të tillë. Megjithatë, nuk na lejojnë të flasim. Ata na flasin për globalizimin e të drejtave të njeriut, por na vënë kundër njëri-tjetrit, lagje për lagje: për arsye feje, etnie, burimesh ekonomike, mirëqenieje.

Na shtyjnë të bëhemi zotër të botës dhe të historisë, të identitetit dhe të fatit tonë, por çdo ditë na mërzitin me idenë se gjithçka është shkruar e vulosur në botën e numrave dhe të geneve, në neurone dhe neutrinë. Dhe të gjithë ne mezi presim të zbulojmë sekretin e prodhimit teknologjik të jetës, ekuacionin e unifikuar të forcave të kozmosit, algoritmin për mbarështimin e inteligjencës artificiale që do të zëvendësojë atë çka nuk është e përsosur te ne.

Ndërkaq, pjesa tjetër – domethënë ajo që është njerëzore, e bukur sa s’ka më, por që sipas tyre është krejt e gabuar – mund të bëhet dytësore. Kështu, pjesa jonë njerëzore do të kthehet në një fakt subjektiv, krejt i parëndësishëm për algoritmin që formon botën dhe përcakton historinë.

«Njeriu i vogël» i Nietzsche-s kishte arsyet e veta për t'i a hequr veshin njerëzimit për përgjegjësinë e tmerrshme që ka për "vdekjen e Zotit". Megjithatë, «Njeriu i vogël» gaboi – dhe jo krejt padashje – kur e kërkoi Zotin në pazar. Zoti kërkohet në vendin e dashurive prej nga lind jeta komunitare dhe afërsia midis njerëzve.

Në një vend të tillë – sigurisht njerëzor, sigurisht universal – dëgjojmë sot një fjalë që e çel prap historinë ndaj dashurive të kësaj jete dhe e largon botën që i është dorëzuar nihilizmit. "Biri i Hyjit është ringjallur", ai është një prej nesh. Quhet Jezus.

Mos e kërkoni Zotin në pazar. Ndiqni Yllin, ndiqni Kryqin, ndiqni Shpirtin Shenjt. Përmbysni tavolinat e këmbyesve të parave, nderoni babanë dhe nënën tuaj, rifitoni njerëzimin tuaj. Dhe dëgjoni kambanat që festojnë ringjalljen e botës. Ato nuk bien vetëm për ne por për të gjithë. Ato i rikthejnë nderin turmës së madhe të burrave dhe grave që luftojnë për të qëndruar si njerëz në këtë botë, duke mbajtur me gëzim barrën e njëri-tjetrit. Ato tingëllojnë si përkëdhelje për shpresën e tyre që nuk ka çmim, dhe e ndriçojnë jetën përballë shpresave të rreme që nuk vlejnë as dy lekë. Ato kumbojnë si goditje çekiçi që shkund mediokritetin e të ashtuquajturve «profesionistë» të gjërave të shenjta që nuk kanë më tharm për shpirtrat tanë. Po ashtu, trondisin fodullëkun e tregtarëve të rinj të skllevërve që ua shesin shpirtrat tanë atyre që paguajnë më shumë.

"Unë jam ringjallja dhe jeta".

Ne duhet t'ia rikthejmë zërin kësaj turme njerëzish, dhe jemi me vonesë të madhe, madje. Mos e kërkoni Zotin, gjejeni atë! Jo midis të vdekurve, por midis të gjallëve. Varri është bosh. Ngjallja e Jezusit, i parëlinduri i shumë vëllezërve dhe motrave, është si një betim që ka bërë Zoti se do t’i shpaguajë viktimat e padrejtësisë sonë. Një besim fetar që vetëm lyen me të bardhë varret e botës sonë shpirtërore, ashtu si edhe ateizmi i kotë i shpërfilljes sonë ndaj njerëzimit të të gjallëve, janë qysh tashti një tradhti.

Kambanat e gëzueshme të Pashkëve, të cilat na çlirojnë nga magjia e nihilizmit, janë thjesht një vendim i drejtë!

(Marrë nga: «Avvenire»)

04 prill 2026, 19:57